Europol: Trafiku i drogës në BE, 31 miliardë euro në vit
Trafiku i drogës vlen më shumë se 31 miliardë euro në vit, sipas raportit të fundit të drogës të publikuar të enjten nga Europol dhe Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat (EMCDDA).
Sipas raportit, droga më e trafikuar brenda BE-së është kanabisi, me vlerë 12 miliardë euro në vit.
E dyta është kokaina me rreth 11.6 miliardë euro.
Ndikimi i tregtisë ndërkombëtare të drogës në jetën në vendet evropiane po bëhet më i fortë, paralajmëruan Europol dhe EMCCDA gjatë prezantimit të raportit.
Dhuna, korrupsioni dhe minimi i ligjit dhe demokracisë janë në rritje, tha në Hagë shefja e Europol, Catherine De Bolle.
“Rrjetet kriminale kanë infektuar thelbin e komuniteteve tona, duke u gërshetuar në strukturën e demokracisë dhe ekonomisë sonë. Ato gërryejnë besimin, inkurajojnë dhunën dhe krijojnë cikle varësie dhe varfërie”, shtoi ajo.
“Një përgjigje e kujdesshme dhe e unifikuar nevojitet për të mbrojtur qytetarët dhe shoqërinë tonë nga ndikimi i përhapur i këtij armiku të padukshëm. Duke përdorur Europolin, vendet anëtare të BE-së mund të bashkojnë burimet, të shkëmbejnë inteligjencën kriminale dhe të koordinojnë veprimet në luftën kundër shpërndarjes së paligjshme të drogës”, tha De Bolle.
Hetuesit kanë identifikuar rreth 800 grupe kriminale që kërcënojnë sigurinë e shteteve, tha De Bolle, duke shtuar se droga është një nga burimet kryesore të të ardhurave për krimin e organizuar.
Sipas raportit, Evropa është çelësi për prodhimin, furnizimin dhe trafikimin e drogës.
Ekspertët theksojnë se në Evropë ka një prodhim të madh kanabisi dhe drogash sintetike, si dhe sasi të mëdha kokaine të kontrabanduar nga Amerika Latine.
Ndërsa shumë më tepër kokainë është kapur në 10 vitet e fundit se më parë, ajo gjithashtu ka çuar në më shumë dhunë në disa qytete, thotë De Bolle. /tesheshi.com/