1.1 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

SHBA-ja thotë se Izraeli me gjasë e shkeli ligjin ndërkombëtar në Gazë duke përdorur armë amerikane

Më të lexuarat

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Izraeli me gjasë i ka përdorur armët amerikane në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar humanitar në disa raste gjatë luftës në Rripin e Gazës.

Derisa raporti ishte qortim i qartë për operacionet e Izraelit në Gazë, ai nuk theksoi përfundimisht se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) e kanë shkelur ligjin ndërkombëtar me luftën e tyre në enklavë.

Raporti, i cili u përpilua nga Departamenti amerikan i Shtetit, u publikua të premten vonë.

Në raport thuhet se hetimet rreth shkeljeve të mundshme janë duke vazhduar, por se deri tani SHBA-ja “nuk i ka të dhënat e plota për të vërtetuar” nëse armët amerikane “janë përdorur konkretisht” në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar humanitar.

Ky raport vlerësues vjen pas shtatë muajve sulmesh ajrore, luftimesh tokësore dhe kufizimesh në ndihma, që ua kanë marrë jetën gati 35.000 palestinezëve, kryesisht gra dhe fëmijë, në Gazë.

Ushtria izraelite e ka përvojën, teknologjinë dhe diturinë për t’i minimizuar dëmet ndaj civilëve, por “rezultatet në terren, përfshirë shkallën e lartë të viktimave civile, ngrenë pyetje të rëndësishme nëse IDF-ja po i përdor ato në mënyrë efikase në të gjitha rastet”, thuhet në raport.

Izraeli thotë se po i respekton ligjin ndërkombëtar dhe amerikan, dhe se i heton të gjitha dyshimet për shkelje të mundshme nga forcat e veta të sigurisë, dhe se lufta e tij në Gazë është në përputhje me kërcënimin që i bëhet vetë ekzistencës së Izraelit nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Izraeli e nisi luftën në Gazë pas një sulmi në jug të Izraelit më 7 tetor, i cili u udhëhoq nga Hamasi, ku u vranë rreth 1.200 njerëz. Dy e treta e palestinezëve të vrarë prej asaj kohe kanë qenë gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve lokalë palestinezë.

Zyrtarët amerikanë dhe të OKB-së kanë thënë se masat kufizuese që Izraeli i ka vendosur ndaj dërgesave të ndihmave humanitare në Gazë prej 7 tetorit, kanë shkaktuar uri absolute në veri të enklavës.

Ky raport u publikua dy ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i japin Izraelit armë për të kryer ofensivë në Rafah.

Por, një ditë më vonë të enjten, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se kërcënimi i Shteteve të Bashkuara për ta pezulluar furnizimin me disa armë, nuk do ta parandalojë Izraelin nga vazhdimi i luftës së tij në Rripin e Gazës, duke lënë të kuptohet se ai mund ta pushtojë qytetin e mbipopulluar Rafah.

Netanyahu tha se “nëse na duhet qëndrojmë të vetëm, do të qëndrojmë të vetëm. Nëse detyrohemi, ne do të luftojmë me thonjtë e gishtërinjve tanë. Por, ne kemi shumë më shumë se vetëm thonj”.

Izraeli vazhdimisht ka kërcënuar se do ta pushtojë Rafahun, ku rreth 1.3 milion palestinezë – mbi gjysma e popullsisë – kanë kërkuar strehim.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit