4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Matematikani 15-vjeçar: nga detyrat e fëmijërisë te libri për olimpiada

Më të lexuarat

Yll Morina, një talent i rrallë 15-vjeçar nga Shkupi: si ëndrrat shkencore mund të bëhen realitet

Yll Morina është një 15-vjeçar nga Shkupi që ka spikatur me pasionin dhe aftësitë e tij në matematikë, fizikë dhe shkenca ekzakte. Që nga mosha 9-vjeçare, Ylli ka shfaqur dashurinë e tij për matematikën dhe zgjidhjen e detyrave të ndërlikuara matematikore. Por për të, suksesi nuk vjen vetëm nga talenti, por edhe nga angazhimi i vazhdueshëm dhe puna e palodhur.

“Që nga mosha e hershme, matematikën e kam dashur dhe e kam ushtruar me përkushtim. Për suksesin tim, mendoj se është po aq i rëndësishëm edhe angazhimi maksimal përveç talentit,” shprehet Ylli.

Në këto vitet e fundit, Ylli ka bashkëpunuar me profesorin e tij për botimin e një libri që përfshin një përmbledhje detyrash matematikore dhe një doracak për garat dhe olimpiadat. Kjo iniciativë shënon një hap të rëndësishëm në përkushtimin e tij ndaj matematikës.

“Kam dashur të marr një pushim të shkurtër që të rikthehem me më shumë energji dhe përkushtim,” thotë ai, duke shtuar se puna e tij nuk ndalet as në ndihmën për studentët, duke u ofruar mbështetje në zgjidhjen e detyrave komplekse nga analiza matematikore.

Ambiciet e tij janë të qarta: të vazhdojë me matematikën dhe të kontribuojë në këtë fushë si një shkencëtar i ardhshëm.

Mentorët dhe mbështetja familjare, gurë themeli të suksesit

Mentori i tij, Musa Zuka, ka ndjekur nga afër rrugëtimin e Yllit. Ai thekson se ky talent i ri ka korrur suksese të jashtëzakonshme që nga garat komunale deri tek ato republikane, duke marrë shpesh vendet e para.

“E përcjelli punën e Yllit që nga mosha e hershme dhe bashkëpunoj me të. Rezultatet e tij në garat komunale, regjionale dhe republikane janë dëshmi e talentit dhe përkushtimit të tij,” thotë Zuka.

Mbështetja nga familja dhe shoqëria ka qenë gjithmonë një shtyllë e rëndësishme për Yllin. Nëna e tij, Imrane Morina, e thekson këtë duke përmendur edhe përkrahjen institucionale që ka marrë pas paraqitjeve të tij mediatike.

“Sigurisht që mbështetja familjare asnjëherë nuk i ka munguar. Gjithashtu, shoqëria, profesorët dhe stafi akademik e kanë ndihmuar shumë. Përveç kësaj, ai ka marrë edhe mbështetje institucionale, duke përfshirë takimet me dy presidentët e fundit të vendit tonë,” deklaron ajo.

Yll Morina është një shembull frymëzues i një talenti të ri që po ndërton të ardhmen e tij me punë të palodhur dhe përkushtim, duke premtuar një kontribut të rëndësishëm në fushën e matematikës dhe shkencave ekzakte. /TRT Balkan/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit