3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

Më të lexuarat

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu,

I nderuari zëvendësReis i Malit të Zi, z. Omer Kajoshaj,

Të nderuar të pranishëm,

Vëllezër e motra!

Zoti i Madhërishëm në Kuranin fisnik thotë: “Pasha lapsin dhe atë që ata shkruajnë!” (El Kalem, 1). Muhamedi a.s., ka thënë: “Nuk falënderon Zotin ai i cili nuk i falënderon njerëzit.” Zoti xh.sh., në Kuranin famëlartë është betuar në shumë fenomene natyrore dhe në krijesa të Tij, si: diellin, hënën, natën, agimin, kohën, etj., për shkak të madhështisë, bukurisë dhe mjeshtërisë së tyre në krijim nga i Plotfuqishmi. Përveç këtyre betimeve, një betim është paksa më i veçantë, e ai është betimi në Lapsin dhe në atë që shkruajnë. Nga ky betim hyjnor, kuptojmë se Islami ka ngritur lart penën, që nënkupton dijen e cila ka vlerë mbi gjithçka. Lapsin e bëri mjet, kurse leximin çelës të diturisë dhe njohurisë. Prandaj, jo rastësisht, Zoti xh.sh. është betuar në lapsin ku thotë: “Pasha lapsin dhe atë që ata shkruajnë!” – (El Kalem, 1). Dhe jo rastësisht e zbriti ajetin e parë nga Kurani, me imperativin për lexim: “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijoi (gjithçka)” – (El Alek, 1). S’ka dyshim se përmes lapsit nënkuptohet ajo që shkruhet dhe shkrimin me të cilin është udhëzuar njeriu. Pena është mjeti i diturisë dhe me të mbushen enët e mendjeve dhe ruhen thesaret e kombeve. Libri në vete ngërthen në çfarëdo formë materializimin e një produkti mendor, i cili peshën e vet e fiton nga qëllimi, trajtesat dhe përmbajtja. Asnjëherë numri i faqeve nuk është përcaktues për vlerën që përmban libri, por vlera dhe qëllimi bazohen në brumin, i cili është gatuar në faqet mes kopertinave të librit. Duhet ta kemi parasysh se libri është mësuesi më i mirë, i cili na mëson, por edhe na qorton, pa na fyer, pa na lodhur dhe pa na bërë dëm. Zëri i librit në vazhdimësi iu falë zë dhe i motivon njerëzit në përpjekjen e vazhdueshme për të interpretuar, vlerësuar dhe shpjeguar gjithçka që gjendet brenda librit, ngase libri në vazhdimësi ka provokuar diskutime nga më të ndryshmet në raport me të gjitha temat brenda një shoqërie, qofshin ato etike, ideologjike, logjike apo fetare. Andaj edhe thënia e njohur se: “Një shtëpi pa libra është si një trup pa shpirt”, shtynë dhe motivon njerëzit që të pajisen me libra dhe t’i lexojnë ato, dhe shtëpitë e tyre, të mos i shohin si të pa shpirt në mungesë të librave. Procesi i shkrimit të një libri kërkon përcaktimin e llojit të duhur të përmbajtjes dhe zgjedhjen e temave të fokusuara në qëllimin e përpilimit të librit. Ai përmban pjesë teksti që rrotullohen rreth një ideje specifike nga njëra anë ose nga shumë anë. Libri përmban mendime e opinione që e ndihmojnë lexuesin të kuptojë, të mësojë ose të pajiset me njohuri të reja. Libri duhet të ketë një specifikë hulumtimi, informacioni dhe përgjegjësie në ofrimin e njohurive të sakta dhe të kapshme për lexuesin. Duke pasur parasysh se po flasim për promovimin e librave dhe jemi në një ambient promovues të librit, sikur para nesh, në mënyrë kronologjike, rifreskohen vështirësitë dhe sfidat, dhe këto vijnë të paraprira nga hapa të tillë, si dëshira për të shkruar, gjetja e idesë së të shkruarit për ta plotësuar dhe përfunduar librin etj.. E kuptoj nga përvoja ime modeste në shkrimin e librave, se çdo fazë ka vështirësi dhe ndoshta mund të thuhet se vështirësitë e bëjnë veprën më të bukur dhe mund të krijojnë në shpirtin e autorit një sfidë për t’i kapërcyer ato. Nga kjo që sot po e promovojmë, rezulton se vështirësitë u munden dhe tashmë jemi në fazën promovuese. Edhe këta tre tituj që po promovohen sot, përmbajnë në vete një informacion paraprak, pra janë libra për ata të cilët duan të lexojnë e analizojnë, ngase çdo njeri që do t’i lexojë mund ta gjejë veten brenda tyre për një analizë dhe kuptim, varësisht nga kahu i qasjes. Këta janë libra që i drejtohen audiencës shqiptare, e që në vete përmbajnë këto tematika të ndjeshme dhe pas një izolimi diktatorial që kemi pasur kur ishim të pushtuar. Unë mendoj se të shkruash një libër do të thotë të gjesh butonin shtypës, i cili shfaq para autorit të librit dimensionin dhe parametrat e busullës orientuese në mendjen e tij, para se libri të bie në orbitën e bebëzës së syrit, për ta kuptuar dhe përvetësuar nga përmbajtja e tij. Kjo ngase universi apo libri i natyrës – kozmosi është i hapur në vazhdimësi qysh prej krijimit nga Zoti xh.sh., të cilit, në të shumtën e rasteve i ka munguar leximi i bollshëm dhe përvetësimi i njohurive që përmban dhe thërret vetë kjo hapësirë apo ky kozmos, e të cilin pjesërisht edhe e vrojtojmë dhe e kuptojmë përmes syrit dhe mendjes sonë. Mund të them me përgjegjësi të plotë, përkundër kësaj, se ky libër i hapur apo ky kozmos, i cili qëndron para nesh në vazhdimësi është i hapur dhe i lexueshëm deri në një masë të caktuar, dhe se i tilli, në vazhdimësi provokon mendjen dhe thërret të interesuarit për ta lexuar dhe studiuar. Kjo thirrje apo kjo sfidë është e vazhdueshme, dhe me përgjegjësi them se ende jemi në faqen e parë të leximit të këtij libri.

Të nderuar të pranishëm,

Temat e shkencës së Akaidit, të trajtuara në librin e parë “Bazat e besimit” dhe librin tjetër “Shkenca e Ilmul Kelamit”, janë vetë baza mbi të cilën ngrihet apo ndërtohet Islami me mësimet e tij, të cilat kanë të bëjnë direkt me jetën e njeriut në këtë dhe botën tjetër. I shtyrë nga kjo, them këtu para jush se edhe këto tre libra që sot i kemi para vetes janë ndërtuar në këtë frymë të shtjellimit dhe shpjegimit, të përgjigjeve të shumta, të cilat e mundojnë dhe e shtynë njeriun në mendime të thella. Në fenë tonë islame, argumenti është baza mbi të cilën ngrihet vepra, andaj edhe shumë përgjigje janë argumentuar me ajetet nga Kurani e hadithet e Muhamedit a.s., dhe nga mendimet e shumta të kolosëve të mëdhenj, të cilët shtjelluan tema të ndryshme e të shumta, dhe të cilët na mundësuan që sa më mirë t’i kuptojmë problematikat me të cilat merret kjo shkencë. Në këta libra jam munduar të sjell në vëmendje të lexuesit edhe të drejtën e shpalosjes së mendimeve të mia personale, të cilat kanë të bëjnë me mësimet e kësaj shkence, duke ruajtur shenjtërinë e mësimeve islame dhe duke mbështetur fuqishëm e me guxim mendimin se, edhe ne shqiptarët mund t’ju qasemi këtyre tematikave tepër të ndjeshme që kanë të bëjnë me mësimet e Ilmul Kelamit dhe fesë sonë. Mendoj se tashmë, kuadrot tonë, me ato çështje që kanë të bëjnë me mësimet e Islamit te shqiptarët në raport me fushat e shkencave islame, duhet të jenë referencë të një mendimi unik e të përbashkët. Në këtë frymë është shkruar edhe libri tjetër që sot po e promovojmë “Ligjërime për fenë e atdheun”, e në të cilin paraqitet puna, aktivitetet, qëndrimet e mendimet e mia si prijës i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, përball sfidave me të cilat u ballafaqua populli i Kosovës, qofshin ato sfida fetare apo të natyrave të tjera. Nga këto mendime mund të mësojmë se zëri i Bashkësisë Islame është ngritur dhe është dëgjuar, se thënë thjesht, ne nuk jemi dëgjues pasiv karshi ngjarjeve me të cilat po ballafaqohet vendi ynë.

Të nderuar të pranishëm,

Njeriu nuk mund të njohë Qenien e Zotit xh.sh., por mund ta besoj Atë, derisa burimet e njohjes së njeriut janë shqisat, arsyeja dhe intuita, fuqia dhe aftësia e të cilave është e kufizuar, dhe për rrjedhojë, themi se është e pamundur që përmes gjërave të kufizuara të njihet Qenia e Zotit, e cila është e pa fillim dhe e pambarim, e përhershme dhe absolute, pra njohja nga diçka e kufizuar është njohje e kufizuar. Zoti na bëri me dije se te çdo popull ka dërguar pejgamberë për të thirrur për besim në Zotin Një, dhe me këtë mision ngarkoi edhe të gjithë të dërguarit në të gjithë librat e shpallur hyjnorë, për të shpjeguar atë dhe për t’ua bërë me dije popujve të ndryshëm për përgjegjësinë që mbajnë në rast refuzimi të fjalës së Zotit xh.sh.. Zoti xh.sh. thotë: “Adhuroni Zotin dhe largohuni nga (idhujt) tiranët.” – (En Nahl, 36). Duke pasur parasysh se Ilmul Kelami apo Akaidi – Besimi, është lënda që ka të bëjë thjesht me besimin dhe bindjen, për këtë e mban edhe këtë emër, e i cili është i lidhur me zemrën, nyjën e besimit në Zotin Një dhe kushtet e besimit të fesë sonë islame. Njëherësh, Akaidi apo Ilmul Kelami është edhe baza apo themeli i dijeve të tjera, andaj edhe si e tillë, kjo fushë studimi është e veçantë dhe nuk mund lehtë t’i besohet çdokujt që të merret me këtë fushë studimi, ngase ka të bëjë me besimin në Zotin xh.sh., Qenien e Tij, cilësitë dhe të gjitha argumentet që flasin dhe e vërtetojnë besimin e drejtë në Zotin Një dhe Njëshmërinë e Tij. Me këtë fushë studimi dhe me këtë problematikë, pothuajse menjëherë pas vdekjes së Muhamedit a.s., u morën dijetarë të shumtë, ngase lindën rrethana, shkaqe dhe para shkaqe, mosmarrëveshje dhe kontradikta të shumta në mesin e myslimanëve, të cilat i shtynë dijetarët islamë të merren me mësimet e kësaj shkence, në mënyrë që të mbrojnë dhe qartësojnë mënyrën e drejtë të besimit dhe shtjellimit të problematikave, të cilat kanë të bëjnë me besimin islam. Atëherë ishte më se e nevojshme që dijetarët të merren me këto problematika. Të shtyrë nga kjo klimë e krijuar brenda shoqërisë islame, formohet edhe shkenca e Akaidit apo Ilmul Kelamit, me qëllimin më të mirë, atë të mbrojtjes së mësimeve islame dhe shpjegimit të tyre në mënyrë të drejtë. Unë kam bindjen e thellë se pas Muhamedit a.s., të Dërguarit të fundit prej Zotit xh.sh., të cilit iu shpall Kurani, ku edhe mbyllen dyert e shpalljes, ne, pas tij e deri më sot, kemi dijetarin më të madh të të gjitha kohërave, Imam Adhamin Ebu Hanife, i cili është marrë edhe me çështje të Ilmul Kelamit, duke i mbrojtur mësimet e pastra islame nga shpifjet dhe devijimet e qëllimshme të grupeve dhe fraksione të ndryshme. Ai mbetet i pazëvendësueshëm brenda shoqërisë islame, dhe i cili dha një kontribut të pa shembull në mbrojtjen dhe shpjegimin e drejtë të mësimeve të Kuranit dhe hadithit të Muhamedit a.s.. Është e ditur se Ebu Hanife është marrë shumë edhe me mësimet e shkencës së Ilmul Kelamit, dhe nisur nga kjo, mendimet e Imam Ebu Hanifes janë kryefjala e këtyre librave që sot po i promovojmë këtu para kësaj audience të mrekullueshme. Për të ndjekur më vonë mësimet dhe rrugën e tij, tre dijetarët më të mëdhenj të kësaj fushe që njihen edhe si themeluesit e Ilmul Kelamit Synij janë: Imam Maturidiu, Eshariu dhe Tahaviu, Zoti i pastë mëshiruar! Këta dijetarë edhe sot e kësaj dite gëzojnë një autoritet të madh në mesin e myslimanëve, pavarësisht drejtimit juridik që i takojnë. Qysh nga koha e mëvetësimit të kësaj dije, të kësaj shkence si një disiplinë në vete, janë shfaqur shumë drejtime, grupacione, fraksione apo shkolla, ndërmjet të cilave është zhvilluar një dialog i madh, ku janë ballafaquar mendime të shumta e të ndryshme të kësaj fushe. Çështja rreth kësaj dije evoluoi në mënyrë të tillë, saqë shpesh, brenda grupacioneve të tilla gjejmë edhe ekstremizma të tillë dhe mendime të çuditshme, e të cilat mund të bëhen edhe shkak i largimit nga mësimet e drejta islame, ose përzierje e mësimeve të kësaj shkence me mësime të cilat nuk janë të kësaj fushe. Kjo argumenton më së miri mosdijen e bollshme mbi të vërtetën e kësaj shkence të Ilmul Kelamit, njëherësh mund të jetë edhe fryt i imitimit të verbër dhe pjesë e fanatizmit të skajshëm, të cilat i shoqëron një paragjykim jo i drejtë. Kjo na shtynë të mbajmë një debat të vazhdueshëm, të ekuilibruar dhe të shëndoshë rreth mësimeve të kësaj shkence, si dhe shkencave të tjera, sepse ky është obligim për besimtarët dhe nuk kanë arsye t’i largohen apo frikohen debatit, ngase janë të aftë dhe të përgatitur për ta zhvilluar atë, duke larguar nga shoqëritë myslimane bindje të devijuara, të cilat nuk kanë të bëjnë me mësimet e Islamit dhe shkojnë në mënyrë direkte kundër vetë besimtarit dhe shoqërisë, por edhe kundër rendit e ligjit të shtetit. Siç po shihet, duhet pasur kujdes se nga kush po marrim dije, kush po na servon mësimet islame, e në veçanti në fushën e besimit – Akaidit, ngase disa nga këto grupe të cilat gjenden edhe në Kosovë, si nga Lindja ashtu edhe Perëndimi, brenda mbulesës humanitare, fshehin edhe ide të rrezikshme, të cilat shtyjnë në përçarjen e vëllezërve mes vete dhe krijojnë frymë mosbesimi e urrejtjeje mes shoqërisë së vendit tonë. Të keqes duhet t’i dalim para, dhe libri mund të jetë bazë e mirë e luftimit të së keqes edhe brenda shoqërisë sonë, duke nxjerrë në pah të vërtetën, dhe duke e dalluar atë nga e keqja dhe e pavërteta, ngase e kemi obligim ta përkrahim të vërtetën e ta luftojmë të keqen. E kemi obligim ta luftojmë të keqen, qoftë e ardhur nga jomyslimanët, nga një mysliman apo grup myslimanësh, por edhe atëherë kur e shtrembëta mund të vjen nga të vetëquajturit dijetarë apo pseudo-dijetarë islamë, e të cilët nuk kanë shtjelluar si dhe sa duhet bërthamën apo brumin e problematikave të shkencës së Kelamit. Këtu i fus edhe të gjithë ata pseudo-intelektualë islamë, të cilët pretendojnë se i përkasin Ehli Synetit, dhe të cilët mendojnë se janë shpëtimtarët dhe udhëzuesit në rrugën e drejtë të këtij ymeti. Nga kjo fuqizohemi edhe më shumë që të merremi me mësimet e shkencës së Ilmul Kelamit, dhe assesi nuk pranojmë idenë se Ilmul Kelami është shkencë e shpikur nga të huajt brenda Islamit. Është e vërtetë se edhe më brenda shoqërisë islame kemi tendenca, mund të them retrograde, të cilët mendojnë se besimi islam është i vetëmjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për interpretim dhe mbrojtje nga doktrinat e huaja. Për disa, të mbështetur në paragjykime dhe fanatizëm, e mendojnë se marrja me doktrinën e Ilmul Kelamit është blasfemi dhe renegatje, ngase Kelami bashkë me Filozofinë janë shkenca të huaja, vërtet një mendim i tillë është i mjerë i kohës dhe injorancë e mesjetës. Është problem i madh të notosh në ujëra të thella pa ditur not, siç është tepër e rrezikshme përballja me mësimet e Ilmul Kelamit – Akaidit apo apologjetikës islame, pa pasur njohuri të bollshme paraprake për mësimet e kësaj shkence dhe për Islamin në përgjithësi. Por edhe përpjekja e disa pseudo-dijetarëve islamë për ta bazuar mendimin islam vetëm mbi themele filozofike është një përpjekje tinëzare e radhës e tyre, me qëllim të vendosjes së arsyes mbi shpalljen hyjnore, por Islami nuk ka nevojë për sintezë me asnjë sistem njerëzor, me asnjë kohë, me asnjë rrymë dhe me asnjë besim tjetër. Të nderuar të pranishëm, Jam i vetëdijshëm se i vetëm nuk do të arrija asgjë, përkrahja e shokëve të mi, pa dallim, përkrahja nga xhemati, besimtarët mbarë, më shtyri që unë të mos pushojë të ballafaqohem me sfidat të cilat i sjell jeta, bashkë ia dolëm, i arritëm objektivat në masë të madhe, duke pranuar edhe dobësitë dhe lëshimet e mundshme. Ruajtëm unitetin, vëllazërinë, punuam së bashku, ndikuam në ruajtjen dhe forcimin e shtetit tonë përkundër sulmeve të padrejta nga qarqe e individë që herë-herë padrejtësisht vinin në adresën tonë. Luftuam bashkërisht të këqijat që rëndojnë këtë popull, luftuam edhe ekstremizmin, radikalizmin, por edhe islamofobinë, e cila fatkeqësisht kohëve të fundit është në rritje në Kosovë, dhe është në përkrahje të vazhdueshme nga qarqe e lëvizje të ndryshme nga brenda dhe jashtë Kosovës. Ne duhet të punojmë edhe më shumë, që përmes takimeve, ligjëratave, minbereve, tryezave shkencore, sesioneve, simpoziumeve, konferencave dhe kongreseve, të afrohemi edhe më shumë te populli ynë, të jemi gjithherë me popullin, t’i ruajmë dhe t’i respektojmë sikur edhe deri tash besimet brenda kombit tonë, dhe mbi të gjitha ta ruajmë vatanin tonë nga çdo e keqe e mundshme.

Të nderuar të pranishëm,

Librat të cilët po i promovojmë sot, ju kushtohen prindërve të mi, me të cilët edhe pse nuk jetova gjatë, ngase vdiqën relativisht të rinj (Zoti i pastë mëshiruar!), por ishte e mjaftueshme që ata, në zemrën e shpirtin tim ta frymëzojnë dhe mbjellin ndjenjën, farën e dashurisë për fenë dhe vatanin, mësime këto të cilat vazhdimisht më pëshpëritnin në shpirtin dhe qenien time. Këto frymëzime prindërore më shtynë që t’i qasem kësaj rruge pa hezituar në asnjë moment, në mënyrë që amanetin e tyre ta çoj në vend. Libri “Ligjërime për fenë e atdheun”, shpërfaq pikërisht porosinë dhe amanetin e marrë nga prindërit e mi. Andaj i falënderoj për këtë ndjenjë dashurie që në zemrën dhe shpirtin tim mbollën për fe e atdhe, ngase ata ishin burim frymëzimi dhe inspirimi për mua, ishin vendstrehimi më i sigurt në sytë e mi. Me këtë rast, më lejoni që të falënderoj edhe të gjithë ata që më ndihmuan për arritjen e librave në këtë fazë që po i shohim sot. Falënderoj sot këtu para jush drejtorin për Kulturë dhe Botime, Ramadan ef. Shkodra, redaktorin Sabri ef. Bajgora, recensentët, dr. Zija Abdullahu, mr. Muharrem Tërnava, dr. Bahri Hoxha, redaktorin gjuhësor, mr. Besnik Jaha, korrektoren, zonjën e nderuar, Mimoza Sinani, dizajnerin, Bashkim ef. Mehani, përgatitësin kompjuterik, Nuhi ef. Simnica, dhe të gjithë të tjerët që më ndihmuan që këta libra ta shohin dritën. Sonte këtu para jush falënderoj edhe familjen time, e cila më qëndroi gjithherë afër, më përkrahu dhe motivoi për punë, por nuk mund e të mos e veçoi njeriun i cili gjithherë qëndroi afër meje, më krijoi kushte dhe ambient të përshtatshëm që sa më lehtë të merrem me shkrimin edhe të këtyre librave. I nisur nga thënia e Muhamedit a.s., të cilën e citova në fillim: “Nuk falënderon Zotin ai i cili nuk falënderon njerëzit”, unë para jush, vëllezër e motra, dëshiroj të falënderoj këtë person të veçantë për mua, duke e lutur Zotin xh.sh., që t’i falë shëndet dhe ta gradojë me të mirat e Tij të pakufishme, e ajo është bashkëshortja ime, të cilës para jush, i them faleminderit! Ju faleminderit!

Myftiu Naim ef. Tërnava Prishtinë, më 21 dhjetor 2023

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit