Rasti i çuditshëm i Mario Përlleshajt që të kujton Kostandin Xhuvanin
Ditë pas ngjarjes së rëndë në shkollën “Fan Noli” në Tiranë, ku dy nxënës të saj, njëri u shndërrua në vrasës e tjetri në i vrarë, si pasojë e përdorimit të thikës, është reaguar nga familja e fëmijës vrasës. Ky i fundit, pak pas krimit, publikoi veten në rrjete duke pozuar në mënyrë sfiduese, pa shfaqur pendim, qëndrim që e ka mbajtur dhe para hetuesve, duke përcjellë perceptimin e një delikuenti të rrezikshëm.
Por siç duket kemi të bëjmë me raste përjashtimor tipologjie karakteriale, pasi ai rezulton nxënës i shkëlqyer në mësime, pas dëftesës së publikuar nga i ati.
Ndue Përlleshaj, për të birin Mario, i tha medias se, “jam shumë i vrarë në shpirt për atë që ka vdek. Nuk kam asnjë fjalë tjetër.”
“Dhimbjen time e di vetëm Zoti lart. Çdo njeri që më njeh mua e di dhimbjen time”, tha ndër të tjera ai, duke pretenduar se Marion, të birin vrasës, e kishte fëmijë të vetëm dhe që ishte përpjekur, së bashku me të shoqen, ta edukonin si mos më mirë.
“Edhe unë edhe nusja jemi në gjendje të rëndë, në gjendje shumë të keqe”, tha babai i autorit.
Dhe ndërkohë, dëftesa e tij tregon dhjetat e marra në mësime.
E nga ana tjetër, dhe vlerësimi i sjelljes së Mario Përlleshajt është maksimal nga ana e mësuesve.
“Tregon përgjegjësi të lartë për kryerjen e detyrave gjatë procesit mësimor. Komunikon lirshëm me një fjalor të pasur shkencor, si edhe debaton në mënyrë kritike për situata të ndryshme problemore. Ndërton marrëdhënie të shëndetshme me shokët e shoqet e klasës dhe dallohet për punët në grup.
Dallohet në aftësitë e tij për përdorimin e teknologjisë me synim thellimin e njohurive dhe realizimin e projekteve”, thuhet në vlerësimin e kompetencave që mbante emrin e drejtoreshës së shkollës, Jorika Loka dhe mësueses Amarinda Gjermëni.
Ky rast të sjell në mendje atë të Konstandin Xhuvanit, vrasësit të katër personave në pak minuta, duke qenë njëherësh famijë i dy prindërve artistë e qytetarë shembullorë, aktores Luiza Xhuvani dhe regjisorit të ndjerë Gjergj Xhuvani. /tesheshi.com/