Rihapja e Hagia Sophia-s, ndër kryefjalët e presidentit turk në tubimin kryesor zgjedhor
Tubimi kryesor parazgjedhor i AKP-së përpara zgjedhjeve komunale në Turqi u mbajt nga kandidati i partisë në pushtet për bashkinë e Stambollit, Murat Kurum. Në tubim folësi kryesor ishte presidenti Rexhep Tajip Erdogan, për të cilin rimarrja e Bashkisë së Stambollit nga opozita është qëllimi kryesor i zgjedhjeve të së dielës së ardhshme.
Presidenti turk, ndër të tjera, iu referua rënies së Kostandinopojës, ndërsa për rihapjen e Hagia Sophia-s si xhami, tha se ishte një ëndërr 80-vjeçare e realizuar.
“Profeti ynë parashikoi çlirimin e saj, duke thënë se Kostandinopoja do të çlirohet patjetër”.
Presidenti turk e përshkroi Stambollin si “Mollën e Kuqe”, të cilën themeluesi i Perandorisë Osmane, Osmani, ua la trashëgim fëmijëve të tij duke thënë “merre Stambollin, bëje një kopsht me trëndafila”. “Kjo është Kostandinopoja, e cila e bëri Mehmet Fatihun një nga sundimtarët më të mëdhenj që bota ka parë ndonjëherë si çlirues në moshën 21-vjeçare”, tha Erdogan, duke shtuar: “Kjo është Kostandinopoja, e cila është një thesar që është shndërruar në vepër arti sikur të ishte qëndisur nga Roma në Bizant, nga Perandoria Osmane në periudhën e Republikës”.
Erdogan vazhdoi duke iu referuar shndërrimit të Hagia Sophia në xhami: “Kemi përmbushur ëndrrën 80-vjeçare të kombit tonë dhe kemi rihapur Hagia Sophia-n për adhurim, lavdia i qoftë Allahut. Sot, sipas amanetit, ezani dëgjohet pesë herë në ditë nga minaret e xhamisë Hagia Sophia dhe kupolat e saj zbukurojnë hadithet, tekbiret, salavatet dhe leximet e Kuranit”.
Cumhurbaşkanımız @RTErdogan:
— Erdoğan Dijital Medya (@RTEdijital) March 24, 2024
“İstanbul bir yol ayrımında bulunuyor. Allah'ın izniyle 31 Mart'ta bu düğümü çözecek ve İstanbul'un Türkiye Yüzyılı yürüyüşünü başlatacağız.” pic.twitter.com/83yeAEib0w
Një slogan qendror i fushatës elektorale të Erdoganit në këto zgjedhje komunale është “Stambolli përsëri”. Rimarrja e Stambollit, si kryebashkiak i të cilit ai filloi ngritjen e tij meteorike në politikë, është bërë një objektiv kyç për Erdoganin në mënyrë që të përfundojë suksesin e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
Referuar kryetarit aktual Ekrem Imamoglu, Erdogan e akuzoi atë për paaftësi dhe duke pretenduar se pesë vitet e tij në detyrë nuk arritën asnjë rezultat dhe ishin humbje kohe. Siç tha ai, problemi i Stambollit nuk është mungesa e burimeve dhe aftësive, por mungesa e vizionit dhe kapacitetit.
Ai theksoi veçanërisht punën e tij kur ishte kryebashkiak i Stambollit nga viti 1994 deri në vitin 1998, por edhe më pas si kryeministër dhe president i vendit. /tesheshi.com/