HADITHET E LUFTIMIT TË INDISË

Më të lexuarat

Sa herë që shpërthen ndonjë konflikt i gjen myslimanët të rrëmojnë nëpër libra se mos gjejnë ndonjë hadith që përshtatet në ndonjë fragment të tij me ndodhitë e kohës sonë. Tre predha hodhi India dhe dolën menjëherë parashikuesit me hadithe.

Në lidhje me Indinë, janë transmetuar disa transmetime që po ua paraqes shkurtimisht.
Hadithi më i saktë që është transmetuar në lidhje me Indinë është hadithi i Theubanit që thotë se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Allahu i ka ruajtur dy grupe nga umeti im nga zjarri: një grup që do të sulmojnë Indinë dhe një grup që do të jenë bashkë me Isain të birin e Merjemes”. Hadithin e transmetojnë Nesaiu në sunenin e tij nr. 3175 dhe Ahmedi në musnedin e tij nr. 22396.

Nesaiu transmeton edhe hadithin e Ebu Hurejrës që thotë: “I dërguari i Allahut na ka premtuar luftimin e Indisë, prandaj nëse bie shehid kam për të qenë nga shehidët më të mirë e nëse kthehem atëherë do të jem Ebu Hurejra i liruar”. Ka për qëllim do të jem Ebu Hurejra i liruar nga zjarri i xhehenemit.

Ky hadith transmetohet me disa rrugë transmetimi në sunenin e Nesaiut dhe musnedin e imam Ahmedit. Të gjitha këto rrugë transmetimi janë daife (të dobta) dhe nuk shpëtojnë nga kritikat.

Nga Ebu Hurejra transmetohet edhe një hadith tjetër, akoma më i dobët, se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Indinë do ta luftojë një ushtri juaja së cilës Allahu do t’i japë fitore aq sa do të vinë me mbretërit e saj të lidhur në zinxhirë. Allahu ka për t’ua falë gjynahet dhe atëherë kur të kthehen kanë për ta gjetur të birin e Merjemes (Isain a.s.) në Sham”. Këtë hadith e transmeton Nuajm ibn Hamadi në librin “El fiten” dhe në senedin e tij ka transmetues të panjohur dhe rruga tjetër e tij është hadith mursel, një lloj i hadithit të dobët.

Në lidhje me hadithin sahih të Theubanit mund të thuhet se ai është realizuar kohë më parë, që në fundin e periudhës së sahabëve. Gjithashtu, në rrjedhën e historisë, myslimanët kanë ndërmarrë ekspedita të shumta ushtarake, disa prej të cilave kanë qenë shumë të forta dhe kanë arritur të ngrejnë shtete të ndryshme që kanë sunduar Indinë, sidomos veriun e saj, për shekuj me rradhë.

Ibn Kethiri në librin “El bidaje uen nihaje” thotë: “Myslimanët e kanë sulmuar Indinë që në kohën e Muaviut, në vitin 54 h. dhe gjatë luftimeve në kohën e tij kanë ndodhur ngjarje të shumta të cilat do të përmenden hollësisht në vendin e tyre.

Indinë e ka sulmuar edhe mbreti i madh dhe i lavdishëm Mahmud Subuktekini sundimtari i Gaznit (në Afganistanin e sotëm) rreth viteve 400 h. Ai depërtoi thellë në Indi, vrau, zuri robër dhe ganimete të shumta. Hyri edhe në Sumenat dhe theu idhullin më të madh që adhuronin dhe u rrëmbeu armë e stoli dhe më pas u kthye në shëndosh e mirë fitimtar dhe triumfator”. Mbaroi fjala e Ibn Kethirit (6/223).

Sulltan Mahmud Subuktekini ishte sulltani legjendar i Shtetit Gaznevi, që shtrihej në shekullin V sipas hixhretit në Afganistanin e sotëm. Në vitin 408 h. ai çliroi Kashmirin duke e kthyer atë në një vend islam dhe në vitin 416 shpartalloi ushtritë indiane në betejën e Sumenatit dhe hyri në tempullin e tyre më të madh që njihej si tempulli i perëndisë Shiva. Sumenati ndodhet në Guxharat një nga krahinat më të njohura të Indisë dhe në atë kohë ishte kryeqendër e hindusëve.

Pas Shtetit Gaznevi, myslimanët vazhduan ta sulmojnë vazhdimisht Indinë duke çliruar dhe përhapur islamin, herë me tehun e shpatës dhe herë nëpërmjet davetit dhe tregtisë.

Shkurtimisht, hadithi sahih i Theubanit ka kohë që është realizuar, po ashtu edhe hadithi i parë i Ebu Hurejrës, nëse saktësohet, dëshmon që i dërguari i Allahut s.a.v.s. u ka premtuar një çlirim të shpejtë të Indisë ose disa pjesëve të saj, gjë që e ka ndodhur.

Ndërsa hadithi tjetër nga Ebu Hurejra të cilin e përmend Nuajm ibn Hamadi në librin “El Fiten” përveçse është shumë i dobët për nga grada e vërtetësisë, ai nga ana tjetër flet për ngjarjet në fund të kohës, atëherë kur të zbresë Isai dhe në aparencën e tij dëshmon që ushtria për të cilën ky hadith bën fjalë do të niset nga Shami dhe do të kthehet në Sham.

Tema e interpretimit të ngjarjeve dhe konflikteve në fundin e kohës është një temë që tërheq dhe ngjall kureshtjen e shumë njerëzve. Problemi është se në përpjekje për të interpretuar ngjarjet dhe për t’i lidhur ato me transmetimet e ndryshme të transmetuara në librat e hadithit dhe të ethereve, shumë njerëz përdorin imagjinatën dhe fantazinë e tyre në vend të studimit shkencor dhe kritik dhe nga ana tjetër shumica e tyre bien në një gabim tjetër të madh që është konsiderimi i shumë haditheve si hadithe që bëjnë fjalë pikërisht për vitet që ne jetojmë. Për shkak të këtyre dy shkaqeve; bazimit në fantazi dhe lidhjes së hadithve me vitet që ne jetojmë, parashikimet e shumicës dërrmuese të tyre jo vetëm nuk dalin por janë edhe shumë larg realitetit sa shpeshherë bëhen edhe qesharakë.

 

Florian Leli

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit