-1.4 C
Pristina
Monday, January 13, 2025


Në mbledhjen për Sirinë në Arabinë Saudite mesazh “mbështetjeje për procesin e tranzicionit politik”

Më të lexuarat

Të gjithë pjesëmarrësit e takimit të organizuar nga Arabia Saudite “mbështetën një proces të tranzicionit politik që mbron të drejtat e të gjithë sirianëve dhe kryhet me pjesëmarrjen e segmenteve të ndryshme të popullsisë”

Në mbledhjen e mbajtur për Sirinë në Arabinë Saudite është dhënë mbështetje për një proces të tranzicionit politik në Siri që do të realizohet me pjesëmarrjen e segmenteve të ndryshme të popullsisë, transmeton Anadolu.

Pas takimit për Sirinë të zhvilluar dje në kryeqytetin Riad, është publikuar një deklaratë lidhur me çështjet e diskutuara.

“Në takim, përveç ndërmarrjes së hapave për të mbështetur popullin vëllazëror sirian dhe për t’u ofruar atyre të gjitha llojet e mbështetjes, janë diskutuar edhe çështjet e rindërtimit të Sirisë si një shtet arab, i lirë dhe i sigurt për të gjithë qytetarët e saj, ku sovraniteti i saj nuk cenohet dhe integriteti i saj territorial nuk sulmohet”, thuhet në deklaratë.

Të gjithë pjesëmarrësit e takimit të organizuar nga Arabia Saudite “mbështetën një proces të tranzicionit politik që mbron të drejtat e të gjithë sirianëve dhe kryhet me pjesëmarrjen e segmenteve të ndryshme të popullsisë”.

Përderisa është theksuar se mbështesin zgjedhjet e popullit sirian si dhe respektojnë vullnetin e tyre, deklarata më tej theksoi se ekziston shqetësimi për ndërhyrjen e Izraelit në territorin sirian dhe se duhet të respektohet uniteti, sovraniteti dhe integriteti territorial i Sirisë.

– Heqja e sanksioneve

Kryediplomati saudit, Faisal bin Farhan, tha se takimi u mbajt për të koordinuar përpjekjet mbështetëse për Sirinë dhe për të siguruar heqjen e sanksioneve.

“Sanksionet njëanëshe dhe ndërkombëtare ndaj Sirisë duhet të hiqen. Të gjitha llojet e mbështetjes humanitare dhe ekonomike duhet të sigurohen urgjentisht për ndërtimin e një shteti sirian që do të krijojë një mjedis të përshtatshëm për refugjatët sirianë për t’u kthyer në vendin e tyre”, tha Bin Farhan.

Duke folur me vlerësim për hapat e ndërmarrë nga administrata e re siriane në mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe adoptimin e një qasjeje dialogu me palët në vend, vendosmërinë e saj për të luftuar terrorizmin dhe zbatimin e një procesi që përfshin të gjithë përbërësit e popullit sirian, Bin Farhan theksoi se “stabiliteti dhe integriteti territorial i Sirisë duhet të mbrohet”.

Pas takimit të djeshëm, i cili ishte vazhdimësi e takimit të Komitetit Ndërlidhës të Ministrave të Jashtëm Arabë për Sirinë të mbajtur në Akaba të Jordanisë më 14 dhjetor 2024, u mbajt një samit me pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm të Türkiyes, Hakan Fidan, si dhe përfaqësuesve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, SHBA-së dhe Italisë.

/AA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit