0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Presidenti Erdoğan njofton shpalljen e 3 ditëve të zisë në Türkiye për dëshmorët palestinezë

Më të lexuarat

“Si Türkiye, ndiejmë në zemrat tona dhimbjen e madhe të përjetuar nga vëllezërit dhe motrat tona palestineze”, ka thënë Erdoğan

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi se në vendin e tij janë shpallur tri ditë zie kombëtare për dëshmorët palestinezë të rënë nga sulmet e fundit izraelite, transmeton Anadolu.

“Si Türkiye, ndiejmë në zemrat tona dhimbjen e madhe të përjetuar nga vëllezërit dhe motrat tona palestineze. Si kërkesë e respektit tonë për mijëra dëshmorë, shumica e të cilëve janë fëmijë dhe civilë të pafajshëm, në vendin tonë janë shpallur tri ditë zie kombëtare”, shkroi Erdoğan në llogarinë e tij në median sociale.

Në postimin e tij, Erdoğan ka shpërndarë edhe vendimin e shpallur në Gazetën Zyrtare, në të cilin thuhet:

“Për të ndarë dhimbjen me popullin palestinez, për shkak të humbjes së jetëve dhe plagosjes si pasojë e sulmeve të kryera nga Izraeli kundër civilëve dhe së fundi në një spital më 17 tetor 2023, është vendosur të shpallen tri ditë zie kombëtare dhe që në gjithë vendin tonë dhe përfaqësitë e jashtme, deri në perëndimin e diellit më 21 tetor 2023, ditë e shtunë, flamujt të ulen në gjysmështizë”.

Të paktën 471 njerëz u vranë dhe 342 të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza të martën vonë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Izraeli, megjithatë, ka mohuar përgjegjësinë për sulmin ajror.

Gaza aktualisht po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.

Konflikti në rajon filloi më 7 tetor kur Hamasi filloi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime që përfshinte një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi ka thënë se inkursioni ishte në hakmarrje për bastisjet në Xhaminë Al-Aksa dhe dhunën në rritje të kolonëve izraelitë.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” në Rripin e Gazës.

Shefi i OKB-së Antonio Guterres ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet epike njerëzore”.

Të paktën 3.478 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa shifra qëndron në më shumë se 1.400 njerëz në Izrael.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit