Çfarë është ‘isnadi’?
Në terminologjinë islame, kjo fjalë në gjuhën arabe, nënkupton “zinxhirin e njerëzve të transmetimit”, të cilët në mënyrë të njëpasnjëshme përcjellin njëri nga tjetri, pa ndërprerje, një hadith nga Profeti (alejhi salatu ue selam) dhe jo vetëm. Por në një kuptim tjetër ‘isnadi’ është prova dhe dëshmia e autenticitetit të një pohimi, për të cilin ti nuk je vetë dëshmitar i saj. Dhe kjo nuk vlen vetëm për hadithet, edhe pse më së shumti përdoret për to, por për çdo pohim në fe dhe jo vetëm.
Duke qenë se autenticiteti, apo vërtetësia dhe saktësia e një pohimi, ngjarjeje etj. ka rëndësi parësore jo vetëm në çështjet e besimit, por edhe në aspekte të tjera të jetës së njeriut, shumë prej dijetarëve të hershëm të Islamit e kanë etiketuar ‘isnadin’ si pjesë të fesë. Po të mos ishte ‘isnadi’ pohonin ata, çdokush mund të fliste në emër të fesë si të kishte qejf. Ndërkohë edhe vetë Allahu i Lartësuar në Kuran e ka theksuar rëndësinë e vërtetësisë së lajmit (49:6).
Ymeti islam është ymeti i isnadit, është ymeti që vërtetësinë e lajmit e ka kthyer në shkencë, si asnjë ymet tjetër në këtë botë, as para dhe as pas tij. Megjithatë, është për të ardhur keq, që ka pasur dhe ka akoma, madje edhe mes njerëzve të dijes fetare, njerëz që nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur këtij elementi, dhe i sheh të përcjellin hadithe të dobëta e të trilluara madje, por jo vetëm kaq, por edhe thënie dijetarësh pa verifikuar saktësinë e tyre, duke i atribuuar kështu atyre gjëra që nuk i kanë thënë, ose i kanë thënë ndryshe. Sa e sa gënjeshtra dhe keqkuptime i janë veshur fjalës së Allahut dhe të Profetit, e jo më dijetarëve?!
Kështu që çdokush që pohon diçka nga Allahu, Profeti, por edhe dijetarë të ndryshëm, duhet të pohojë edhe referencën përkatëse. Sidomos kjo bëhet e domosdoshme kur pohohen thënie apo qëndrime delikate të dijetarëve, të cilat kërkojnë saktësi dhe qartësi dhe jo perifrazime kuptimore, që mund të jenë keqkuptime. Madje ka raste kur thënie të caktuara të dijetarëve, edhe pse të sakta, mund të shkëputen nga konteksti i tyre dhe të keqinterpretohen dhe keqpërdoren më pas, qoftë duke i ofenduar këta dijetarë, qoftë për të mbrojtur një mendim të caktuar.
Kështu që mos besoni çdo pohimi që mund të bëhet për x apo y dijetar, qoftë kjo edhe nga ndonjë hoxhë, nëse pohimi nuk shoqërohet me referencën përkatëse, sidomos në rastet kur këto pohime janë të dyshimta dhe problematike që në pamje të parë. Kërkoni referencën përkatëse atij që pohon diçka, përndryshe keni të drejtë të mos e besoni atë që thotë.
Hoxhë Dr. Justinian Topulli
