Pozita gjeografike
Republika e Maldiveve përbëhet nga disa ishuj koralë, që shtrihen në Oqeanin Indian, përkatësisht në një largësi 480 km në jugperëndim të Indisë, ose në një largësi rreth 671 km në jugperëndim të Srilankës. Ishujt koralë të Maldiveve përbëjnë një arkipelag që ka 1190 ishuj, të shpërndarë në një sipërfaqe ujore, që përfshin 90 000 km2. Trualli është pothuaj i rrafshët në të gjithë ishujt. Sipërfaqja e ishullit më të madh të vendit është rreth 13 km2 ; janë të banuar vetëm 198 ishuj, të tjerët janë kryesisht të pabanuar. Maldivet kanë një pozitë të veçantë gjeografike. Maldivet janë një shtet që nuk ka kufij tokësorë, sepse nga të katër anët rrethohet nga ujëra. Pika më e ulët në Maldive ndodhet në zona të brigjeve të Oqeanit Indian, dhe është në nivelin e detit, kurse ajo më e larta ndodhet në një zonë të paemërtuar në ishullin Wilingili, arrin lartësinë deri në 2.4 metra mbi nivelin e detit(2). Shumë shkëmbinj të njëpasnjëshëm që rrethojnë ishujt koralë të vendit, formojnë një mburojë, e cila ndihmon mbrojtjen e këtyre ishujve nga deti. Trualli është i mbuluar me barëra dhe me disa bimë tropikale. Aty rriten arra dhe disa pemë të tjera frutore(3). Bazuar në të dhënat e vitit 2010, Republika e Maldiveve ka gjithsej 5 aeroporte, prej të cilave 3 janë të asfaltuara dhe dy të paasfaltuara. Vendi ka edhe një numër të konsiderueshëm portesh detare; kryesori është porti Male(4). Shteti i Maldiveve ka një numër të konsiderueshëm institucioneve të larta arsimore. Prej universiteteve më të njohura janë:
Të dhëna statistikore(1) :
• Emri ndërkombëtar në anglisht: Maldives.
• Emri zyrtar: Republika e Maldiveve. • Sistemi i qeverisjes: Republikë.
• Sipërfaqja: 298 km².
• Numri i banorëve: 394.999 (korrik 2011).
• Dendësia: 1,012 (banorë në 1 km²).
• Feja: Myslimanë 100%. • Kryeqyteti: Malè (konsiderohet qyteti më i madh i vendit).
• Qytete të tjera: Farukolhufunadhoo, Hulhumeedhoo, Veymandhoo, Viligili, Gan, Maroshi, Mula etj..
• Grupet etnike: drafedë (në ishujt veriorë), arabë (në ishujt qendrorë), sinhalezë (në ishujt jugorë) dhe zezakë.
• Gjuhët kryesore: dhivehi (gjuhë zyrtare) dhe gjuha angleze.
• Njësia monetare: Maldivian Rufiyaa, (1.00 MVR = 0.051 EUR).
• Data e pavarësisë: 26 korrik 1965 (nga Britania).
• Festë kombëtare: 26 korrik 1965 (shpallja e pavarësisë)(1).
Universiteti Kombëtar i Maldiveve, Universiteti i Sri- Jayewardenepura, Kolegji i Arsimit të Lartë i Maldiveve, Kolegji Mandhu, Kolegji Vila, etj..(5)
Male: Si kryeqytet i Republikës së Maldiveve dhe qyteti më i madh i vendit, zë një sipërfaqe 1,77 km2 . Në këtë qytet jetojnë pothuajse një e treta e popullatës së vendit. Në Male është e përqendruar Qeveria e vendit, me të gjitha institucionet shtetërore. Ishujt e tjerë të vendit varen nga kryeqyteti në të gjitha aktivitetet financiare dhe në zhvillime të tjera administrative. Ndonëse ka një sipërfaqe të vogël tokësore, kryeqyteti Male është i veçantë dhe tërheqës, dhe u ngjet mjaft qyteteve të mëdha të shteteve të tjera, për shkak të pastërtisë, rendit të sistemuar në rrugët e qytetit, xhamive të shumta, tregjeve të ndryshme e të pasura, si dhe për panorama të bukura të qytetit. Ky qytet ka afërsisht 65.000 banorë, por me punonjësit e huaj dhe turistët, numri i tyre arrin deri në 100.000. Qyteti Male, që nga viti 1887 e deri në vitin 1965 ka qenë protektorat britanik, ndërsa kur vendi fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe, u bë kryeqyteti i shtetit të ri të pavarur të Maldiveve(6).
Historia e Maldiveve
Sipas vlerësimeve të historianëve, nga ngulimet e para në ishujt e Maldiveve konsiderohen popullsi budiste nga India dhe Sri-Lanka. Në bazë të studimeve krahasimore gjuhësore, pastaj të zakoneve dhe traditave të Maldiveve, dëshmohet se ardhja e parë e kolonistëve ishte ajo e dinastisë Al Dravidah nga krahina Kerala, në vitet 300 para erës sonë. Këto studime përcaktojnë se kolonialistët ishin peshkatarë, që, me anijet e tyre, vinin nga brigjet jugperëndimore të Indisë, gjegjësisht nga jugu i subkontinentit indian, si dhe nga brigjet perëndimore të Sri -Lankës. Populli garavarro konsiderohet nga kolonistët e parë në Maldive. Disa studime dëshmojnë po ashtu për mundësinë e ardhjes së disa prej emigrantëve të hershëm nga Azia Juglindore, në periudhën midis viteve 543 para erës sonë deri në 483 p.e.s.. Disa dëshmi të tjera historike tregojnë për ardhjen e arabëve dhe aziatikëve në Maldive, sidomos në ishujt koralë jugorë të Maldiveve, andej nga shekulli II miladi (pas erës sonë). Ishujt Maldive, nga arabët, të cilët zotëronin rrugët tregtare në Oqeanin Indian, ishin të njohura si “Ishujt Kapitalë”(7). Ishujt e Maldiveve gjatë periudhave të ndryshme të historisë kanë qenë në shënjestër të shteteve evropiane kolonialiste dhe të shteteve të tjera. Nga viti 1558 deri në vitin 1573 Maldivet u nënshtruan nga portugezët, kurse në vitin 1645, duke qenë si pjesë e Sri-Lankës, Maldivet u kolonializuan nga Holanda (deri në vitin 1796), sepse Sri-Lanka ishte nën qeverisjen e Holandës. Ndërkaq, në vitin 1887 ishujt e Maldiveve hynë nën protektoratin britanez, në kuadër të të cilit gëzonin autonomi, por si pjesë e Sri-Lankës deri në vitin 1948. Mandej, në vitin 1953 Ishujt e Maldiveve u bënë Republikë, në kuadër të Federatës Britaneze. Më vonë, në vitin 1965, vendi fitoi pavarësinë e vet të plotë dhe doli jashtë sferës së Federates Britaneze për t’u shpallur Republikë e pavarur(8).
Historia e përhapjes së Islamit në Maldive
Depërtimi i Fesë Islame për herë të parë në Ishujt e Maldiveve dëshmohet të ketë ndodhur në shekullin VI hixhri (XII miladi). Ky depërtim u realizua përmes iniciativës individuale të pedagogut mysliman Ebul Berekat Jusuf El Berberi, që vinte nga Magrebi (Afrika Veriore). Historinë e depërtimit të Fesë Islame në Maldive e tregon krijimtaria letrare popullore vendëse. Sipas saj, kur kishte arritur në Maldive, pedagogu i sipërpërmendur i kishte gjetur banorët e saj të zhytur tërësisht në besëtytni dhe në injorancë të thellë. Sipas tyre, banorëve u bëhej thirrje që të sakrifikonin çdo muaj një nga vajzat e tyre të bukura duke e hedhur në oqean, për të parandaluar (mbrojtur) mallkimet e njërit prej “shpirtrave të këqija” që rrethojnë ishujt e vendit. Pedagogu mysliman El Berberi kishte arritur t’i bindte banorët e Maldiveve për mosekzistimin e shpirtrave të këqija, duke qëndruar gjatë tërë natës duke lexuar Kur’an në vendin ku i sakrifikonin vajzat e tyre, dhe – nuk paskësh ndodhur asnjë mallkim, siç mendonin ata. Mandej mbreti i Malidiveve u bind për vlerën e madhe të Islamit, e përqafoi atë dhe veten e quajti Muhamed ibn Abdullah – siç quhej edhe Pejgamberi ynë i fundit – Muhamedi a.s.. Me atë rast, mbreti Muhamed kishte lëshuar menjëherë një dekret mbretëror, përmes të cilit u bënte thirrje të gjithë maldivianëve që të përqafonin Fenë Islame, dhe të gjithë i qenë përgjigjur ftesës së mbretit të tyre, dhe qenë rreshtuar në radhët e myslimanëve(9).Afërsisht po këtë ngjarje, për sa i përket hyrjes së Islamit në Maldive, e tregon edhe udhëpërshkruesi me famë në Botën Islame, siç e quajnë edhe “Prijësi i udhëpërshkruesve myslimanë” – Muhamed ibn Abdullah ibn Muhamed Et-tanxhi, i njohur me nofkën Ibn Betuta (703 – 779 h / 1304 – 1377 m), i cili në vitin 1345 m kishte vizituar Ishujt Maldive dhe aty kishte qëndruar si gjykatës i drejtësisë islame për një vit e gjysmë. Pa marrë parasysh rrëfimet e ndryshme të historianëve për hyrjen e Fesë Islame në Maldive, duhet theksuar fakti se paraardhësit tanë myslimanë kishin kontaktuar me popuj të tjerë dhe u kishin komunikuar atyre mesazhin e Fesë Islame, siç është rasti i pedagogut mysliman El Berberi, i cili përhapi denjësisht Islamin ndër banorët maldivianë pa derdhjen e gjakut, pa përdorur asnjë mjet dhune, pa lakmuar pasurinë apo tokën e të tjerëve dhe pa i imponuar askujt vlerat islame. Historia nuk e përmend Ebul Berekat Jusuf El Berberiun që të kishte kërkuar pushtet apo të kishte lakmuar poste a privilegje, që të kishte vrarë njerëz të pafajshëm ose të kishte bërë zhvendosjen e popullatës maldiviane, apo të kishte arabizuar popullin me dhunë a të kishte shkatërruar vendin ku pati arritur. El Berberi gjatë tërë jetës së tij i ishte përkushtuar predikimit dhe thirrjes islame në Maldive, ku edhe pati vdekur. El Berberi kishte gëzuar respekt të veçantë atje, për se banorët maldivianë do ta kujtonin me mall. Edhe varri i tij, sigurisht në shenjë respekti, vazhdon të ruhet që nga koha e vdekjes së tij, për të çmuar kontributin e tij dhënë banorëve vendës(10).
Klima
Ishujt e Maldiveve, për shkak të shtrirjes gjeografike në kuadër të klimës tropikale, karakterizohen për “klimë të nxehtë dhe me shi gjatë tërë vitit”. Klima në vend është e ndikuar nga erërat stinore verore, që vijnë nga qendra e Oqeanit Indian, si dhe nga erërat stinore dimërore, që vijnë nga Azia Qendrore. Kur kalojnë nëpër Ishujt e Maldiveve, këto erëra verore e dimërore vijnë të ngarkuara me avuj uji… Kjo klimë ka ndihmuar krijimin e një atmosfere shumë mahnitëse dhe shumë mbresëlënëse në tërë Ishujt e Maldiveve. Shirat e mëdha në vend derdhen kryesisht në mes muajve maj e tetor dhe të shoqëruara me erë. Ndërkaq, shirat e vogla bien nga nëntori deri në prill. Temperaturat nuk shënojnë shumë ndryshime, kryesisht janë mesatare gjatë gjithë vitit; ato sillen prej 26 gradësh (më të ulëtat) deri në 30 gradë celsius më të lartat(11).
Gjendja ekonomike
Peshkimi, që kontrollohet krejtësisht nga Qeveria e Maldiveve, konsideerohet shtylla kryesore e ekonomisë së vendit. Shitja e peshkut të tharë në Sri-Lanka është nga burimet kryesore të të ardhurave që mbushin buxhetin e shtetit. Gjithashtu turizmi luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Maldiveve, sepse nga turizmi llogaritet që krijohen rreth një e pesta e të ardhurave të vendit. Në ishullin Gan janë dy fabrika të mëdha të industrisë së rrobave, ku prodhohen këmisha dhe rroba të tjera të brendshme prej leshi. Eksportin kryesor të Maldiveve përbën mishi i peshkut. Ka edhe eksporte prodhimesh të tjera, sikur janë ato nga kokosi, kërmijtë e ujit dhe disa ushqime të përgatitura nga mishi i peshkut. Ndërkaq, orizi, sheqeri, gruri dhe disa prodhime industriale, konsiderohen nga importimet e vendit. Shtetet si India, Japonia, Singapori dhe Sri-Lanka llogariten prej vendeve kryesore, me të cilat kanë marrëdhëniet tregtare Maldivet. Mjetet që përdoren më së shumti për udhëtim të brendshëm, janë anijet e vogla me vela, ose edhe aeroplanët e vegjël për udhëtime prej një ishulli në tjetrin, kurse anijet me avull lundrojnë rregullisht midis kryeqytetit Male dhe Sri-Lankës.(12)
_______________
(1) Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, fq:. 144. Mektebetul Adab, 2007 m – 1428 h, Kajro. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame, f. 21. Logos-a, 2009, Shkup. Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f. 146, 147. Dasara, 2007, Tiranë.
(2) Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani; El Vexhiz fi Gjugrafia El Alem El Islami, f.178. Dar Alem El Kutub, 1997 , Rijad. Muhammed Atris; f.144.
(3) www.moqatel.com
(4) www.moqatel.com.
(5) ar.wikipedia.org
(6) ar.wikipedia.org/wiki.
(7) lalipost. almountadaalarabi.com
(8) Muhammed Atris; Ibid f. 145.
(9) www.akhbartaiba.com.
10) ikholane.vraiforum.com.
(11) www.startimes.com
(12) www.marefa.org
Mr. Samir B. Ahmeti