-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Shanset e barabarta dhe pabarazitë ekonomike – Dorian Sevo

Më të lexuarat

Shanset e barabarta dhe pabarazitë ekonomike

Dorian Sevo

John Rawls na thotë se jeta e mirë e një shoqërie vjen vetëm kur shanset për të arritur diçka janë të barabarta dhe kjo mënyrë do na çonte drejt progresit të vërtetë në shoqëri.
Rawls shprehet se: “Në veçanti, le të supozojmë se pabarazitë themelore sociale dhe ekonomike konsistojnë në dallimet e perspektivave jetësore të qytetarëve (perspektivat e tyre përgjatë gjithë jetës), teksa në këto dallime ndikojnë gjëra të tilla si prejardhja klasore, dhuntitë natyrore, oportunitetet për arsimin dhe fati i mirë ose i keq në rrjedhën e jetës.” (John Rawls 2007).

Pra sipas Rawls-it pabarazitë ekonomike dhe sociale vijnë si pasojë e prejardhjes klasore sepse jo të gjithë ne vijmë nga familje të njohura ose, siç i njohim ndryshe, me reputacion, dhe kjo gjë për ata që vijnë nga një familje me reputacion është një avantazh në fushën e betejës jetësore, për të mbijetuar në shoqëri me dinjitet dhe shëndet.

Sipas Rawls-it, njerëzit që kanë prejardhje klasore më të mirë se disa të tjerë janë më të favorizuar në jetë dhe për këtë arsye e kanë zgjidhur problemin ekonomik sa për të jetuar me dinjitet. Por nëse shoqëria vazhdon e punon, e sillet në këtë mënyrë, lë pas dore personat që janë talente, por që nuk kanë prejardhje klasore të mirë apo favorizuese në terma rawlsianë dhe rrjedhimisht këta individë e humbasin duke mos i pasur shanset për të konkurruar me ta.

Por sipas Rawls-it në këtë betejë nuk humbin vetëm personalisht këta individë të talentuar, por edhe mbarë shoqëria, e cila, si pasojë e favorizimeve të njerëzve me pushtet, dëmton veten duke u ofruar shërbim pa cilësi vetes së saj për hir të interesave të një grupi njerëzish. Kjo duke pasur parasysh çdo lloj pune, private apo edhe në administratë shtetërore.

Një pabarazi tjetër, që është natyrore, pra jo e shkaktuar nga njerëzit, është edhe ajo që lidhet me dhuntitë natyrore. Ne dallojmë nga njëri-tjetri sepse natyra dikujt i ka dhënë një talent e dikujt jo, dhe kjo, sipas tij, është njëlloj pabarazie. Një lloj tjetër pabarazie, sipas tij, është edhe fati i mirë ose i keq në rrjedhën e jetës. Sepse dikush mund të sëmuret e dikush jo. Dikush mund të ketë probleme familjare e dikush jo, pra janë edhe disa disavantazhe që na i sjell fati ose jo.

Dy principe të drejtësisë

a) Çdo person ka të drejtën e patjetërsueshme për një sistem plotësisht adekuat lirish themelore të barabarta, i cili është i pajtueshëm me të njëjtin sistem lirish për të gjithë;
b) Pabarazitë sociale dhe ekonomike duhet të plotësojnë dy kushte: së pari, duhet të jenë të lidhura me pozita e pozicione të arritshme për të gjithë në kushtet e barazisë autentike të oportuniteteve; dhe, së dyti, duhet të sjellin maksimumin e përfitimit për pjesëtarët më të pafavorizuar të shoqërisë.” (John Rawls 2007).
Sipas Rawls-it përpara ligjit duhet të jenë të gjithë të barabartë dhe rrjedhimisht duke qenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, ne jemi edhe përpara mundësive që ekzistojnë në shoqëri. Nëse ligji është në të vërtetë i barabartë për të gjithë, kjo gjë u jep mundësinë të gjithëve të konkurrojnë në një botë e cila do të sillte më pas meritokracinë.

Ndërsa nëse ligji do të funksiononte si tek “Ferma e Kafshëve” e Orwellit, ku ai shprehej se: “Të gjithë janë të barabartë, por disa janë pak më të barabartë.” Kjo gjë, e cila tingëllon si një batutë e fortë dhe e gjetur filozofike, na jep në pasqyrim të plotë mënyrën se si funksionojnë shoqëritë jomeritokratike, por që pretendojnë fuqishëm se janë shoqëri që e zbatojnë ligjin dhe madje janë tërësisht të paanshëm me qytetarët e tyre në çdo situatë të jetës. Meritokracia nuk është gjë tjetër veçse përputhja e talentit të duhur me punën që duhet të bëjë në shoqëri. E kundërta është padrejtësi.

Pikëpamja tjetër e Rawlsit është edhe për të mirat publike më të mëdha të cilat duhet të organizohen nga shteti për të sjellë maksimumin më të madh të përfitimeve për pjesën më të pafavorizuar të shoqërisë, pra për pjesën më vulnerabël.
Po për pabarazitë sociale Rawls-i shprehimisht thotë se: “Për këtë qëllim, themi se barazia autentike e oportuniteve (shanseve) kërkon jo thjesht që pozitat publike dhe pozicionet sociale të jenë të arritshme në kuptimin formal, por të gjithë duhet të kenë akses për t’i arritur ato”(John Rawls 2007). Pra ai thekson se të gjithë duhet të kenë akses për t’i arritur postet publike. Pra jo thjesht në kuptimin formal, por që të gjithë të kenë realisht akses për t’i arritur.

Po marr si shembull punësimet në administratën publike, ku të gjithë janë të barabartë formalisht përpara ligjit për të konkurruar për një vend pune, por jo të gjithë mund të kenë akses të vërtetë për ta arritur atë vend pune, sepse ndërhyrjet e padrejta për vendin e punës prishin barazinë që duhet të ekzistojë përpara ligjit, dhe rrjedhimisht shpallet fitues interesi dhe prejardhja familjare.

“Për ta specifikuar idenë e shanseve reale, ne themi: duke supozuar që ekziston një shpërndarje dhuntish natyrore, ata që kanë të njëjtin nivel talentesh e aftësish dhe të njëjtin vullnet për t’i përdorur këto dhunti, duhet të kenë të njëjtat perspektiva për të qenë të suksesshëm, pavarësisht nga prejardhja e tyre klasore, nga klasa në të cilën kanë lindur, dhe për t’i zhvilluar ato deri në moshën e arsyes.”(John Rawls 2007).

Pra Rawls-i kërkon të thotë se në një grup njerëzish që janë një lloj të talentuar duhet të konkurrojnë të gjithë për një vend pune, por jo thjesht formalisht por të kenë akses real të gjithë njëlloj dhe të fitoj më i miri, përndryshe nuk ka kuptim që konkurrimi të kryhet dhe më pas të fitoj jo më i miri por ai që është përzgjedhur me anë të ndërhyrjeve.

Duhet të dimë që thelbi i lirisë dhe i demokracisë janë shanset e barabarta. Nëse shanset nuk janë të barabarta atëherë është krejt e kotë të hysh në garë dhe të shpresosh të fitosh në një kohë kur fituesi është përzgjedhur me njohje.

Të shpresosh në këto kushte, është e ngjashme me Tantalin i cili ndodhej në vende plot me fruta dhe mundësi të shumta por sapo dëshironte ti kapte, ato veniteshin dhe zhdukeshin.
Rawls-i këmbëngul që shanset duhet të jenë të barabarta pavarësisht se kush je dhe se nga vjen, përndryshe shoqëria, duke mos pasur shanse të barabarta për të arritur të mirat publike, ngelet në stanjacion ose edhe më keq në regresion. Kjo do të sillte mosfunksionimin e institucioneve të cilat do të ishin të mbushura me njerëz të paaftë të cilët nuk do të dinin t’i shërbenin në mënyrën e duhur shoqërisë ose e thënë ndryshe të keq shërbenin. Prandaj shanset e barabarta pa marrë parasysh prejardhjen klasore janë diçka tepër e rëndësishme për mirë funksionimin e shtetit dhe të shoqërisë rrjedhimisht.
Pra çdo njeri ka të drejtën të përfitojë nga talenti i tij dhe nuk duhet të penalizohet se nuk ka njohje për të arritur atë që ai do, duke u penguar nga padrejtësitë sociale të cilat e bëjnë drejtësinë të njëanshme.

