Vietnamizimi i Gazës

Më të lexuarat

Nga: shkrimtari izraelit Efraim Ganor

“Një luftë që nuk mbaron kurrë”, shkroi Yehuda Amihai i ndjerë në “Poemën e natës së së shtunës”, i cili nuk e kishte imagjinuar kurrë që kjo do të bëhej një profeci që do të realizohej. Pas një viti e gjysmë nga fillimi i luftës, dhe siç është e qartë për të gjithë, dy objektivat më të rëndësishme – kthimi i të rrëmbyerve dhe shkatërrimi i Hamasit – nuk janë arritur. Përgjigjja nga qeveria, e udhëhequr kryesisht nga dëshira për hakmarrje dhe jo nga urtësia: ajo që nuk arrihet me forcë, do të arrihet me më shumë forcë.

Në realitetin aktual duket se lufta e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës po shndërrohet në një “Vietnam”, dhe gjatë javës së fundit pamë shenjat e para të një lufte guerile me rënien e disa ushtarëve dhe plagosjen e të tjerëve. Amerikanëve iu deshën 20 vjet, nga 1955 deri më 1975, dhe mbi 58 mijë të vdekur, për të kuptuar se po luftonin në një luftë të humbur, pa mundësi fitoreje, një luftë e tmerrshme që mori jetën e afro katër milionë njerëzve, prej tyre dy milionë vietnamezë. Pavarësisht epërsisë teknologjike dhe ushtarake, ushtria amerikane nuk kishte përgjigje ndaj luftës së ashpër guerile të Vietkongut, e cila zhvillohej kryesisht nëpër tunele dhe pyje. Supozimi kryesor i amerikanëve ishte se presioni ushtarak dhe vrasja masive e luftëtarëve të Vietkongut do t’i detyronte ata të dorëzoheshin. Por realiteti ishte krejtësisht ndryshe. Ishte një iluzion që i kushtoi SHBA-së një çmim jashtëzakonisht të lartë.

Mund të gjejmë një ngjashmëri të madhe mes luftës që zhvilloi Vietkongu kundër amerikanëve dhe luftës që po zhvillon Hamasi kundër ushtrisë izraelite. Është e vërtetë që nuk kemi më të njëjtin Hamas të 6 tetorit 2023, që ishte i pajisur me dhjetëra mijëra raketa dhe mijëra luftëtarë, por sidoqoftë, Hamasi i tanishëm ka arritur të rekrutojë mijëra luftëtarë të rinj, të motivuar, pa perspektivë dhe pa shpresë, për të cilët rruga e vetme është të bëhen luftëtarë guerilas me qëllim që t’i detyrojnë izraelitët të tërhiqen nga Gaza. Kjo luftë guerile, e cila tani është në kulmin e saj, ka një ndikim të madh dhe shqetësues në fatin e pengjeve që janë ende në robëri.

Hamasi po zhvillon luftën përmes qindra tuneleve dhe vrimave që ende nuk janë zbuluar nga ushtria izraelite. Luftëtarët e Hamasit, të cilët e njohin terrenin shumë më mirë se ushtarët izraelitë, dinë ta shfrytëzojnë këtë dhe të identifikojnë pikat e dobëta të ushtarëve për t’i goditur ata. Çdo viktimë izraelite në këtë luftë shton tensionet në shoqërinë izraelite, mes atyre që janë kundër vazhdimit të luftës për shkak të rrezikimit të pengjeve dhe atyre që nuk pranojnë ta përfundojnë luftën pa një fitore të plotë. Kjo gjendje po e copëton shoqërinë izraelite dhe po e dobëson strukturën e saj të brendshme.

Sa më shumë që ushtria izraelite të thellohet në territorin e Gazës dhe të ngrejë aty baza të përhershme, aq më shumë do të rriten mundësitë dhe kapacitetet e luftëtarëve guerilas të Hamasit për të goditur ushtarët. Është e qartë se nga kjo nuk do të dalë asnjë fitore absolute.

 

Burimi: Maariv

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit