Sytë nga Moska pas disa sulmesh të fundit kibernetike
Udhëheqësit e BE-së dënuan një fushatë të vazhdueshme sulmesh hakerimi nga Rusia ndaj sistemeve brenda rrjeteve kompjuterike që u përkasin organizatave të ndryshme të Unionit.
Hakerët, të cilët mendohet se me siguri kanë mbështetjen e drejtpërdrejtë të Kremlinit, shfrytëzuan të metat në aplikacionin e mesazheve me e-mail të Microsoft Outlook (CVE-23397), i cili i lejoi ata të aksesonin të dhënat private të organizatave të energjisë dhe qeverisë së BE-së, si dhe të drejtuesve të tyre.
Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, fajësoi drejtpërdrejt Moskën për këto sulme.
“Hakerët rusë sulmojnë drejtpërdrejt sistemet kompjuterike në Gjermani. Kjo është e papranueshme,” tha Baerbock. Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Çekisë ka konfirmuar sulme të shumta hakerash ndaj institucioneve të saj, të cilat kanë vazhduar për gati një vit.
Ekspertët besojnë se grupi kryesor i hakerëve pas këtyre sulmeve është “Strontium”, anëtarët e të cilit janë ish-anëtarë të grupit shumë më të njohur “Fancy Bear”. Shumica e këtyre hakerëve janë të lidhur me shërbimin rus të inteligjencës GRU.
Agjencia amerikane e sigurisë kibernetike CISA e quan këtë grup “APT-28” (Kërcënimi i vazhdueshëm aktiv). Disa nga anëtarët e këtyre dy grupeve ruse të hakerëve janë edhe ish-anëtarë të “Departamentit 26165”, pjesë e shërbimit GRU që merret me sulmet kibernetike (luftë kibernetike).
FBI-ja amerikane gjithashtu ka paralajmëruar së fundmi për aktivitetet e hakerëve rusë të mbështetur nga Kremlini, si dhe për sulme të mëtejshme të mundshme ndaj sistemeve brenda SHBA-së dhe BE-së, si dhe vendeve aleate të tyre. /tesheshi.com/