Nuk mund të mohohet se dyqind vitet e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme në historinë e njerëzimit. Transformimi ekonomik dhe shoqëror ka ndodhur në një mënyrë të paprecedentë. Duke e pranuar ndryshimin sasior dhe cilësor që ka ndodhur – e që simbolizohet nga ato që mund të përshkruhen si ikona të reja të qytetërimit dhe të fuqisë politike-ekonomike, si: rreshtat e pafund të rrokaqiejve, komplekset meta-industriale, bankat dhe shtëpitë financiare, gjigandët industrialë, muzetë, stadiumet, aeroportet, mrekullitë e teknologjisë satelitore dhe shprehje të tjera të bollëkut – është e rëndësishme të mos verbohemi nga shkëlqimi dhe lavdia e këtyre manifestimeve të fuqisë.
Duhet të përpiqemi të shkojmë përtej asaj që duket, për të parë gjendjen e vërtetë të shoqërisë njerëzore. Po, këto dy shekuj kanë qenë shekuj të transformimit të madh ekonomik. Si pasojë, prodhimi është rritur, janë zbuluar dhe zhvilluar toka të reja; komunikimet tokësore, detare dhe ajrore janë rritur aq shumë saqë distancat hapësinore dhe kohore duken sikur janë shkurtuar, në mos zhdukur krejtësisht.
Vendet e zhvilluara janë të mbushura me pasuri dhe luks. Shkenca dhe teknologjia, arsimi dhe kërkimi shkencor, fuqia ushtarake dhe pushtimet politike kanë luajtur një rol vendimtar në sjelljen e këtij transformimi global.
Gjatë këtyre dy shekujve, njerëzimi ka kaluar nëpër tri eksperimente madhore ekonomike – përkatësisht: kapitalizmin, socializmin dhe fashizmin. Unë e konsideroj ekonominë e përzier të shtetit të mirëqenies si pjesë të eksperimentit kapitalist në tërësi, dhe si formulimin e tij më të fundit për të kapërcyer disa nga dobësitë e tij të përhapura dhe për tu përballur me kërkesat e procesit demokratik.
