2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Dija obligim fetar dhe domosdoshmëri kohore – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Pasiqë kemi folur javët e kaluara mbi vitin e ri shkollor, kemi dhënë disa udhëzime, porosi, këshilla dhe mësime, për nxënësin, prindin dhe mësuesin, do ta përfundojmë këtë varg udhëzimesh me bisedën rreth dijes dhe rëndësisë që ka arsimi dhe shkollimi në Islam.

Vlera e dijes

Vlerën e dijes do të mundohemi ta spikatim në disa forma dhe aspekte:

1- Dija është dhuntia më e madhe që na e ka dhënë All-llahu, subhanehu ve teala.

All-llahu e ka lavdëruar dijen, i ka nderuar bartësit e dijes, u ka dhënë shpërblime të mëdha, ua ka ngritur shkallët, sepse dija është udhëzim, është mëshirë, është dritë, është mbrojtje, lartësi dhe ngritje.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

{ يَرْفَعِ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ {11 }

“…All-llahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. All-llahu është i njohur mirë me atë që punoni”. (El-Muxhadele: 11).

Kurse në suren Ez-Zumer thotë:

(( قُلْ هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لا يَعْلَمُونَ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُوْلُوا الأَلْبَابِ {9} ))

“…Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim”. (Ez-Zumer: 9).

2- Prej argumenteve të prera dhe të qarta për vlerën e dijes dhe mjeteve të marjes së dije, fillimi i Kur’anit me ajetet:

(( اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ {1} خَلَقَ الإنسان مِنْ عَلَقٍ {2} اقْرَأْ وَرَبُّكَ الأَكْرَمُ {3} الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ {4} عَلَّمَ الإنسان مَا لَمْ يَعْلَمْ {5}

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. (El-Alak: 1-5).

Ashtu sikurse All-llahu e largoj njerëzimin nga erësira e mosekzistimit në dritën e ekzistimit, ashtu i dha dhuntinë e dijes, me të cilën e nxjer njeriun nga erësira e injorancës në dritën e njohjes.

3- Pasiqë dija ka vlerë dhe nderë, All-llahu, subhanehu ve teala, na ka mësuar që të kërkojmë shtimin e saj.

E ka urdhëruar me këtë Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke i thënë:

(وقل ربِّ زِدني عِلمَاً )

“…thuaj: “Zoti im, më shto dituri!” (Taha: 114).

Kjo pa dyshim e tregon vlerën e dijes dhe shtimit të saj.

Katadeja, rahimehull-llah, thotë: “Poqëse do të mjaftohej dikush me dijen do të mjaftohej Musai, alejhisselam, mirëpo ai i tha Hidrit, alejhisselam:

(هل أتبعُكَ على أن تعلمَني مما عُلِّمتَ رُشداً )

“…”A pranon të vijë me ty, që të më mësosh nga ajo që je i mësuar (i dhuruar) ti: dituri të drejtë e të vërtetë?” (El-Kehf: 66).

Këto ishin disa ajete që na treguan vlerën që ka dija në shoqërinë muslimane, kurse sunneti i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka edhe më shumë fakte që e tregojnë dhe e spikatin vlerën e dijes.

Hadithet që flasin për vlerën e dijes

– Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Muavija, radijall-llahu anhu, i cili thotë: kam dëgjuar Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke thënë:

( من يُرِدِ اللهُ به خيراً يفقهه في الدين ).

“Kujt ia do All-llahu të mirën ia mëson fenë”.

– Transmeton Muslimi nga Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

( ومن سلك طريقاً يلتمس فيه علماً سهل الله له به طريقاً إلى الجنة وما اجتمع قوم في بيت من بيوت الله، يتلون كتاب الله، ويتدارسونه بينهم، إلا نزلت عليهم السكينة، وغشيتهم الرحمة وحفتهم الملائكة، وذكرهم الله فيمن عنده. … “. ).

“Kush ecë rrugës për të kërkuar dije, All-llahu ia lehtëson rrugën e xhennetit. Nëse mblidhen disa njerëz në një shtëpi të Zotit që të lexojnë Librin e Zotit dhe që ta studiojnë mes tyre, mbi ta bjer qetësia, i mbulon mëshira, i rrethekojnë melaqet dhe i përmend All-llahu te krijesat që gjinden te Ai…”.

– Transmeton Tirmidhiu nga Enesi, radijall-llahu anhu, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

( من خرج في طلب العلم فهو في سبيل الله حتى يرجع ).

“Ai që del për të kërkuar dije është në rrugë të Zotit derisa të kthehet”.

– Tregon Ibn Abdul-Berri në librin e tij “Xhamiu bejanul-Ilmi ve fadlihi” fjalën e Muadhit, radijall-llahu anhu:

” تعلموا العلم فإن تعلمه لله خشية، وطلبه عبادة، ومذاكرته تسبيح، والبحث عنه جهاد، وتعليمه لمن لا يعلمه صدقة ، وبذله لأهله قربة ؛ وهو الأنس في الوحشة، والصاحب في الغربة، والمحدث في الخلوة، والدليل على السراء والضراء، والسلاح على الأعداء، والزين عند الأخلاء، ومنار سبيل أهل الجنة ، يرفع الله به أقواما فيجعلهم في الخير قادة وأئمة يقتصّ آثارهم، ويحتذى بأفعالهم، وينتهى إلى رأيهم، ترغب الملائكة في ظلهم، وبأجنحتها تمسحهم، يستغفر لهم كل رطب ويابس، وحيتان البحر وهوامه، وسباع البر وأنعامه، لأن العلم حياة القلوب من الجهل، ومصابيح الأبصار من الظلم، يبلغ العبد بالعلم منازل الأخيار والدرجات العلى في الدنيا والآخرة، والتفكر فيه يعدل الصيام، ومداومته تعدل القيام، به توصل الأرحام، وبه يعرف الحلال من الحرام، هو إمام العمل، والعمل تابعه، يلهمه السعداء ويحرمه الأشقياء ” .

“Mësone dijen, sepse mësimi i dijes për hirë të All-llahut është frikë, kërkimi i dijes është adhurim, përsëritja është tespih (subhanall-llah), hulumtimi i tij është xhihad, tia mësosh atij që nuk e di është sadaka, tia japish atyreve që e meritojnë është afërsi, është shoqërues në vetmi, mik kur je në gurbet, të flet kur ske me kënd të flasish, udhërrëfyes në bollëk dhe vështirësi, armë kundër armikut, stolisje pranë miqve, ndriçues i rrugës së xhennetit, me te All-llahu i ngrit disa njerëz e i bën udhëheqës në të mirë dhe prijës që ecët pas hapave të tyre dhe pasohen veprat e tyre, miret në konsiderat mendimi i tyre, melaqet dëshirojnë tu bëjnë hije, kurse me krahët e tyre ti prekin, për ta kërkon falje çdo gjë e thatë ose e njomë, peshqit në detë dhe insektet, kafshët e buta dhe të egra, sepse dija është ngjallje e zemrës nga injoranca, llambë e syve nga erësira, njeriu me dije arrin gradën e të zgjedhurve dhe shkallët e larta në dynja dhe ahiret, logjikimi mbi te vlen sa agjërimi, vazhdimi në te vlen sa namazi natës, me të forcohen lidhjet farefisnore, njihet hallalli dhe harami, është prijësi i veprës, kurse vepra pasues, u inspirohet të lumturve dhe u privohet fatzive”.

Dija është baza e ringjalljes sonë

Nga mësimet islame, nga civilizimi islam, stimulimi për dije dhe respekt të dijetarëve në mesin e muslimanëve janë përhapur dijet dhe shkencat. Këtë e kanë stimuluar edhe prijësit musliman, saqë halifeja Mutevekil i ka dhënë ari Hunejn ibn Is’hakut sa i ka peshuar libri i përkthyer.

– Muslimanët i përkthyen librat e civilizimeve më të hershme.

– Ata nuk u mjaftuan vetëm me përkthim, por edhe hulumtuan, vazhduan studimin, përmirësuan dhe i zhvilluan, saqë sollën inovacione dhe ua kaluan tjerëve.

– Dukë ia ditur vlerën muslimanët dijes u bënë të njohur: Ebu Bekr Raziu, si njeri i cili i pari bëri operacion në sy, Ibn Sina e shkroi librin e parë në mjekësi, “Kanunin”, i cili studiohet në Kembrixh dhe Oksford, Xhebr ibn Hajjani, i cili e zbuloi Algjebrën, muslimanët ishin të parët që ndërtuan teleskopër astronomik, etj.

– Dija me të cilën ngjallet populli ynë është dija e dobishme, qoftë prej dijeve fetare ose shkencave ekzakte, domethënë të gjitha shkencat për të cilat kanë nevojë njerëzit në jetën e tyre.

Pozita e dijes në fe

Dijetarët e kanë ndarë kërkimin e dijes në dy kategori: Farzi ajn dhe farzi kifaje.

Farzi ajn është dija për të cilën ka nevojë secili individ, domethënë njohja e gjërave të domosodoshme dhe primare në jetën e tij, sikurse është besimi në Zot, njohja e të dërguarve, njohja e fesë dhe rregullave të saja, etj.

Edhe në këtë drejtim ka neglizhencë të madhe. Njerëzve sot aspak ose shumë pak ju intereson për fenë dhe Krijuesin e tyre. Andaj ky mosinteresim edhe e ka sjellur popullin tonë deri në këto nivele të dekadencës morale dhe ajo që edhe ma shumë e keqëson këtë gjendje është fakti se njerëzit akoma nuk janë vetëdijësuar dhe nuk janë zgjuar nga shkujdesi e të kthjellen dhe të shohin rrugën e shpëtimit.

Kurse farzi kifaje janë dijet për të cilat ka nevojë shoqëria në mënyrë kolektive dhe derisa nuk krijohet kuadër i mjaftueshëm në secilën degë, e tërë shoqëria është përgjegjëse dhe është mëkatare.

Andaj mësimi i shkencave të ndryshme është prej obligimit të përgaditjes, siç na tregon All-llahu, subhanehu ve teala:

{ وَأَعِدُّواْ لَهُم مَّا اسْتَطَعْتُم مِّن قُوَّةٍ وَمِن رِّبَاطِ الْخَيْلِ تُرْهِبُونَ بِهِ عَدْوَّ اللّهِ وَعَدُوَّكُمْ وَآخَرِينَ مِن دُونِهِمْ لاَ تَعْلَمُونَهُمُ اللّهُ يَعْلَمُهُمْ وَمَا تُنفِقُواْ مِن شَيْءٍ فِي سَبِيلِ اللّهِ يُوَفَّ إِلَيْكُمْ وَأَنتُمْ لاَ تُظْلَمُونَ }{60} .

“E ju përgatituni sa të keni mundësi force, (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje), ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata. ?kado që shpenzoni për rrugë të All-llahut, ajo do t’ju konpensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtë”. (El- Enfal: 60).

Secilën fuqi që kanë mundësi muslimanët ta përgadisin e nuk e përgadisin, ata atëherë do të jenë mëkatar, pa dyshim se shkencat bashkëkohore me të gjitha aspektet e saja janë obligim për ummetin, sepse mjeti pa të cilën nuk kryhet një obligim është obligim.

Mes dijes dhe besimit

Kur të ndalemi të mendojmë rreth qëndrimit të Islamit mbi dijen do ta shohim lidhjen e fuqishme mes dijes dhe besmit, andaj në Islam sado që njeriu është më i ditur është më i devotshëm, kurse sa ma injorant është është ma larg Zotit, për dallim prej krishterimit, ku ka qenë me shekuj sa ma larg dijes, aq mq afër Zotit, andaj edhe në bazë të kësaj teorie janë themeluar inkvizicionet dhe djegia e dijetarëve.

All-llahu, tebareke ve teala, duke treguar faktin se dijetarët janë njerëzit që më së shumti ia kanë frikën All-llahut, thot:

{أَلَمْ تَرَ أَنَّ اللَّهَ أَنزَلَ مِنَ السَّمَاء مَاء فَأَخْرَجْنَا بِهِ ثَمَرَاتٍ مُّخْتَلِفًا أَلْوَانُهَا وَمِنَ الْجِبَالِ جُدَدٌ بِيضٌ وَحُمْرٌ مُّخْتَلِفٌ أَلْوَانُهَا وَغَرَابِيبُ سُودٌ {27} وَمِنَ النَّاسِ وَالدَّوَابِّ وَالْأَنْعَامِ مُخْتَلِفٌ أَلْوَانُهُ كَذَلِكَ إِنَّمَا يَخْشَى اللَّهَ مِنْ عِبَادِهِ الْعُلَمَاء إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ غَفُورٌ {28} }سورة فاطر

“A nuk e sheh se All-llahu lëshon nga qielli ujë, e Ne nxjerrim me të fruta, ngjyra e të cilëve është e ndryshme, e edhe nëpër kodra ka vija të bardha e të kuqe ngjyrash të ndryshme, e ka edhe shumë të zeza. Edhe nga njerëzit, nga gjallesat, nga kafshët po ashtu ka të ngjyrave të ndryshme. Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët, All-llahu është mbi gjithçka, është mëkatfalës”. (Fatir: 27- 28).

Pra, dija udhëzon në besim dhe e forcon ate, kurse besimi thërret në dije dhe stimulon në te. Këtë lidhje kaq të fuqishme mes dijes dhe besimit nuk e gjejmë askund tjetër.

Nëse një popull dëshiron të prosperon dhe të zhvillohet e ka të domosdoshme pajisjen me besim dhe dije, sepse vetëm dija “mund ta ngrit një popull deri në qiell, ti jep komoditet dhe bollëk, mirëpo së shepjti do të shkatërrohet sikurse bijnë gjethet në vjeshtë kur fryen era”. “Sa popuj jetojnë të pasur dhe të fuqishëm, mirëpo në vuajtje e cila ua rezikon ardhmërinë, të coptuar mes vete, ku dominon stresi dhe nihilizmi. Fuqi pa siguri dhe kënaqësi. E tashme e lulëzuar pret të ardhmen e vështirë, është sprovë të cilën e pason vuajtja”.

Muslimanët ua kanë kaluar tjerëve shekuj me rradhë kur dija mori vend të lartë në zemrat e tyre, kur ata e kërkuan dijen me sinqeritet dhe i nderuan dijetarët.

Mes dijes dhe pasurisë

Fatkeqësisht sot vërejmë se njerëzit shumë ma shumë i japin rëndësi pasurisë, pushtetit, publicitetit se dijes, kurse pa dije humbën të gjitha këto, kurse me dije i fiton këto dhe shumë gjëra tjera që ndoshta edhe nuk të bien ndërmend.

Andaj nuk janë të rralla rastet kur disa familje tana në vend se ti nisin fëmijët në shkollë ata i nisin të shkojnë e të miren me punë të ndryshme për të fituar ndonjë dinar.

Është e vërtetë se gjendja e jonë ekonomike është shumë e vështirë edhe shumë herë bëhet shkak për këtë vendim, mirepo ky vendim asnjëher nuk është i arsyeshëm.

Më mirë është të vuajmë pak për kafshatën e gojës se sa ta ndalim fëmiun nga shkolla.

Ibn Kajimi, rahimehull-llah, ka sjellur disa dallime mes dijes dhe pasurise, për të treguar se vlera e dijes është shumë ma e madhe se e pasurisë, andaj nuk duhet përmbysur prioritetet.

1- Dija është trashëgëmi e pejgamberëve, kurse pasuria është trashëgëmi e mbretërve.

2- Dija e ruan njeriun, kurse pasurinë duhet ta ruaj njeriu.

3- Dija shtohet me ndarje, kurse pasuria harxhohet me dhënie.

4- Dija e përcjell njeriun edhe ne var, kurse pasuria ndahet prej tij pas vdekjes.

5- Dija e sundon pasurinë, kurse pasuria nuk e sundon dijen.

6- Pasuria i jepet secilit kurse dija vetëm atij që e kërkon.

7- Për dijetarin kanë nevojë mbretërit edhe tjerët, kurse për pasurinë vetëm të varfërit.

8- I pasuri mund të bëhet i varfër për një moment, kurse i dituri asnjëher nuk mund të bëhet injorant.

9- Pasuria njeriun e ban rob të dynjasë, kurse dija e thërret njeriun në adhurim të Zotit.

10- Pasuria mund të bëhet shkak i shkatërrimit të njeriut, kurse dija i jep jetë njeriut.

11- Lumturia e dijes është e përhershme, kurse e pasurisë e përkohshme.

12- Dijetari vlerën e ka subjektive, kurse pasaniku vlerën e ka në pasurinë.

13- I pasuri i thëret njerëzit me pasurinë e tij në dynja, kurse dijetari i thërret në ahiret.

Shiko se cilën rrugë do të zgjedhish!

Përgjegjësia e familjes në këtë drejtim

Familja obligohet që ti stimulojë fëmijët që të mirren me dije, ti motivojë për epërsi dhe sukses të lart.

All-llahu, subhanehu ve teala, e obligon muslimanin që të ruan veten dhe familjen nga zjari duke thënë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَاراً وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ عَلَيْهَا مَلائِكَةٌ غِلاظٌ شِدَادٌ لا يَعْصُونَ اللَّهَ مَا أَمَرَهُمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ (6)

“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”. (Et-Tahrim: 6).

Komentatorët e Kur’anit kanë thënë: “Mësoni dhe edukoni fëmijët tuaj”.

Prindërit obligohen që:

– Të drejtojnë fëmiun drejt dijes që në fëmijëri, sepse kërkimi i dijs në fëmijëri është sikur shkrimi në gurë.

– Fëmiës duhet mësuar disa rregulla pedagogjike gjatë kërkimit të dijes, siç është sinqeriteti, devotshmëria, durimi, respektimi i mësuesit, organizimi i kohës, mesataria në ushqim dhe gjum, etj.

– Duhet stimuluar në lexim, shfletim, analizë, meditim dhe duhet kujdesur për prirjet që i ka fëmiu.

– Duhet sigurar në shtëpi një bibliotekë të vogël me libra të dobishme për të gjith anëtarët e shtëpisë.

– Fëmive duhet lexuar jetën e dijetarëve, sepse jeta e tyre është përplot me shembuj dhe rastesh interesante dhe të dobishme.

– Duhet stimuluar fëmjët që të lexojnë revista me lëndë të dobishme, të përcjellin programet interesante shkencore, duhet ta njohin përodrimin e kopmjuterit, pjesmarrja në kuize të diturisë, në gara të ndryshme shkencore, përcjellja e mësimit të tyre në shkollë, etj.

– Duhet sqaruar dallimin mes këtyre brezave të muslimanëve dhe brezave të kaluar dhe pasionin e tyre për lexim, shfletim, shkencë, libra, shkollim dhe ndikimi i tyre në rrjedhat e civilizimit botëror.

E lusim All-llahun të na bëjë të pasionuar pas besimit dhe dijes, leximit dhe shkollimit, përparimit dhe edukimit.

Përgaditi: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit