1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

SHËNIM: Përballja paragjykuese ndaj 93,49% në Kosovë

Më të lexuarat

Një reflektim mbi sfidat dhe perspektivat e shumicës muslimane

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë konfirmoi atë që pritej prej kohësh: 93,49% e popullatës deklarohet muslimane. Megjithatë, kjo shumicë, që përfaqëson identitetin kryesor fetar të vendit, shpesh ndjehet e margjinalizuar nga segmentet e vogla, por influente të pushtetit dhe medias.

Në dy dekadat e fundit, popullata muslimane është përballur me sfida të shumta, që nga paragjykimet e vazhdueshme deri te kufizimi i të drejtave themelore. Për vajzat me shami ende është në fuqi udhëzimi administrative (anti-kushtetues) ku nuk lejohen të ndjekin shkollën në përputhje me të drejtën e tyre për arsimim, një situatë që sfidon parimet bazë të lirisë dhe barazisë. Punësimi i praktikusëve dhe praktikueseve muslimanë shpesh ndërlidhet me paragjykime, duke krijuar një ambient diskriminues që nuk reflekton aspiratat demokratike të shoqërisë kosovare.

Paragjykimet kundër praktikuesve muslimanë janë të pranishme edhe në politikë. Çdo individ që shpreh hapur bindjet e tij fetare dhe angazhohet politikisht etiketohet si “islamist” ose përfaqësues i “islamit politik.” Ky lloj diskursi, i ndikuar nga narrativat e vjetra komuniste dhe ateiste, nxit frikën e pabazuar dhe shërben si pengesë për përfshirjen e drejtë të muslimanëve në jetën publike.

Sulmet mediatike dhe propaganda islamofobike

Media dhe rrjetet sociale në Kosovë kan luajtur një rol të rëndësishëm në kultivimin e një klime të polarizuar dhe shumë pak të drejtë. Sulmet e vazhdueshme ndaj hoxhallarëve, praktikuesve të fesë dhe komunitetit musliman si tërësi janë bërë rutinë. Gjithashtu, përdorimi i termave stereotipikë për të përshkruar meshkujt muslimanë si të “prapambetur” ose “të rrezikshëm”, të huaj e tjera ndikon negativisht në perceptimin e publikut dhe minon kohezionin e shëndoshë shoqëror.

Një krahasim me Shqipërinë

Në Shqipëri, ku shumica e popullsisë është gjithashtu muslimane, situata duket shumë më liberale dhe demokratike. Toleranca fetare dhe respektimi i të drejtave janë më të dukshme në çdo pore të jetës. Kjo dallueshmëri me Kosovën, ku shumica muslimane shpesh ndjehet e shtypur nga pakicat që mbajnë pushtetin, në Shqipëri është më e mirë.

Në të dyja vendet raportet fetare janë shume të mira falë angazhimit të komuniteteve fetare.

Një thirrje për reflektim dhe veprim

Për të ndryshuar këtë realitet, është e domosdoshme që institucionet shtetërore, mediat dhe klasa politike të respektojnë të drejtat e çdo qytetari, pa marrë parasysh përkatësinë e tij fetare. Shumica muslimane e Kosovës duhet të vazhdojë të kontribuojë pozitivisht në shoqëri, duke qenë një shembull për mirëqenien dhe bashkëjetesën e këtij kombi sikur këto dekada e shekuj të kaluar. Në të njëjtën kohë, kërkesa për llogaridhënie dhe drejtësi duhet të jetë e pandërprerë si ndaj vetëvetes por edhe ndaj klasave politike dhe medias.

Ne, pjesëtarët e këtij kombi le të punojmë së bashku për një të ardhme ku të gjithë ndihen të barabartë dhe të respektuar. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit