2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Aktakuza kundër 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë, emrat e të akuzuarve dhe detaje të tjera

Më të lexuarat

Prokuroria Speciale e Kosovës të mërkurën ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në rastin e sulmit terrorist në Bansjkë, që ndodhi më 24 shtator të 2023-së.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili pas sulmit në Banjskë ka pranuar se ishte organizator dhe pjesëmarrës në sulm.

Në konferencën për media, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se është punuar intensivisht për të arritur deri te ngritja e kësaj aktakuze.

“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Prokurori i rastit, Naim Abazi tha se janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.

“Aktakuza përfshinë 45 persona që kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste e deri tek financimi dhe shpëlarja e parave. Ndër të akuzuarit kryesor është edhe Milan Radoiçiq si udhëheqës i grupit”, është shprehur Abazi.

Prokurori ka shtuar se janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe 1266 armë dhe pajisje të tjera dhe se kanë siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike.

“Gjatë këtij hetimi kemi hasur edhe në sfida duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar, vështirësisë në gjurmimin e fondeve të shpëlarjes së parave dhe përdorimin e teknologjikeve të avancuara për përfshirje në aktet kriminale nga ana e të akuzuarve”, ka deklaruar Abazi.

Abazi ka shtuar se gjatë fazës së hetimeve kanë realizuar sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme ku përfshihen prona, automjete të blinduara, para të gatshme dhe llogari bankare si dhe janë konfiskuar mbi 1266 armë dhe pajisje të tjera.

Kush janë të akuzuarit që ngarkohen bashkë me kreun e grupit kriminal Milan Radoiçiq?

Dispozitivi i parë i aktakuzës së PSRK-së ngarkon të akuzuarit: Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq dhe Vladan Iliq.

45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpërarja e parave”, sipas raportimeve nga Betimi për Drejtësi.

Sipas këtij dispozitivi, më 24 shtator 2023, nga ora 01:00, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i pandehuri Milan Radoiçiq, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, së bashku me pjesëmarrësit, në role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë.

Dosja tregon se edhe cili ka qenë qëllimi i tyre dhe i sulmit.

“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.

Ndryshe, në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.

Me ç’rast, sipas aktakuzës, tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti, e janë lënduar zyrtarë të tjerë policorë: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, sulmi ka vazhduar deri në orën 15:00 kur shumica dërmuese e këtij grupi janë arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Serbi, e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës.

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiq, që lexoi avokati i tij më 29.09.2024.

Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike, por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri, ndërsa vazhdon të jetojë atje.

Jo më larg së të dielën e fundit, më 08.09.2024, e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani tha në një intervistë në “Kallxo Përnime” se urdhri për këtë sulm është dhënë nga homologu i saj në Serbi, Aleksandar Vuçiq.

Ajo insistoi se ky sulm nuk duhet të quhet vetëm si sulm terrorist, por akt agresioni ndaj shtetit, shkruan Kallxo.com.

Që nga shtatori i 2023 e tutje, Policia e Kosovës në dhjetëra raste ka kryer aksione në lokacione të ndryshme në komunat veriore duke gjetur një arsenal armësh që u përdorën e pritej të përdoreshin në sulmin e Banjskës.

Armët, dyshohet se u futën në Kosovë nga rrugët ilegale, të cilat tashmë është njoftuar se veçse janë mbyllur në këto zona.

Plumbat e sekuestruar nga serbët e armatosur në veriun e Kosovës u prodhuan në Serbi vetëm vitin e kaluar, pra 2022, ndërsa predha mortajash dhe granatahedhës kaluan nëpër qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe në vitin 2018 dhe 2021.

Çështja e Banjskë vazhdon të mbesë temë diskutimi në shumicën e takimeve ndërkombëtare që mbahen e që diskutohet për raportet Kosovë-Serbi. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit