-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Mirënjohësi (Esh Shekuru), Pjesa I

Më të lexuarat

Emri që do të trajtojmë në këtë temë është një emër që të nxit ambicie. Është një emër që të shton gjallërinë, aktivitetin dhe vullnetin. Ky emër është i tillë që, nga një dembel të plogësht, të kthen në një person që pranon të sakrifikosh gjithçka. Ky emër të shton dëshirën për t’u falur dhe për të adhuruar Zotin e Madhërishëm sa më shumë. Ky është emri i bukur i Zotit, Esh-Shekur (Mirënjohësi). Ky emër përmendet shpesh në Kur’an: “Që Ai (Allahu) t’ju plotësojë shpërblimin e tyre dhe do t’ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është Mëkatfalës dhe shumë Mirënjohës.”[1]

Tema e sotme do të sillet rreth katër pikave:

1 – Kuptimi i këtij emri.

2 – Lidhjet që ka ai me emra të tjerë që përmenden së bashku me të në Kur’an.

3 – Emri Esh-Shekur dhe Xhenneti.

4 – Obligimet dhe ndikimi që lë ky emër në jetën tonë.

1 – Kuptimin e këtij emri. Çfarë do të thotë të jesh mirënjohës?

Që të jesh mirënjohës (në arabisht) do të thotë që ta shpërblesh dikë, që të ka bërë mirë, më shumë.

Arabët, fjalën “shekur” e përdorin për tokën, e cila, me pak punime dhe shpenzime, të jep prodhim të shumtë.

Esh-Shekur është Ai që të falënderon për atë të mirë që veprove dhe për këtë të shpërblen shumëfish në këtë botë dhe në botën tjetrën.

Që të falënderosh dikë, duhet të të ketë ofruar diçka, sado e vogël qoftë ajo. Ky emër na thotë që të ofrojmë çfarëdo dhe sado e vogël qoftë, me qëllim që Zoti i Madhërishëm të jetë Mirënjohës dhe të na shpërblejë shumë.

Emri Esh-Shekur përbëhet nga dy pjesë: e para, sado pak që të ofrosh dhe e dyta, shpërblehesh më shumë se ajo që ofrove. Një ajet në Kur’an, i përmbledh këto dy pjesë: ”Kush bën ndonjë të mirë, Ne ia shumëfishojmë të mirat; vërtet, All-llahu falë mëkatet, është Mirënjohës…”[2]

Sado e vogël që të jetë një vepër e mirë, Zoti do të jetë Mirënjohës. Për një buzëqeshje ndaj njerëzve, Ai të falënderon. Nëse puth dorën e nënës, do të falënderojë. Një gur po e lëvize nga rruga, do të falënderojë dhe do ta gjesh në peshoren e punëve të mira Ditën e Kijametit.

Pasi ta përfundosh leximin e kësaj teme, provoje të jetosh me ndjenjën që për çdo vepër, sado e vogël qoftë, do të falënderohesh nga vetë All-llahu i Madhërishëm.

Le të përmendim disa hadithe, të cilat tregojnë sa të rëndësishme janë veprat e mira, sado të vogla qofshin ato.

Profeti (a.s) ka thënë:  ”Ruajuni prej zjarrit, qoftë edhe me një gjysmë hurmë.”  Zoti i Madhërishëm të shpëton nga zjarri i Xhehenemit, qoftë edhe me një gjysmë hurme kur e jep për të ndihmuar dikë. Nëse kjo ndodh me një gjysmë hurme, po sikur të shpëtosh një familje nga uria?

“Mos shpërfillni asgjë të mirë, sado e vogël qoftë. Kjo, edhe nëse takohesh me vëllanë me fytyrë të buzëqeshur.” Një buzëqeshje mund të jetë shkaku i shpëtimit tënd, prandaj kurrë mos e përbuz atë.

Profeti (a.s) i tha një herë shokëve të tij: “Kush ushqen një agjërues, është shpëtuar nga zjarri i Xhehenemit.” Shokët e tij e pyetën: ”O i Dërguari i Zotit! Jo të gjithë ne kemi mundësi të ushqejmë një agjërues. Profeti (a.s) ua ktheu: ”Zoti ia jep këtë shpërblim kujtdo që ushqen një agjërues, qoftë edhe me një gotë qumësht ose ujë.”

Profeti (a.s) tregon në një hadith rreth një burri që udhëtonte në shkretëtirë. Ai gjeti një pus me ujë, zbriti dhe piu. Kur doli, pa një qen që dukej se ishte i etur. Ai tha me vete: “Ky qen qenka i etur për ujë, ashtu siç isha edhe unë.” Më pas zbriti përsëri në pus, mbushi këpucën me ujë dhe i dha qenit të pijë. Zoti i Madhërishëm e falënderoi për këtë dhe ia fali gjynahet. Për shkak se i dha të pijë ujë një qeni, Zoti i Madhërishëm e falënderoi dhe ia fali gjynahet. A e imagjinon dot shpërblimin tënd, o vëlla, që ke miliarda lekë dhe ndihmon me to të varfërit?

Profeti (a.s) ka thënë:  ”Një i ri që i shërben një të moshuari në nevojë, Zoti do të caktojë dikë që ta ndihmojë atë kur të plaket.” Nëse do t’i lirosh vendin në autobus një të moshuari, nuk do të vdesësh pa të falënderuar Zoti i Madhërishëm dhe pa caktuar një të ri që të shërbejë edhe ty kur të plakesh. Asnjë gjë e mirë nuk humbet. Madje, Zoti i Madhërishëm të falënderon dhe tregohet Mirënjohës edhe për qëllimin tënd të mirë. Profeti (a.s) ka thënë:  ”Kjo botë është për katër persona: Njëri është ai që Zoti i ka dhënë dije dhe pasuri, të cilën ai e shpenzon në rrugë të Zotit. I dyti është një njeri që Zoti i ka dhënë dije, por nuk i ka dhënë pasuri. Ai thotë: ”Nëse do të kisha pasuri, do e jepja siç e jep edhe filani.” Të dy këta shpërblehen njëlloj.”

Nëse thua: ”Po të isha milioner, do të ndihmoja filan familje, do të ndërtoja filan projekt bamirësie…” është njëlloj sikur t’i kishe këto para dhe t’i shpenzoje vërtet.

Kur Ummu Seleme (r.a)  arriti ta marrë djalin e saj të vetëm nga familja e burrit, të dy u nisën menjëherë për në Medine. Meqenëse nuk kishin kafshë për udhëtim, u nisën në këmbë për të përshkruar një rrugë prej 400 km. Uthman bin Talha që ishte jomusliman, kishte qenë jashtë Mekes dhe po kthehej. Në rrugë ai takon Ummu Selemen dhe djalin e saj. Kur i shikon vetëm dhe në këmbë i pyet i habitur: ”Për ku kështu, o Ummu Seleme?” – “Jam nisur të shkoj në Medine, për të ruajtur fenë time prej jush.” – i thotë ajo. – “Po përse vetëm dhe pa mjet udhëtimi?”- e pyet ai përsëri. – “Ngaqë nuk kishim as mjet udhëtimi dhe as ndonjë që të na shoqëronte.” – i përgjigjet Ummu Seleme. – “Për Zotin, – u thotë, – nuk do të pranoj të shkoni vetëm dhe në këmbë, prandaj hipni në devenë time!”

Megjithëse ishte jomusliman, i shoqëroi deri në Medine, duke ecur vetë në këmbë dhe duke e mbajtur devenë për freri. Kur arritën atje, u tha: ”Kjo është Medineja, unë po kthehem në Meke.” Tregon Ummu Seleme: ”Kur arritëm në Medine thashtë me vete: “Patjetër që Zoti do jetë Mirënjohës për këtë vepër dhe nuk do t’ia harrojë.” Kur udhëtonim rrugës, – tregon ajo, – nuk më ka parë kurrë në fytyrë dhe nuk më ka folur, derisa arritëm në Medine”

Më pas Uthmani pranoi Islamin. Shokët e Profetit  thanë: ”Nuk dimë ndonjë shkak tjetër që u bë musliman veç asaj të mire.”

Fillo me punë të mira, o vëlla dhe o motër, sado të vogla qofshin ato dhe të jesh i sigurtë se Zoti i Madhërishëm do të jetë Mirënjohës.

Ebu Sufjani dhe Ebu Xhehli ishin armiqtë më të egër të Profetit (a.s) për njëzet vite rresht. Ebu Xhehli vdiq si jobesimtar, ndërsa Ebu Sufjani pranoi Islamin kur Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] hyri në Meke. E vetjma që dinte vendin ku strehohej Profeti (a.s)  dhe Ebu Bekri (r.a) kur u nisën për në Medine, ishte vajza e Ebu Bekrit, Esmaja. Diçka të tillë e ndieu Ebu Xhehli dhe i vajti në shtëpi. Kur e pyeti se ku ishte Ebu Bekri, ajo iu përgjigj se nuk e dinte. Atëherë, Ebu Xhehli e qëlloi dhe i nxori gjak nga goja. Kurse Ebu Sufjani që ndodhej aty, shkoi, ia fshiu gjakun dhe e qetësoi. Esmaja (r.a) ia tregoi këtë ndodhi babait të saj, i cili u lut: ”O Zot, mos ia harro këtë Ebu Sufjanit.” Pas njëzet viteve, Ebu Sufjani pranon Islamin dhe shpëton nga zjarri i Xhehenemit.

Esh-Shekurit nuk i humbet asgjë pa e shpërblyer. Përse ka njerëz që nuk munden as të buzëqeshin?! Përse ka njerëz që mjaftohen me pak?!

Më e ëmbël se vetë shpërblimi që do të japë Zoti i Madhërishëm, është vetë ndjenja që ke se Ai do të falënderojë për një punë të mirë. Gëzimi që ke se do të falënderojë Zoti, është më i madh se çfarëdo lloj shpërblimi.

Gruaja e parë e Profetit, Hadixheja (r.a) e dinte se Zoti i Madhërishëm i falënderon dhe i shpërblen bamirësit. Ditën që Profetit (a.s) iu shfaq Xhibrili (a.s) për herë të parë, u kthye i frikësuar në shtëpi dhe i kërkoi Hadixhes ta mbulojë. Kur u qetësua i tha: ”Për Zotin, o Hadixhe, u frikësova (se mos ishin xhinde).”, por ajo ia ktheu: ”Jo, për Zotin! Nuk të lë Zoti ty në baltë. Ti shkon mirë me farefisin, nderon mikun, i jep atij që nuk ka dhe përkrah nevojtarët.” Me këtë, sikur i thoshte se Zoti i Madhërishëm është falënderues dhe nuk mund ta çojë dëm bamirësinë tënde.

Mirënjohja e Zotit mund të jetë se të shpëton nga zjarri i Xhehenemit. Mirënjohja mund të jetë duke të mbrojtur fëmijët. Mund të jetë duke bërë që të vdesësh si besimtar. Ka shumë njerëz që, teksa ndahen nga kjo botë, i gjen vdekja duke punuar punë të liga. Kurse ka të tjerë që ndahen nga kjo botë, pasi kanë marrë abdes dhe janë falur.

Profeti (a.s) ka thënë:  ”Veprat e mira të mbrojnë nga fatkeqësitë.”

Sa herë që përmendet mirënjohja në Kuran, përkrah saj përmendet edhe shtimi dhe shumëfishimi i të mirave: “Që Ai (Allahu) t’ju plotësojë shpërblimin e tyre dhe do t’ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është Mëkatfalës dhe shumë Mirënjohës.” “Kush bën ndonjë të mirë, Ne ia shumëfishojmë të mirat; vërtet, Allahu falë mëkatet, është Mirënjohës…” “Ata që vepruan punë të mira do të kenë mirësi dhe shtesë.”[3] “Ata do të kenë ç’të duan aty, kurse ne do t’u japim shtesë.”[4]; “Kush i huazon Zotit diçka të mirë, që Ai t’ia kthejë të shumëfishuar.”[5]; “Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e Allahut është si i një kokrre që i mbinë shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, Allahu është Bujar i madh, i di qëllimet.”[6]

Çdo gjë të mirë që mund të veprosh, Zoti i Madhërishëm do të ta shpërblejë të shumëfishuar.

Profeti (a.s) ka thënë: “Kush jep sadaka, qoftë edhe sa një kokër hurme nga pasuri hallall, pasi Zoti nuk pranon veçse hallallin, do e marrë Zoti me të djathtën e Tij, e rrit dhe e shton atë, ashtu siç rrit ndonjëri prej jush mëzin e tij, derisa t’i shtohet dhe të bëhet sa mali i Uhudit.”

Kur të takohesh me Zotin Ditën e Kijametit, një kokërr hurmë që ke dhënë nga pasuria jote hallall dhe me sinqeritet, do e gjesh sa mali i Uhudit. Nëse një kokërr hurme shpërblehet kaq shumë, po sikur të shpëtosh nga varfëria një familje?! Po sikur të ndërtosh një strehë për jetimët?!

Një fshatar me devenë për dore, shkoi tek Profeti (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i All-llahut, këtë deve e jap për t’u përdorur në rrugë të Zotit.” Profeti (a.s) ia ktheu: “Në vend të saj, Ditën e Kijametit do të kesh 700 të tilla.”

Profeti (a.s) na tregon: “Një grua e përdalë shikon një qen që gërryente dheun me këmbë pranë një pusi, sepse e kishte marrë etja. Asaj i vjen keq dhe zbret në pus, merr ujë dhe ia jep qenit të pijë. Për këtë vepër, Zoti e falënderoi dhe ia fali gjynahet.”

Nëse të vjen një grua e përdalë që ka shuar etjen e një mijë qenve, a do e falënderoje edhe ti, o vëlla? Kurse Zoti i Madhërishëm u tregua Mirënjohës për një vepër të tillë dhe ia fali gjynahet. Hadithi i mësipërm është shumë shpresëdhënës për gjynahqarët. Nëse Zoti i Madhërishëm e falënderoi një grua të përdalë që i shoi etjen një qeni, patjetër do të fal edhe ty, o vëlla. A e imagjinon sa mund të jetë Mirënjohja e Zotit nëse ti vepron punë të mira dhe pendohesh për gjithçka ke vepruar deri atëherë?

Zoti të falënderon dhe të shpërblen shumë edhe për punë të vogla. Profeti (a.s) ka thënë:  ”A e ka të pamundur dikush prej jush të fitojë çdo ditë një mijë të mira?” Kur të pranishmit e pyetën se si kishte mundësi, ai u tha: ”Të thotë njëqind herë Subhanallah, dhe Zoti ia shkruan si një mijë të mira.”;

“Agjërimi i ditës së Arafatit të fal gjynahet e vitit të kaluar dhe të atij që vjen.”

Zoti i Madhërishëm e falënderoi Sad ibn Muadhin (r.a) i cili luftoi dhe sakrifikoi së bashku me Profetin (a.s). Ditën që ai vdiq, u dridh vetë Arshi i Zotit, madje kishin zbritur melekë nga qielli për t’i falur namazin e xhenazes dhe trupin e tij e mbanin shtatëdhjetë mijë melekë.

Zoti i Madhërishëm e falënderoi Xhafer ibn Ebi Talibin (r.a) të cilit iu prenë krahët në betejën e M’utes dhe më pas vdiq. Nëse një ushtari apo oficeri i priten krahët dhe vdes në luftë, shpërblimi më i madh mund të jetë një pension për familjen e tij. Kurse shpërblimi i Zotit për Xhafer ibn Ebi Talibin ishte ajo që tha Profeti (a.s) ”E shoh në Xhennet duke fluturuar me dy krahë diamanti, të cilët ia ka dhënë Zoti. E shoh duke ngrënë nga frutat e Xhennetit dhe duke pirë nga lumenjtë e tij.”

Duke parë se Ebu Bekri (r.a)  kishte sakrifikuar shumë, para se të vdesë, Profeti (a.s) u drejtua nga njerëzit dhe tha: ”Kushdo që na ka bërë një të mirë prej jush, ia kemi shpërblyer, përveç Ebu Bekrit. Unë nuk kam mundur që ta shpërblej, prandaj ia lashë Zotit që ta shpërblejë atë.”

Ebu Nasr Es-Sajjad ishte një njeri shumë i varfër. Një herë, ai dhe familja e tij kaluan disa ditë pa ngrënë gjë. Pa ditur se ç’bënte, del nga shtëpia dhe shkon në xhami, ku takohet me imamin e xhamisë. Imami i thotë: ”Më ndiq nga pas!” Merr rrjetën dhe shkojnë në bregdet. – “Fal dy rekat namaz.”- i thotë imami. