Ky qytet, skena e një masakre në vitin 1982, gjatë ditëve të babait të Bashar al-Assadit në pushtet
Grupet kryengritëse në Siri rrethuan pothuajse plotësisht Hamën në Sirinë qendrore të mërkurën, një javë pasi filluan një ofensivë të rrufeshme në veri, me forcat e armatosura siriane duke u përpjekur t’i përballonin ata.
Brenda një jave, për habinë e të gjithëve, kryengritësit kanë pushtuar pjesën më të madhe të Aleppos, qendrën e dytë më të madhe urbane të vendit, duke vijuar përparimin e tyre në Hama, një qytet me rëndësi strategjike për regjimin e Presidentit Bashar al-Assad, vetëm 200 kilometra larg kryeqytet Damask.
Armiqësitë, të cilat kanë vrarë të paktën 704 njerëz, përfshirë 110 civilë, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, janë të parat e kësaj shkalle që nga viti 2020 në Siri, ku shpërtheu lufta civile në vitin 2011.
Kryengritësit rrethuan Hamën në “tre anët” dje, tha OJQ-ja me bazë në Britani, e cila ka një rrjet të gjerë burimesh në Siri. Ata arritën “tre deri në katër kilometra larg qytetit, pas përleshjeve të rënda” dhe tani forcat qeveritare “kanë vetëm një rrugë shpëtimi nga Homs, në jug”, gjithmonë sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.
“Natën e kaluar, goditjet ishin të tmerrshme, ne mund të dëgjonim qartë granatimet e pandërprera,” tha Wasim, një shofer, 36 vjeç, i cili jeton në Hama. “Kemi katër ditë që jemi në prag të krizës nervore”, shtoi ai.
“Unë shikoj lajmet ditë e natë, nuk e heq telefonin nga duart”, tha një studente 22-vjeçare, e cila la universitetin e saj në Damask për t’u bashkuar me familjen e saj në Hama kur filloi sulmi.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, forcat qeveritare kanë kundërsulmuar që nga dita e djeshme, me mbështetje ajrore dhe kanë dërguar “kolona të mëdha ushtarake” në Hama dhe rrethinat e saj.
Hama ishte skena e një masakre të kryer nga ushtria në vitin 1982, gjatë ditëve të babait të presidentit aktual Bashar al-Assad në pushtet, për të shuar një kryengritje të Vëllazërisë Muslimane.
Përveç kësaj, pati disa nga demonstratat më të mëdha që kërkonin demokratizimin e vendit në vitin 2011, shtypja e të cilave ishte shkas për luftën.
David Carden, ndihmës koordinator i OKB-së për çështjet humanitare në Siri, tha dje se më shumë se 115,000 njerëz ishin zhvendosur brenda një jave.
Rusia dhe Irani, aleatët kryesorë të Damaskut dhe Turqia, një mbështetëse kryesore e disa grupeve opozitare, janë në “kontakt të ngushtë” për të stabilizuar situatën, tha diplomacia ruse.
Siria, ku lufta ka marrë jetën e më shumë se gjysmë milioni njerëzve, mbetet e ndarë në zona ndikimi, ku palët ndërluftuese mbështeten nga fuqi të ndryshme të huaja.
Për herë të parë që nga shpërthimi i luftës, Damasku ka humbur plotësisht kontrollin e Aleppos, një qytet që dikur ishte zemra e ekonomisë siriane. Kjo disfatë u cilësua si jashtëzakonisht e dhimbshme për regjimin e presidentit Bashar al-Assad. /tesheshi.com/