Vizita e presidentes te i vetmi vend sllav joortodoks në Ballkan
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nis këtë të martë, me ftesë të presidentit kroat, Zoran Milanoviç, për një vizitë zyrtare dyditore në Kroaci.
Në ditën e parë të vizitës ajo do të bisedojë veçmas në Zagreb me Milanoviç, kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç dhe kryetarin e Parlamentit kroat Gordan Jandrokoviç.
Milanoviç dhe Osmani do të diskutojnë për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, situatën politike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, ngjarjet aktuale në veri të Kosovës, si dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore.
Në deklaratë theksohet se Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen për dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Milanoviç vazhdimisht u ka bërë thirrje publikisht anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë. Kujtohet gjithashtu se Milanoviç së fundi në një fjalim në Kombet e Bashkuara theksoi se Kroacia “avokon njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për të ekzistuar si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve”.
Presidentja e Kosovës gjatë qëndrimit në Kroaci do të takohet edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar, ndërsa përveç Zagrebit do të vizitojë edhe Karllovacin dhe Rijekën.
Duhet kujtuar se Kroacia është zëri më i fortë ballkanik në mbrojtje të Kosovës, pa asnjë fërkim historik me faktorin shqiptar në Ballkan.
I vetmi vend sllav joortodoks në rajon, Krocia ka po aq fërkime historike me Serbinë porsi Kosova. /tesheshi.com/