Vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për të lejuar Ukrainën të godasë brenda Rusisë me raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA-ja, ka ngjallur reagime në Rusi.
“Presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden ka marrë një nga vendimet më provokuese, të pallogaritura të administratës së tij, që rrezikon pasoja katastrofike”, thuhet në faqen e internetit të gazetës qeveritare ruse, Rossiyskaya Gazeta.
Ndërsa deputeti rus, Leonid Slutsky, kreu i Partisë Liberal-Demokratike pro-Kremlinit, parashikoi se vendimi “do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një përshkallëzim serioz, duke kërcënuar me pasoja të rënda”.
Senatori rus Vladimir Dzhabarov e quajti atë “një hap të paprecedentë drejt Luftës së Tretë Botërore”.
Megjithatë, presidenti Vladimir Putin ka qëndruar i heshtur, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Në shtator, Putin deklaroi se nëse kjo lejohej të ndodhte, Moska do ta konsideronte si “pjesëmarrje të drejtpërdrejtë” të vendeve të NATO-s në luftën e Ukrainës.
E kur u pyet se si do të reagonte Rusia nëse Ukrainës do t’i jepej mundësia të godiste objektivat në territorin rus me armë të furnizuara nga Evropa, ai tha: “Së pari, ne, sigurisht, do të përmirësojmë sistemet tona të mbrojtjes ajrore. Ne do të shkatërrojmë raketat e tyre”.
Me fjalë të tjera, leja për të goditur brenda territorit rus është diçka që Moska e ka marrë në konsideratë.
Ndryshe, pas dy muajsh, Biden do të dorëzojë detyrën, ndërsa Donald Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Kremlini e di se Trump ka qenë shumë më skeptik se Bideni për ndihmën ushtarake për Ukrainën.
A do të jetë ky një faktor në llogaritjet e Putinit ndërsa ai formulon përgjigjen e Rusisë? /Telegrafi/