Një pikë tjetër e rëndësishme për Rawls-in në këtë libër është edhe mundësia e barabartë për t’u arsimuar, pasi ai e sheh arsimimin si një të drejtë themelore shumë të rëndësishme për shoqërinë, pasi ai ndikon në zhvillimin e mëtejshëm të një shoqërie. Rawls shkruan: “Shoqëria duhet të vendosë gjithashtu, ndër të tjera, barazinë e oportuniteteve të arsimimit për të gjithë, pavarësisht nga të ardhurat familjare”(John Rawls 2007).

Për të barazia e oportuniteve për arsimim është shumë e rëndësishme, dhe shoqëria duhet të bëjë çmos që të gjithë qytetarët të kenë mundësi për një arsimim të mirë pavarësisht të ardhurave familjare, sepse kjo do të ishte një gjë në dobi të gjithë shoqërisë. Këta njerëz të arsimuar mirë do t’i shërbenin po kësaj shoqërie. Pra arsimi për Rawls-in është një gjë shumë e rëndësishme dhe ai këmbëngul shumë në këtë pikë.

Në pikëpamjen time kjo lidhet edhe me tarifat e universiteteve të cilat duhet të jenë të arritshme për çdo target-grup social, sepse arsimimi është një e drejtë bazë. Arsimimi bën qytetarin dhe rrjedhimisht arsimimi më i mirë do të na sillte qytetarë më të denjë.
E njëjta gjë vlen edhe për të drejtat politike, ku Rawls-i shprehimisht thotë:
“Vlera autentike e lirive politike u siguron qytetarëve me dhunti dhe motivim përafërsisht të njëjtë shanse pak a shumë të barabarta për të ndikuar në politikën e qeverisë dhe për të arritur pozicione me autoritet pavarësisht nga klasa e tyre ekonomike e sociale.” (John Rawls 2007).

Pra edhe në këtë pikë për të ndikuar në politikë shoqëria duhet t’u japë shanse të gjithëve për të patur akses pavarësisht se nga ç’klasë sociale apo ekonomike vijnë. Të gjithë duhet të kenë akses të njëjtë, pra nuk u duhet mohuar e drejta, më pas puna dhe talenti le ta bëjë diferencimin por nuk duhet t’ua mohojmë këtë të drejtë, thjeshtë sepse vijnë nga një klasë ekonomike dhe sociale e varfër.

Nëse ndjekim ketë linjë arsyetimi, pra duke vendosur në poste publike vetëm njerëz që vijnë nga klasa ekonomike dhe sociale te ngritura, por që nuk kanë talente dhe nuk punojnë për të qenë më të mirë në profesionet e tyre, në këtë mënyrë ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse dëmtojmë shoqërinë duke i dhënë shërbime më të dobëta. Kjo është arsyeja sipas Rawls-it që të gjithë duhet të jemi të barabartë përpara mundësive dhe më i talentuari le të fitojë dhe të ketë akses jo vetëm formal, por të vërtetë për të marrë atë që i takon në shoqëri duke konkurruar në një ambient të paanshëm dhe në këtë mënyrë nuk fiton vetëm ai, por e gjithë shoqëria e cila do ketë një shërbyes më të mirë.

Gjithsesi Rawls-i na shpjegon edhe sesi u prish ky rend i drejtë social duke u nisur sipas tij që nga pozicioni fillestar i shoqërisë ku realisht të gjithë ishim njëlloj të barabartë. Ai na e shpjegon në këtë libër se si u prish ky rend dhe përse.

Ai shkruan: “Edhe nëse gjendja fillestare mund të ketë qenë e drejtë dhe nëse kushtet e mëpasshme sociale mund të kenë qenë po ashtu të drejta për një farë kohe, rezultatet e akumuluara nga marrëveshjet e shumta të veçanta, të supozuara si të drejta, në të cilat kanë hyrë individët dhe shoqatat e ndryshme, do të mund t’i gërryenin, në një perspektivë të largët, kushtet e nevojshme paraprake të një marrëveshjeje të lirë e të paanshme. Sasi të mëdha pasurie dhe pronash mund të grumbullohen në duar të pakta dhe ky lloj përqendrimi do të gërryente, me gjasë, barazinë autentike të oportuniteteve, vlerën autentike të lirive politike, e kështu me radhë.” (John Rawls 2007)

Pra prej këtij pasazhi të Rawls-it kuptojmë se shumë marrëveshje që janë bërë në emër të së drejtës të ndodhura këto ndër kohë dhe vite kanë gërryer sistemin e vërtetë të së drejtës që ka qenë në gjendjen fillestare. Sepse duke vendosur një grup njerëzish se çfarë është e drejtë, ndër vite ata e kanë deformuar të drejtën e vërtetë dhe reale. Sepse ata kanë vendosur se çfarë është drejtë për ta dhe për xhepat e tyre dhe jo së çfarë është e drejtë për pjesën më të madhe dhe më vulnerabël të shoqërisë dhe për më tepër për ata që kanë më shumë nevojë për drejtësi.

Kohët e fundit ne kemi dëgjuar se si korporata të mëdha ndërhyjnë nëpërmjet lidhjeve të tyre që parlamenti të bëj ligje të cilat i favorizojnë ato dhe në këtë mënyrë padrejtësia e tyre mund të vazhdojë në mënyrë legale duke qenë se pas miratimit të ligjit ne parlament aktiviteti i tyre do të jetë i mbrojtur nga koraca ligjore dhe në këtë mënyrë do jenë të qetë të punojnë pa u shqetësuar sepse tashmë ligji e thotë një gjë të tillë. Dhe në këtë mënyrë pasurohen një grup njerëzish dhe pjesa tjetër e shoqërisë ngelet e varfër. Por kjo nuk është një drejtësi e paanshme sipas Rawl-sit.

Për të drejtësia si paanshmëri e ka fokusin e saj te pabarazitë në perspektivat jetësore pra në të ardhmen e qytetarëve duke pasur parasysh këtu të gjithë rrjedhën e jetës së tyre.
Pra, me pak fjalë, Rawlsi interesohet për të gjitha pabarazitë që kanë njerëzit që nga lindja e tyre dhe gjatë gjithë zhvillimit të jetës së tyre. Pra a ka pasur drejtësi në kurimin njëlloj në spital për një pasur apo politikan dhe një të varfëri. A ka pasur drejtësi dhe shanse të barabarta për fituar një vend pune si për një të varfër, ashtu edhe për një person që e quajmë me ndikim apo me njohje.

A janë të gjithë studentë njëlloj të barabartë në momentin që kanë mbaruar studimet për të zënë një vend pune dhe për të jetuar me dinjitet. Pra të ketë një konkurrim të drejtë dhe të paanshëm i cili t’i japë mundësi atij që është më miri të fitojë.

Pra sipas Rawlsit një shoqëri e drejtë dhe e begatë realizohet vetëm nëse të gjithë pjesëmarrësit e kësaj shoqërie kanë realisht shanse të barabarta, pra si një pistë vrapi ku të gjithë nisen njëlloj prej startit dhe më i shpejti fiton. Vetëm në këtë mënyrë duke e mbrojtur drejtësinë si paannësi tamam si një ekuilibër peshoreje, vetëm në këtë mënyrë një shoqëri mund të eci përpara. Përndryshe prishja e ekuilibrit të drejtësisë sociale i shërben vetëm një grupi të vogël njerëzish duke dëmtuar pjesën më të madhe të shoqërisë.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit