Donald Trump zgjodhi një gjeneral të pensionuar si të dërguar për luftën në Ukrainë, megjithëse ishte lakuar emri i Richard Grenellit.
Presidenti i zgjedhur amerikan ka zgjedhur Keith Kellogg si dërguarin amerikan për Ukrainën dhe Rusinë.
Gjenerali i pensionuar raportohet se i kishte paraqitur qysh në muajin korrik presidentit të zgjedhur një plan për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ky plan përfshin informimin e Ukrainës se do të marrë më shumë armë nga SHBA-ja vetëm nëse hyn në bisedime paqeje me Rusinë.
Në platformën Truth Social, Trump deklaroi se “Keith ka një karrierë të dalluar ushtarake dhe biznesi, duke përfshirë shërbimin në pozita të ndjeshme të sigurisë kombëtare në administratën time të parë”.
Ai shton se të dy do të “bëjnë Amerikën dhe botën përsëri të sigurta”.
Theksojmë se ish-ambasadori amerikan në Gjermani dhe njëkohësisht i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ishte përfolur për të marrë këtë rol në administratën e re amerikane.
Ndryshe, Trump pas inaugurimit si president më 20 janar të vitit të ardhshëm, duhet ta themelojë këtë post pasi aktualisht nuk ekziston në administratën e drejtuar nga Joe Biden. /Telegrafi/