Kriza e demokracisë – ligjore apo njerëzore?
Sebastian Zonja
Disa aspekte të krizës socio-politike
Që prej tri dekadash politikanët shqiptarë janë duke ndërtuar demokracinë në të njëjtën mënyrë siç ishte duke ndërtuar rrugën drejt socializmit diktatori Enver Hoxha. Por çfarë nuk shkon siç duhet kur shohim se populli e do demokracinë, ligjet bëhen sipas udhëzimeve që na japin aleatët ndërkombëtarë, politikanët s’e ndajnë demokracinë nga goja … por demokraci nuk kemi.
Ajo që vëmë re në Shqipëri është një krizë e përmasave të mëdha në lidhje me rendin politik dhe social. Të dyja bashkë e kanë reduktuar demokracinë në rokadë pushteti (PD apo PS) dhe pluralizëm politik (kemi edhe ne opozitë siç ka bota).
Kriza e rendit politik vjen në formën banale (pyetja më e shpeshtë që bëhet nga zyrtarët e lartë është “çfarë përfitoj unë?” Qeveritari ka privatizuar postin publik.
Kriza sociale është në përmasën etike të vetën. Teknologjia ka pushtuar çdo pore të lëkurës sonë, duke lënë pak vend për reflektim filozofik. Ngjan se jemi në një shtëpi të madhe që ka vetëm korridore, por s’ka dhoma.
Në aspektin filozofik, politika (në rastin tonë Demokracia) është e bashkëmatshme me moralin, thuajse e pandashme prej tij. Qenia njerëzore është e pajisur me moral, kafsha jo. Për antikët, politika ka të bëjë me zgjerim e polisit në drejtim të së mirës së përbashkët. Pikërisht qenia njerëzore e pajisur me moral dhe gjuhë arrin që të bëjë dallimin mes së mirës e së keqes, së drejtës dhe së padrejtës.
Duke qenë se ne e shprehim moralin me gjuhën që flasim, kuptojmë se gjuha në funksion të arsyes publike është cilësia e intelektualit. Sa pak arsye publike ka në ligjërimet e intelektualëve shqiptarë!!! Ndërkohë, gjuha në funksion të arsyes private është cilësia e burokratit. Të tillë ngjajnë intelektualët shqiptarë në shumicë, si burokratë partie.
Kriza morale shfaqet si paaftësi për të përcaktuar qëllimin e politikës, vlerat për t’u arritur apo ruajtur përmes veprimit politik.
Në veprën e tij “Politika” Aristoteli jep një gjykim interesant – “Nuk ka asgjë më të pabarabartë se trajtimi i barabartë i të pabarabartëve”. Arsyetimi politik, në një aspekt, për Aristotelin duhet të ngrihet mbi pyetjen se për çfarë ka barazi e për çfarë ka pabarazi (të barabartë përpara drejtësisë, pabarazi në talente, të barabartë përpara Zotit, pabarazi në të ardhura…)
Pse është e rëndësishme barazia për demokracinë?
Nën sovjetomarkzimin nuk kishte rëndësi e vërteta, barazia apo proletari, por themeli qëndronte te revolucioni. Aty ishin të gjitha përgjigjet. Në pamundësi për të themeluar një të vërtetë dhe barazi, pyetësimi se për çfarë ka barazi dhe pabarazi, nën atë sistem, u kthye me internim në Siberi. Qytetari humbi pyetjen, e më pas mundësinë që të habitet nga përgjigjet e ndryshme.
Ndërkohë, edhe nën liberalizmin amerikan nuk bëhet pyetja se për çfarë ka barazi apo pabarazi. Kjo ndodh sepse amerikanata është tretur në sociologji. Për çdo gjë ka vetëm statistika. Paksa marksiste. Gjithçka është çështje administrimi. Dikur ishte shteti me plane pesëvjeçare, sot janë korporatat me planet e tyre.
Njeriu nuk është njësia që sistemi mat veten, por njeriu është ingranazhi që duhet t’i përshtatet sistemit. Jo më të gjithë të barabartë me njëri-tjetrin, me ngjyrë apo pa ngjyrë, por të gjithë të barabartë përpara tregut.
A nuk është njësoj siç ishim të barabartë nën revolucionin proletar?
Barazia nën liberalizëm është njëjtë me atë nën komunizëm, sepse njëra ka marrë flamurin e lirisë, tjetra të revolucionit. Duket sikur s’ka koncept barazie përtej këtyre dy ideologjive, ndërkohë që virtyti për të trajtuar tjetrin si të barabartë me veten qëndron tej horizontit të liberalizmit, konservatorizmit apo socializmit.
A po ndërtojmë demokraci antikomuniste?
Një nga dramat ideologjike që na la komunizmi është antikomunizmi. Nën egjidën se komunizmi fliste për barazi, sot duhet të flasim vetëm për pabarazi. Nëse komunizmi fliste për mbrojtjen e atdheut, sot duhet të flasim vetëm për shitjen e tij. Nëse komunizmi thoshte gjithë populli ushtar, sot duhet të themi gjithë populli tregtar… Komunizmi dhe antikomunizmi ngjajnë pak si anë të së njëjtës medalje në këtë aspekt. Duke e reduktuar botën në marksizëm dhe antimarksizëm, humbasim larushinë e ngjyrave për të shquar dhe trajtuar shumë probleme të mprehta politike dhe kulturore të shoqërisë dhe shtetit.
Demokracia jonë mund të përkufizohet me paradoksin e Shqipërisë: vendi pakësohet në numër banorësh, por trafiku dhe boritë e makinave shtohen. Kjo ndodh kur kërkon që demokracinë ta ndërtosh si kopje dhe me kurse organizatash civile, si dikur kurset e partisë, ndërkohë që nuk ul kurrizin dhe të ndërtosh veten atutentike.
Do të duhet kohë e gjatë.
Përhapja e demokracisë varet nga legjitimiteti i idesë së demokracisë
Beteja për të sjellë në jetë idetë mbrujt fort identitetet politike të shumë vendeve. Për shembull, Shqipëria ka pasur të drejtë për votën e grave shumë përpara disa demokracive perëndimore, por kjo ishte thjesht në letër, jo një shtysë nga lëvizjet politike për të kërkuar të drejta. Andaj, lindja e demokracisë ka të bëjë shumë me përhapjen e ideve mbi barazinë dinjitare të qytetarëve.
Demokracia u bë edhe më e qëndrueshme në Perëndim pasi industrializimi krijoi në shoqëri klasën e mesme. Shoqëritë ku pjesa më e madhe e qytetarëve e cilësojnë veten klasë e mesme kanë demokraci më të qëndrueshme.
Klasa e mesme në vendin tonë është duke lënguar ngjashëm siç lëngon demokracia.
Meritokracia që qëndron në themel të demokracisë dhe kapitalizmit është një “shpikje” e shtresës së mesme për veten e saj. Një shtresë e mesme e fortë investon më shumë në arsim, sepse e di që arsimi është një nga kushtet kryesore për të krijuar meritokracinë. Që pas Revolucionit Industrial, shtresa e mesme filloi të krijojë idenë e meritokracisë për të hequr të drejtat që kishte aristokrati prej gjaku.
Shtresa e mesme ka interes të fortë për të promovuar mirëqeverisje dhe për ta bërë qeverinë të funksionojë mirë, sepse fati i tyre ekonomik është më i lidhur me cilësinë e qeverisjes. Klasa e mesme varet më shumë nga shërbimet publike. Individët me të ardhura të larta mund të heqin dorë më lehtë shërbimet publike, sepse ata mund të përdorin lehtësisht shërbime private që janë të padisponueshme për individë me të ardhura mesatare.
Ajo që konstatojmë në vendin tonë është tradhtia e trefishtë e publikut: nga qeveritarët, nga ligjet dhe nga intelektualët.
Populli është kthyer në një shënjues pa emër që i refuzohet e drejta e referendumit, analistët e darkës flasin në emër të tij për t’i marrë zërin dhimbjes, ndërsa politika harton ligje për të sunduar, jo qeverisur.
Referendumi si një hap fillestar për të rregulluar disa gjëra
Sapo fillon të thuash se qytetarët duhet të vendosin me referendum për shumë çështje që ata i konsiderojnë jetike, menjëherë ka një tabor që del dhe thotë se qytetarët nuk marrin vesh për shumë gjëra, ndaj është më mirë që të ketë vendime të centralizuara. Me vendim të centralizuar, njësoj si në komunizëm, janë prishur gjysma e monumenteve të kulturës.
Vendimet i kanë firmosur këta që dalin nëpër televizorë si arkitektë, urbanistë apo arkeologë. Qytetarët ndërkohë kanë qenë kundër.
Si ka mundësi që e di më mirë ky “arkeologu” në Tiranë se Veliera në Durrës është vlerë e shtuar, dhe ai durrsaku s’ka asnjë peshë në vendimmarrje kur ka kaq kohë që kujdeset për trashëgiminë e qytetit të tij?
Si ka mundësi që Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe ekspertët e Instituteve e dinë më mirë se duhet shembur Teatri Kombëtar për të ndërtuar kullë, se qytetarët e Tiranës që kanë dekada që jetojnë me Teatrin në qytet?
Ajo që kuptojmë është se një grup njerëzish kanë frikë nga demokracia. Kanë frikë se po të zgjerohet rrethi i vendimmarrjes do të mbeten pa pushtet dhe lekë. Ndaj nxjerrin gjithnjë në televizor propagandistët e vet për të treguar se një lider i fortë është shumë herë më mirë për ne. Këto janë thjesht reminishenca të regjimit të shkuar, ndërsa mendësia mbetet sovjetike por ligjërimet i bëjmë si demokratë.
Nuk mund të ndërtohet demokraci pa demokratë.
Burimi: Medius Communication Institute