3.4 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

Principata Islame e Alpeve: Shembull i gjallërisë së Ummetit Islam

Më të lexuarat

Principata e Malit Kilal (siç njihet në emërtimet e hershme), për të cilën flet Ibn Haukal, të cilën e përshkruan kështu:
“Mali Kilal, që ndodhet në afërsi të Frankve, e që është në duart e luftëtarëve muslimanë, i është shtuar ndërtimi, bujqësia, uji dhe tokat që i ushqejnë ata që kërkojnë strehim aty. Kur muslimanët e morën atë, e ndërtuan dhe qëndruan përballë frankve, të cilët nuk mund të depërtonin deri tek ta, sepse këta muslimanë jetonin në një pjesë të malit ku ishte e pamundur ti arrinin. Ata ishin të mbrojtur nga çdo drejtim. Mali kishte një gjatësi prej dy ditësh.”

Kjo principatë islame njihej në burimet perëndimore si Fraxinetum, emri i kalasë që ishte baza e kësaj principate. Mendohet se kjo kala ndodhej në të njëjtin vend ku sot është fshati La Garde-Freinet, në shpatet e Alpeve Jugore të Francës, në veri të portit të Tulonit. Principata u themelua nga një grup prej 20 luftëtarësh muslimanë andaluzianë, të cilët, në vitin 278 H/891 e.s., u detyruan të ankorojnë anijen e tyre në bregun e Provence, në Gjirin Saint-Tropez. Ata zbritën natën dhe sulmuan fshatin Tropez, më pas u ngjitën në një nga malet e Alpeve, të quajtur Murus, ku ndërtuan bazën dhe kalatë e tyre.

Ata dërguan një lajmëtar në Andaluzinë islame për të ftuar luftëtarë të tjerë që të bashkoheshin me ta. Pas kësaj, shumë vullnetarë nga Andaluzia dhe Afrika e Veriut iu bashkuan, duke i fuqizuar më tej. Ata i zgjeruan sulmet e tyre, duke kontrolluar shumicën e rrugëve që lidhin Italinë me pjesën tjetër të Evropës përmes Alpeve, ndërtuan kalatë e tyre dhe kryen sulme në shumë zona të Italisë Veriore, Francës Jugore dhe Gjermanisë. Sulmet e tyre arritën deri në liqenin e Gjenevës.

Luftëtarët vendosën taksa për ata që dëshironin të kalonin të sigurt përmes Alpeve dhe për 85 vite krijuan shqetësime të mëdha për fuqitë evropiane fqinjë. Madje, Otto, mbreti i Gjermanisë dhe një nga mbretërit më të fuqishëm të krishterë në Evropë, dërgoi disa delegacione te Abdulrahman en-Nasiri në Andaluzinë islame për të kërkuar ndërprerjen e sulmeve të muxhahidinëve. Megjithatë, Abdurahmani u përgjigj se ata ishin të pavarur dhe nuk kishte kontroll mbi ta.

Fundin e kësaj principate e shkaktoi një ngjarje më 6 Sheval 361 H/21 korrik 972 e.s., kur muxhahidinët kapën një grup të madh pelegrinësh perëndimorë që ktheheshin nga Roma për në Francë. Në mesin e tyre ishte edhe kryetari i manastirit të Cluny, Maiol. Muslimanët liruan Maiolin dhe grupin e tij vetëm pas pagesës së një shpërblimi të madh, gjë që shkaktoi zemërim të madh në Perëndim, veçanërisht në Burgundi dhe Provence. Si rezultat, luftëtarët evropianë nga këto rajone sulmuan Fraxinetum. Pas një lufte të ashpër trevjeçare, gjatë së cilës fatimidët nga Afrika e Veriut ndërprenë furnizimet për këtë principatë, forcat franceze e pushtuan kalanë në vitin 364 H/975 e.s., vranë shumicën e muslimanëve dhe ata që mbijetuan u skllavëruan ose u detyruan të konvertohen në krishterim.

Shkruar nga Prof. Dr. Ali bin Muhammed Audeh al-Ghamdi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit