Zoti e ka krijuar njeriun dhe ka vendosur në të nevojat, instinktet, ndjenjat dhe disa aftësi të lindura, të cilat pavarësisht kohës dhe vendit janë të pandryshueshme në thelb. Pra thelbi i njeriut nuk ndryshon, sepse ai lind me të, ndërkohë që ndryshimet që i ndodhin atij në kohë dhe hapësirë vijnë nga mjedisi i jashtëm, dhe jo nga gjendja fillestare e lindur e tij, me të cilën e ka krijuar Allahu. Duke qenë se njerëzit nuk ndryshojnë në thelbin e tyre të lindur, atëherë edhe feja për të cilën kanë nevojë njerëzit, nuk ndryshon në thelbin e parimeve dhe normave të saj.
Pikërisht për të konfirmuar këto dy thelbe të pandryshueshme, Allahu thotë në Kuran: “Përkushtohu me gjithë qenien tënde në fenë e drejtë, natyrën e pastër fillestare (fitreh), në të cilën Allahu i krijoi njerëzit. Nuk ka tjetërsim në krijimin e Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (er-Rum: 30)
Pikërisht mbi këto dy premisa, të lidhura me njëra-tjetrën, bazohet edhe qëndrueshmëria doktrinare e muslimanëve për të mos e ndryshuar besimin dhe normat e tyre fetare: njeriu në thelb është po ai që ka qenë, sepse pavarësisht çdo gjëje, ai lind në natyrën që e ka krijuar Zoti ndaj dhe nuk ka asnjë arsye dhe nevojë që feja të ndryshojë në parimet dhe normat e saj.
Si njeriu dhe feja kanë të njëjtin burim nga vijnë, që është Krijuesi i Lartësuar. Nëse Ai do ta kishte ndryshuar thelbin e qenies njerëzore në nevojat, ndjenjat dhe aftësitë e tij, atëherë po Ai do ta kishte ndryshuar edhe fenë për t’iu përgjigjur këtij ndryshimi. Fakti që krijimi i Tij nuk ka ndryshuar dhe as nuk ndryshon do të thotë se as feja, në këtë rast Islami, nuk ndryshon dhe s’ka arsye të ndryshojë, sepse i përgjigjet më së miri të njëjtës nevojë të pandryshueshme të njerëzve për fenë.
Atëherë lind pyetja të gjitha: po këto transformime që ka pësuar shoqëria njerëzore nëpër shekuj, sidomos në epokën e modernitetit, çfarë janë?
Të gjitha këto ndryshime janë të jashtme dhe prekin formën, por edhe përmbajtjen e jetës së njeriut, por nuk kanë ardhur nga ndryshimi i thelbit të lindur e të krijuar të njeriut, por nga ndryshimi i bindjeve dhe praktikave të tij nga ndikimi i jashtëm.
Jeta e njeriut përbëhet nga dy elementë thelbësor: nga ai që ka lidhje me bindjet dhe pikëpamjet e tij, dhe ai nga që ka lidhje me formën dhe strukturën, që i përgjigjet pikërisht këtyre bindjeve dhe pikëpamjeve të njeriut. P.sh. muslimani parimin më të lartë dhe më madhor të fesë së tij ka teuhidin (njëshmërinë e Zotit), të cilin ai e konkretizon përmes besimit dhe adhurimit të vetëm një Zoti, që është Krijuesi i vetëm i botës. P.sh. falja (namazi) është adhurimi më i madh në Islam dhe ka formën dhe strukturën e saj. E gjitha në tërësinë e saj është një akt dhe praktikë që konfirmon teuhidin. Po kështu janë edhe adhurimet dhe normat e tjera, ato konfirmojnë dhe pasqyrojnë teuhidin dhe parimet e tjera bazë të Islamit. Ndaj dhe forma nuk është e pavarur nga përmbajtja, por buron prej saj dhe e konfirmon atë.
Kjo gjë nuk vlen vetëm për Islamin si fe, por për të gjitha fetë, besimet dhe pikëpamjet njerëzore. Që me fjalë të tjera do të thotë se fetë dhe ideologjitë e ndryshme kanë thelbin, përmbajtjen, praktikat dhe format e ushtrimit të tyre, të cilat konfirmojnë pikërisht bindjet dhe thelbin e tyre. P.sh. fetë lindore si hinduzimi apo budizmi dhe taoizmi, duke besuar në rimishërim të vazhdueshëm ciklik dhe nevojën për të ndërprerë këtë qerthull rilindjesh deri në bashkimin përfundimtar me ekzistencën universale, praktikojnë forma të ndryshme meditimi dhe jogash, praktika këto të cilat konfirmojnë pikërisht këtë besim dhe bindje.
Po e njëjta gjë vlen edhe për ideologjitë si marksizmi, liberalizmi, fashizmi, nacionalizmi, feminizmi etj. të gjitha kanë pikëpamjet dhe praktikat e normat e tyre, të cilat konfirmojnë pikërisht thelbin dhe përmbajtjen e këtyre ideologjive.
Nga kjo e vërtetë mund të themi se format e jashtme dhe praktikat kulturore të popujve dhe shoqërive të ndryshme nuk janë aq neutrale, sa mund të besojnë një pjesë, por janë pjesë e bindjeve dhe besimeve të tyre. Sigurisht të gjithë njerëzit, pa përjashtim, kanë edhe bindje të përbashkëta, ndaj dhe kanë praktika të njëjta apo të ngjashme mes tyre, gjë e cila është e vetëkuptueshme dhe lidhet në thelb me natyrën e tyre të lindur dhe të pandryshueshme, që është e njëjtë për të gjithë.
Në historinë e njerëzimit kanë ndodhur shumë ndryshime, por nëse i referohemi përmasave dhe thelbit të ndryshimeve, këtë histori mund ta ndajmë në dy epoka: në atë tradicionale dhe moderne. Në epokën e shoqërive tradicionale përfshihet e gjithë historia e njerëzimit, që nga fillimet e tij, ndërsa pjesa tjetër është epoka moderne që sigurisht nuk erdhi në një ditë dhe nuk ndahet me thikë nga ajo tradicionale, por që i ka fillimet e saj, sipas shumë studiuesve, diku para katër shekujsh dhe që ka kulmuar në shekullin e XX.
Shoqëritë tradicionale, pavarësisht nga dallimet që kanë pasur mes tyre, në thelb të referencës ku ata bazonin pikëpamjet e tyre mbi jetën dhe botën ishte feja dhe besimi i tyre religjioz. Sigurisht për shkak të dallimeve fetare që ato kishin mes tyre edhe kulturat dhe praktikat e tyre ishin të ndryshme. Ndërsa në epokën moderne njerëzit nuk i referohen më fesë dhe besimit religjioz apo vetëm atij, të cilin dikur e konsideronin si të shenjtë dhe të ardhur nga lart, por tashmë i referohen vetes së tyre, arsyes dhe dëshirave të tyre, duke përjashtuar kështu tërësisht apo më së shumti pikëpamjen religjioze mbi jetën dhe botën.
Dallimi pra mes dy epokave, mes shoqërive tradicionale dhe atyre moderne, në thelb nuk qëndron vetëm tek përdorimi i makinave dhe teknologjisë së avancuar moderne, por tek botëvështrimet shumë të ndryshme që ato kanë për njeriu, jetën, botën dhe fenë.
Duke qenë se njeriu në thelb nuk ndryshon, siç e përmendëm më sipër, atëherë ky ndryshim i pikëpamjeve dhe praktikave të tij në epokën moderne rezulton të jetë një ndryshim tepër i madh që nuk i përgjigjet natyrës së tij të lindur. Nëse Islami i përgjigjet natyrës së lindur njerëzore dhe besimet e tjera fetare pjesërisht, në varësi të largësisë dhe afërsisë së tyre me natyrën e lindur (fitreh), modernizmi është shumë herë më larg dhe i ndryshëm nga kjo natyrë e lindur. Si i tillë format dhe strukturat që ai ka stisur konfirmojnë dhe kontribuojnë pikërisht në këtë ndryshim thelbësor, duke krijuar për pasojë një hendek tepër të madh mes natyrës së lindur njerëzore që ka krijuar Zoti dhe asaj me të cilën njeriut të sotëm i duhet të rritet dhe jetojë. Për rrjedhojë edhe një hendek kulturor dhe mendor shumë të madh mes shoqërive tradicionale dhe atyre moderne. Pra dallimi i një njeriu që dikur përdorte dorën dhe homologu i tij sot makinerinë, nuk qëndron vetëm tek ky aspekt i jashtëm, por tek ajo që besonte secili mbi botën dhe jetën dhe qëllimet e tyre më madhore në jetë.
Përmendëm më sipër se shoqëritë tradicionale ishin të ndryshme mes tyre dhe kishin dallime të rëndësishme, pikërisht për shkak të besimeve të ndryshme fetare që ato kishin dhe pamundësisë për të dominuar vetëm njëra kulturë botërisht, ndërsa shoqëritë moderne janë shumë më tepër të ngjashme, pavarësisht gjuhës dhe kulturës që ato trashëgojnë nga e shkuara e tyre, dhe kjo për vetë faktin sepse modernizmi lindi dhe u përhap si projekt, me thelbin, përmbajtjen dhe format e strukturat e tij, nga i njëjti burim gjeografik si dhe për shkak të mjeteve të teknologjisë që ai përdori, duke e bërë atë të përbotshëm dhe imponuar atë.
Këto dy karakteristika, pra dallimi i madh që ka modernizmi me natyrën njerëzore dhe përhapja e përbotshme e tij, e bëjnë atë tagutin apo terrenin nga ku rritet taguti më i rrezikshëm dhe më i madh i kohës sonë.
Nëse shoqëritë moderne dhe ato post-moderne në themel të tyre e përjashtojnë besimin fetar si referencë parësore të ndërtimit të jetës shoqërore apo edhe individuale, atëherë pafesia e tyre është kërcënimi më i madh që i ka ndodhur fesë, në përgjithësi, në historinë e saj, që nis me vetë njerëzimin. T’i largosh njerëzit nga feja dhe Zoti, duke i nxjerrë në plan të dytë apo tërësisht jashtë jetës së njerëzve, është kufri (pafesia) dhe shirku (idhujtaria) më i madh që rrezikon fenë në përgjithësi dhe Islamin në veçanti.
Nga ky kufr dhe shirk nuk janë prekur vetëm ata që nuk besojnë, por gjurmët e tij i gjejmë thellësisht edhe tek besimtarët, të cilët të rritur dhe edukuar në këtë rend pafesie dhe idhujtarie, nuk janë shpesh në gjendje të dallojnë as mes thelbit idhujtar dhe formave që e mbështesin këtë rend dhe atyre që janë neutrale dhe nuk përjashtojnë asnjë njeri dhe nuk prekin besimin e tij.
Përball këtij realiteti mbizotërues të përbotshëm muslimanët kanë obligimin madhor të mbartin mesazhin e teuhidit për njerëzit, dhe shpalosja e teuhidit islam kërkon domosdoshmërisht njohjen dhe zhvlerësimin e këtij kufri dhe shirku dominant. Ashtu siç i Dërguari i Allahut përmes shpalljes iu mësoi njerëzve se çfarë ishte teuhidi dhe çfarë i përkiste shirkut, po ashtu edhe trashëgimtarët e tij sot, që janë njerëzit e ditur të fesë, i duhet t’iu mësojnë dhe sqarojnë njerëzve, duke u mbështetur përsëri tek shpallja, teuhidin dhe shirkun, ku ky i fundit nuk ka ndryshuar në thelb, por në formë dhe përmbajtje dhe është pothuajse i panjohur dhe i paqartë nga shumica e njerëzve.
Allahu thotë në Kuran: “Kështu i sqarojmë Ne argumentet, në mënyrë që të dalë
në shesh rruga e keqbërësve.” (el-Enam: 55)
Referimi tek shpallja, Kurani dhe Suneti, për të shpjeguar teuhidin dhe shirkun është thelbësor dhe parësor, ndërkohë që për ta zbritur dhe zbatuar në terrenin e sotëm të anormalitetit modern, ku shirku dhe kufri më i përhapur ka ndryshuar formë dhe përmbajtje, por jo thelb, kërkon domosdoshmërisht njohjen e detajuar të tij, ashtu siç Profeti e njihte atë në kohën e tij. Ajo që kërkohet nga njerëzit e ditur të fesë është pikërisht të kuptojnë dhe shohin thelbin e këtij shirku dhe kufrit modern, përtej formës dhe trajtave të tij të jashtme, dhe ku është vendi i munguar i teuhidit në këto raste.
Sigurisht që ky është një mision i vështirë, dhe nuk i takon dhe as mund ta marrin përsipër çdokush, ndaj atyre që iu takon dhe e kanë aftësinë dhe mundësinë dhe detyrimin, iu drejtohen këto fjalë. Ky është një farz kifaje që duhet të përmbushet vetëm nga njerëz të tillë.
Hoxhë Justinian Topulli