2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Me marrëveshjen për litiumin, sundimtari i fortë i Serbisë po anon kah Perëndimi

Më të lexuarat

Burimi: The Financial Times

Derisa bota me padurim priste të shihte nëse presidenti Joe Biden do të hiqte dorë nga kandidatura e vet, kancelari gjerman Olaf Scholz – pothuajse pa u vënë re – ishte në vizitë në Beograd. Takimi i tij i disa javëve më parë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq – i paparalajmëruar dhe i aranzhuar shpejt – megjithatë ishte mbresëlënës.

Shoqërues të Scholzit ishin drejtues të lartë nga Mercedes-i, Stellantis-i, kompania e minierave Rio Tinto dhe tre prodhues të baterive të automjeteve elektrike [EV] – për të mos përmendur Marosh Shefçoviqin, komisionerin e BE-së që është përgjegjës për strategjinë e lëndëve të para kritike dhe president i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim .

Bashkërisht e përshëndetën nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit midis BE-së dhe Serbisë, për të krijuar një partneritet për lëndët e para kritike dhe për krijimin e një zinxhiri të vlefshëm të prodhimit të baterive dhe EV-ve.

Në aspektin ekonomik dhe politik, është marrëveshje e madhe. Në hallakamën për furnizime të sigurta të lëndëve të para kritike, të nevojshme për tranzicionin e gjelbër, BE-ja ka çaluar prapa SHBA-së dhe Kinës. Serbia ka një nga depozitat më të mëdha të litiumit në Evropë, që është e mjaftueshme për rreth një milion bateri të EV-ve në vit.

Litiumi në Luginën e Jadarit të Serbisë, nuk është burimi i vetmi në Evropë, por, ndryshe nga kinezët dhe amerikanët, evropianët ose janë më të shqetësuar për ndikimin mjedisor të minierave në shkallë të gjerë ose janë nimbistë të përcaktuar [refuzojnë komplekset e tilla në vendet e veta], në varësi të qëndrimit që ju mund të kemi. Nëse nuk ka më shumë qasje në metalet si litiumi, BE-ja as nuk do të përmbush objektivat e saj për reduktimin e karbonit dhe as nuk do të vazhdojë hapin me konkurrentët që ka.

Scholzi pranoi të shkonte në Beograd, vetëm pasi Serbia anuloi vendimin e vitit 2022 të pezullimit të kontratës me Rio Tinto-n, për shfrytëzimin e litiumit që ndodhet pranë kufirit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Rinovimi i licencës së planifikimit të Rio Tinto-s, vjen dy muaj pasi Vuçiqi refuzoi kërkesën e presidentit të Kinës, Xi Jinping, për qasjen në këtë metal. “Kina tashmë ka mjaft”, citohet të ketë thënë Vuçiqi, duke bërë referencë për kontrollin kinez të një miniere të bakrit në Bor, në Serbinë lindore.

Kjo është një tjetër dëshmi se derisa Vuçiqi vazhdon të ketë marrëdhënie të ngushta politike me Kinën dhe me Rusinë, ekonominë e vet gjithnjë e më shumë po e integron me Evropën dhe me ShBA-në. Vendimi për Luginën e Jadarit vjen pas marrëveshjes së Serbisë për të blerë 12 aeroplanët Rafale nga Franca – në vend të MiG-ëve rusë – dhe pas informatës se Serbia është një prej furnizuesve kryesorë të municioneve të Ukrainës.

Disa kompani me ndikim të teknologjisë perëndimore, si MicrosoftSiemens dhe prodhuesi amerikan i kamionëve elektrikë Rivian, kanë bërë investime të mëdha në Beograd, duke u tërhequr nga fuqia e lirë dhe e kualifikuar punëtore.

Shumë vëzhgues e perceptojnë Serbinë si aleate të ngushtë të Rusisë dhe të presidentit Vladimir Putin. Megjithatë, Vuçiqi prej kohësh ka qenë hipokriti i Ballkanit, duke anuar si kah Lindja ashtu edhe kah Perëndimi. Me vendimin për litiumin, ai po rrezikon: po përballet me kundërshtime të ashpra ndaj tij nga tri grupe shumë të ndryshme.

Aktivistët e zellshëm mjedisorë të Serbisë, pretendojnë se projekti i Jadarit do të dëmtojë ekologjinë lokale. Ata kanë organizuar protesta në të gjithë Serbinë dhe flasin për dëmin e shkaktuar nga miniera e bakrit që udhëhiqet nga Kina. Rio Tinto dhe BE-ja pretendojnë se zhvillimi i Jadarit do t’i nënshtrohet standardeve më të rrepta mjedisore.

Florian Bieber, politolog i Universitetit të Gracit, paralajmëron se për të përfituar nga marrëveshja e litiumit, BE-ja mund të injorojë tendencat diktatoriale të Vuçiqit, duke përfshirë kontrollin e tij të rreptë të medias dhe praktikat e dyshimta elektorale.

Kësaj i shtohet politika më e gjerë e Ballkanit Perëndimor. Përkrahësit e Kosovës dhe të Bosnjës kanë akuzuar BE-në se nuk ka reaguar ndaj përpjekjeve të pretenduara të Serbisë për të minuar integritetin e tyre territorial – pretendim të cilin diplomatët evropianë e kanë kundërshtuar.

Por, politikat e Vuçiqit gjithashtu e kanë mërzitur Moskën. Pak para udhëtimit të Scholzit, Beogradin e vizitoi zëvendësministri i Jashtëm rus, Alexander Grushko. Takimi i tij me Vuçiqin, nga një pjesëmarrës u përshkrua si “i ftohtë”. Sipas këtij personi, “Grushko u ul dhe nisi të lexojë listën me 23 ankesa, duke përfshirë tërbimin e Kremlinit për vendimin e Beogradit për të furnizuar Ukrainën me municione. Kur Grushko arriti në gjysmë të listës, Vuçiqi u ngrit në këmbë, njoftoi se takimi kishte përfunduar dhe u largua”.

Vuçiqi është mjeshtër i rryer në politikën populiste. Por, kjo shkon më tej. Ai po rrezikon, por po ashtu edhe BE-ja. Nëse Rio Tinto mund të shfrytëzojë litiumin me dëme minimale në mjedis, shpërblimet janë të konsiderueshme. Por, dështimi do të gërryejë edhe kontrollin e hekurt të Vuçiqit mbi pushtetin në Serbi dhe do ta bëjë politikën e BE-së – për lëndët e para – të duket nëse jo e thyer, atëherë sigurisht e copëtuar. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit