Lim Soo-suk tha se Seuli planifikon të diskutojë me OKB-në dhe “kombet e tjera mike” masat e reagimit nëse një marrëveshje e mundshme bashkëpunimi ushtarak midis Moskës dhe Phenianit përbën një kërcënim serioz për Korenë e Jugut
Koreja e Jugut ka paralajmëruar se çdo marrëveshje e mundshme armësh midis Phenianit dhe Moskës do të shkelte rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu.
Ky reagim vjen një ditë pasi në Rusi u takuan lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un dhe presidenti rus, Vladimir Putin.
Siç raporton agjencia e lajmeve Yonhap, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Koresë së Jugut, Lim Soo-suk, tha se Seuli planifikon të diskutojë me OKB-në dhe “kombet e tjera mike” masat e reagimit nëse një marrëveshje e mundshme bashkëpunimi ushtarak midis Moskës dhe Phenianit përbën një kërcënim serioz për Korenë e Jugut.
“Nëse ka veprime që shkelin në mënyrë të hapur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë tonë, ne do të paralajmërojmë fuqishëm kundër tyre dhe do të shqyrtojmë masat e reagimit”, tha Lim.
Ai shtoi se bashkëpunimi ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut do të kishte një “ndikim shumë negativ” në marrëdhëniet midis Seulit dhe Moskës.
Dje, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ai pati një “shkëmbim të sinqertë pikëpamjesh” me liderin e Koresë së Veriut dhe se të dy vendet kanë mundësi për ta zhvilluar bashkëpunimin ushtarak, pavarësisht sanksioneve të OKB-së.
“Ka disa kufizimeve. Rusia i respekton të gjitha këto kufizime. Por ka gjëra për të cilat mund të flasim. Dhe këtu, gjithashtu, ka perspektiva. Sipas rregullave aktuale, ne gjithashtu kemi mundësi, të cilat i shohim dhe i diskutojmë”, tha Putin pas takimit me Kim, i cili të martën mbërriti në Rusi për një vizitë dy-ditore.