1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

BE-ja paralajmëron vendosjen e FRONTEX-it në Serbi

Më të lexuarat

Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) ka dhënë dritën e gjelbër për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Serbinë, e cila do të mundësojë vendosjen e patrullave nga Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare (FRONTEX) për kontrollin e kufijve, edhe brenda territorit të Serbisë në veprime të përbashkëta për kontrollimin e migrimit ilegal.

Serbia ndodhet në të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike”, e cila, pavarësisht rrethojave, kamerave të vëzhgimit dhe patrullave të përbashkëta kufitare, është rruga e dytë më aktive e migrantëve, sipas raporteve të FRONTEX-it.

BE-ja ka njoftuar se Këshilli e ka miratuar këtë vendim të enjten në Bruksel.

“Marrëveshja do t’u mundësoj BE-së dhe Serbisë që të organizojnë operacione të përbashkëta që do të përfshinin FRONTEX-in dhe gardën kufitare të Serbisë. Kjo, po ashtu, do të thotë se ekipet menaxhuese kufitare të FRONTEX-it mund të dislokohen në Serbi. Ato do t’i ndihmojnë Serbisë për të menaxhuar valët e migrimit, të veprojë kundër imigrimit të paligjshëm dhe të luftojë kundër krimeve tejkufitare”, thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së.

BE-ja edhe deri më tash ka pasur një marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë për këtë çështje, por ajo mundësonte veprimet e FRONTEX-it vetëm në kufijtë e vendeve të BE-së me Serbinë. Marrëveshja e re do të mundësojë vendosjen e FRONTEX-it brenda territorit të Serbisë.

FRONTEX është agjencia e BE-së përgjegjëse për zbatimin e menaxhimit të integruar evropian të kufijve, funksionimin efektiv të kontrollit kufitar në kufijtë e jashtëm të BE-së në koordinim me autoritetet kombëtare të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Shengenit (Islanda, Zvicra, Lihtenshtajni dhe Norvegjia).

Agjencia është përgjegjëse për menaxhimin e kufijve, sigurinë e brendshme brenda BE-së dhe menaxhimin e migracionit, duke përfshirë një politikë efektive të kthimit, duke ruajtur lëvizjen e lirë të personave brenda unionit dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore.

Bashkimi Evropian tashmë ka marrëveshje të tilla me disa vende fqinje, si me Moldavinë, Maqedoninë e VeriutMalin e Zi dhe Shqipërinë.

Për Bashkimin Evropian marrëveshjet me vendet fqinje për t’i mundësuar FRONTEX-it të veprojë në territorin e tyre, janë identifikuar si të domosdoshme për të penguar që ato të jenë rrugë transiti për imigrimin masiv ilegal për në vendet e BE-së.

E ashtuquajtura “Rrugë Ballkanike” që ndiqet nga migrantët, vazhdon të jetë shqetësuese për BE-në, e cila ka për qëllim që numri i imigrantëve ilegal që kalojnë përmes saj drejt BE-së, të zvogëlohet.

Për shkak të numrit të madh të imigrantëve ilegalë që kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor, Sllovenia ka suspenduar zbatimin e rregullave të Schengenit në kufirin me Kroacinë dhe ka vendosur kontrollet kufitare në atë pikë kalimi.

Pos bashkëpunimit me FRONTEX-in, BE-ja pret nga vendet e rajonit që t’i përshtaten dhe politikës së vizave të BE-së për qytetarët e vendeve të treta. Kjo ka për qëllim parandalimin e futjes me lehtësi të imigrantëve pa viza në ndonjë vend të Ballkanit Perëndimor dhe kalimin ilegal në vendet e BE-së, si në Kroaci apo Hungari.

BE-ja pret që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë në menaxhimin e përbashkët të imigrimit, pasi qytetarët e tyre gëzojnë mundësinë e lëvizjes pa viza në vendet e bllokut.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit