4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Komenti i Sures Ihlas

Më të lexuarat

Komenti i Sures İhlas

 

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirbërësit!

  1. Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!
  2. Allahu është absolut, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim.
  3. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur.
  4. Dhe askush nuk është i barabartë (i krahasueshëm) ne Atë.

Kjo sure e përbërë nga katër ajete është nga suret e para të shpallura. Emrin e merr nga tema për të cilën flet. Surja İhlas, ashtu si surja Fatiha ka disa emra. Emrat më të njohur janë “Ihlas” dhe “kul huallahu ehad”.

Emërtohet me emrin “Ihlas” për arsyen se shpjegon “Teuhidin”, që është baza e mirëfilltë e besimit në mënyrën më të përmbledhur.

Besimi dhe njësimi i Allahut xh.sh. nuk është shpjeguar kaq qartë në asnjë libër tjetër veç Kuranit dhe në asnjë fe tjetër veç Islamit. Allahu në këtë sure refuzon kategorikisht çdo lloj shirku (të bërit shok Allahut) ndaj Tij.

Kjo sure është emërtuar edhe me emrat si: “teuhid”,”shpëtim”, “lindje”, “njohje” etj. Është emërtuar me këto emra për arsyen se nëse përbërja e saj do të kuptohej e do të njihej saktë, atëherë do të njihej Allahu xh.sh.

Njihet edhe si “Surja Nur”, pasi Profeti a.s. ka thënë: “Çdo gjë e ka një dritë, ndërsa drita e Kuranit është surja ‘Kul huallahu ehad’”[1].

Koha e zbritjes

Në lidhje me çështjen se kjo sure ka zbritur në Mekë apo Medine, merren paralelisht dy hadithet që flasin për qëllimin e zbritjes së saj. Si përfundim dalin në pah dy mendime: disa komentues janë munduar të gjejnë rrugën e mesme dukë thënë se shpallja e kësaj sureje është përsëritur.

Qëllimi i Zbritjes

Ata të cilët thonë se kjo sure ka zbritur si përgjigje për mohuesit, transmetojnë këto argumente:

Transmetohet nga İkrima se një ditë mohuesit pyetën Profetin a.s.: “Na informo për Zotin Tënd, na përshkruaj veçoritë e Tij, çfarë është dhe pse është?” Allahu si përgjigje zbriti këtë sure deri në fund.

Ndërsa argumenti i atyre që thonë se kjo sure ka zbritur si përgjigje për hebrejtë është se një ditë një delegacion vjen te Profeti a.s. dhe e pyesin: “O Muhamed! Allahu krijoi çdo gjallesë, po Allahun kush e krijoi?” Pasi dëgjoi këtë pyetje, Profeti a.s. u mërzit shumë ndaj tyre që po pyesnin diçka të tillë në lidhje me Allahun. Kur tentoi t’i qortonte ata për pyetjen e bërë, erdhi Xhebraili dhe e qetësoi duke i thënë: “Mbështilli ata me krahët e butësisë”, pra bëhu i butë dhe i durueshëm o i Dërguari i Allahut. Allahu u dërgoi atyre përgjigje për çfarë pyetën.

Sipas mendimit të Raziut, surja Ihlas ka zbritur si përgjigje e pyetjeve të krishterëve.[2]

Koment:

  1. Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!

Këto fjalë i drejtohen në radhë të parë Profetit a.s. në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pastaj gjithë njerëzimit. Meqë urdhri është i prerë dhe i drejtpërdrejtë, tregon se ai duhet transmetuar te të tjerët në të njëjtën formë. Pra, të vërtetat që Allahu xh.sh. ka treguar në këtë sure janë padyshim fjalët e Allahut. Kështu që, ti o i Dërguari i Allahut, pa asnjë dyshim dhe me siguri të plotë nguliti fort në zemër, përsëriti shumë dhe transmetoji te të tjerët haptazi, që t’i njohin të gjithë.

Ai që meriton me të drejtë adhurimin është Allahu, një i vetëm dhe s’ka tjetër veç Tij. Fjala “Ehad” ka kuptimin një. Megjithëse përdoret dhe në kuptimin “Uahid”, midis dy atributeve ka një ndryshim të rëndësishëm. Fjala Uahid, ka kuptimin e përjashtimit dhe vjen në formën më të qartë të fjalës dhe ka kuptim numëror. Kështu që në brendësi të saj mund të këtë kuptimin e dobësisë. Ndërsa fjala Ehad, nuk pranon as copëzim e as barazi me diçka tjetër. Nuk pranon një të dytë që mund t’i afrohet sadopak, është një pamundësi e një të dyti dhe përjetësisht do të vazhdojë të jetë po ashtu. Pra, kur themi “Allahu është Një”, themi që Allahu me emrat, veçoritë dhe atributet e Tij është një, pa shok dhe i pazëvendësueshëm. Prandaj adhurimi i përket vetëm Atij dhe asgjëje tjetër. Pra në çdo formë dhe mënyrë Allahu është një dhe i vetëm, Ai është dhe do të jetë dhe me të nuk ka dhe s’do të ketë asgjë. Imam Ebu Hanife, në librin e tij el-Fikhul-Ekber, këtë çështje e përmbledh shkurtimisht kështu: “Allahu i madhëruar është një nga që nuk ka të njëjtë, të përngjashëm, shok e jo nga aspekti numerik.”

  1. Allahu është absolut, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim

Allahu është i plotfuqishmi dhe çdo gjë ka nevojë për mbështetjen e Tij. Me të vërtetë Ai është fuqia ku njeriu mund të mbështetet për çdo gjë. Në lidhje me kuptimin e atributit “Samed” transmetohet nga Ebu Hurejra se ka thënë: “Allahu nuk ka nevojë për askënd dhe çdo gjë është nevojtare për Të”[3].

  1. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur.

As nuk ka lindur ndonjërin e as nuk është i lindur nga dikush. Pra nuk ka lindur nga dikush tjetër ashtu si lindin gjallesat nga një nënë dhe nuk ka lindur askënd tjetër e të bëhët nënë. Ai s’ka fillim e mbarim dhe nuk është ndër qeniet e tjera që janë krijuar më vonë. Allahu nuk është as baba e nënë që lind dhe as fëmijë i lindur. Ajo krijesë që ka këto veçori jo vetëm që nuk mund të jetë Zot, por nuk mund ti jepet as një mundësi e vogël për këtë. Sepse ai që lind dikë do të ketë nëvojë për dikë tjetër dhe ai që lind nga dikush tjetër nuk mund të jetë i përjetshëm, por me një fillim dhe mbarim.

Ky ajet i kthen përgjigje dhe i kundërshton të gjithë hebrenjtë që thoshin: “Uzejri është biri i Allahut” (Teube, 9/30); të Krishterëvë që thoshin: “Mesihu është biri i Allahut” (Teube, 9/30); mohuesve të Mekës që thoshin: “Engjëjt janë vajzat e Allahut” (Nahl, 16/57).

Këtë Allahu e ka sqaruar edhe në një sure tjetër: “Ai është Krijuesi i qiejve dhe i tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë, ndërkohë që nuk ka bashkëshorte!? Ai ka krijuar çdo gjë dhe ka dijeni për çdo gjë.” (En’am,6/101)

 

  1. Dhe askush nuk është i barabartë (i krahasueshëm) ne Atë.

“Kufuv” ka kuptimin e të qenurit i barabartë në masë dhe vlerë dhe kjo kupton të pasurit shok dhe të ngjashmin me veten. Por që Allahut nuk mund t’i bëhet shok asnjë krijesë në çfarëdolloj veçorie dhe atributi.

Pra është e pamundur që Allahut të ketë rival, qenie e njëjtë, e kundërt, bashkëpunëtor apo kundërshtar në formë, veçori, atribute apo vepra të tij.

Disa hadithe në lidhje me virtytet e kësaj sureje

İ dërguari i Allahut ka thënë se leximi i sures İhlas është i barabartë me leximin e një të tretës së Kuranit: “A e ka ndonjëri nga ju të pamundur leximin e një të tretës së Kuranit brenda një nate?” Kjo u duk e vështirë për shokët e Profetit a.s. “Atëherë dijeni se leximi i sures İhlas është e barabartë me leximin e një të tretës së Kuranit.”[4]

Ndërsa në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut thotë: “Ai i cili lexon një herë suren İhlas, është shpërblyer nga Allahu njësoj sikur ka lexuar një të tretën e Kuranit, ai i cili lexon dy herë është shpërblyer nga Allahu njësoj sikur të ketë lexuar dy të tretën e Kuranit dhe ai i cili lexon tre herë është shpërblyer nga Allahu njësoj sikur të ketë lexuar gjithë Kuranin.”[5]

Lauren Luli

 

[1]Alusi, Ruhu’l-Meani, XXX, 266.

[2]Fahru’r-Razi, et-Tefsiru’l-Kebir, XXXII, 175.

[3]Alusi, Ruhu’l-Meani, XXX, 274.

[4]Buhari, Fedailu’l-Kur’an 13, Tevhit 1; Muslim, Musafirin 259, 261.

[5]Muslim, Musafirin 259.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit