Është e vërtetë që Gaza është tragjedia më e madhe e umetit në shekullin tonë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në ndonjë cep të vogël dhe të mbipopulluar të tokës, as në Luftën e Parë dhe as në të Dytën Botërore – aq sa dimë – që të ketë vuajtur siç ka vuajtur Gaza. Ajo është fshirë pothuajse krejtësisht nga faqja e dheut; mbi 92% e saj është shkatërruar sipas statistikave ndërkombëtare. Madhësia e bombave të hedhura mbi këtë hapësirë të vogël prej vetëm 365 km² (me gjatësi 41 km dhe gjerësi që varion nga 6 deri në 12 km) dhe ku jetojnë më shumë se 2.2 milionë banorë, ka tejkaluar sasinë e bombës amerikane të hedhur mbi Hiroshimë në vitin 1945 – që vrau 140 mijë njerëz – të paktën gjashtëfish.
Por Gaza – për të thënë të vërtetën e pastër – nuk është vetëm një tragjedi për foshnjat, të moshuarit, gratë që kanë humbur burra, baballarë dhe fëmijë, për nxënësit që kanë bërë shkollat shtëpi, për të sëmurët pa ilaçe, pa ushqim e pa mjete mjekësore, për besimtarët që u shembën mbi kokë xhamitë dhe minaret, për të rinjtë pa shpresë, apo për popullin që është i rrethuar nga të gjitha anët – nga armiku e nga vëllai. Gaza është, në fakt, një skenë që nxjerr zbuluar të gjithë!
*Zbuloi hipokrizinë e humanizmit ndërkombëtar, përveç një pakice të lirë nëpër botë. Ajo tregoi se parimet si “e drejta për jetë” janë vetëm parrulla kolonialiste që përdoren për nënshtrim dhe plaçkitje.
*Zbuloi falsitetin e vlerave perëndimore dhe gënjeshtrën e ligjit ndërkombëtar, që mësohet nëpër shkolla si garantues i dinjitetit njerëzor. Gaza tregoi se sundon ligji i xhunglës.
*Zbuloi organizatat ndërkombëtare të drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut si mjete kolonialiste që përdoren për të nënshtruar shtetet dhe për të plaçkitur pasuritë.
*Zbuloi Këshillin e Sigurimit si një forum për legalizimin e padrejtësisë dhe për ndarjen e influencës mes fuqive të mëdha.
*Zbuloi hipokrizinë e pesë fuqive “garantuese të paqes”, të cilat janë në fakt përhapësit kryesorë të luftërave, vrasjeve dhe padrejtësive në botë.
*Zbuloi degjenerimin e institucioneve dhe udhëheqësve fetarë në mbarë botën, që janë bërë vegla në duart e tiranëve dhe s’flasin veç kur u thuhet të flasin.
*Zbuloi qeveritë e botës së tretë, që sillen si vegla të tiranisë globale, dhe që mashtrojnë popujt e tyre me parulla boshe.
*Zbuloi pasivitetin e shumicës së popujve myslimanë, që janë të shpërqendruar, egoistë, të përçarë dhe të heshtur përballë zullumit.
*Zbuloi pafuqinë e elitave intelektuale, që në vend të udhëheqin opinionin publik, përpiqen vetëm të ruajnë interesat e tyre.
*Zbuloi dobësinë e institucioneve fetare, zyrtare dhe popullore, që nuk bëjnë asgjë më shumë se ndonjë deklaratë në rrjete sociale.
*Zbuloi gjendjen e partive politike dhe grupeve islame, që janë të përçara, pa vizion dhe pa kontakt me realitetin.
*Zbuloi hipokrizinë e Iranit dhe “boshtit të rezistencës”, që përdorin kauzën e Kudsit (Jerusalemit) dhe Gazës për të fshehur krimet e tyre sektare dhe kolonialiste.
*Zbuloi mizorinë e sionistëve, që nuk besojnë në asnjë vlerë tjetër përveç vetes së tyre, dhe janë të gatshëm të vrasin e të zhdukin gjithçka që nuk është sipas tyre.
*Zbuloi tradhtinë e Autoritetit Palestinez, që është bërë vegël për shtypjen e rezistencës dhe për zbatimin e agjendës sioniste.
*Zbuloi pasivitetin e kapitalistëve myslimanë, që nuk lëvizin as kur shohin urinë, shkatërrimin dhe vdekjen e njerëzve të Gazës.
*Zbuloi se edhe reagimet e shumë të rinjve myslimanë, përkundër dhimbjes që ndjejnë, nuk janë ende në nivelin që kërkon madhësia e kësaj tragjedie.
O Allah, na përdor në atë që Të kënaq Ty.
Na ndero duke qenë pranë popullit tonë në Gazën e shkatërruar.
Mos na turpëro për shkak të neglizhencës sonë të madhe dhe heshtjes sonë përballë asaj që po ndodh: vrasjeve sistematike, shkatërrimit të vazhdueshëm, urisë së qëllimshme, përpjekjeve për nënshtrim dhe zhdukje të vullnetit tonë.
Allahu është Udhëzuesi.
Fejsal El-Budani
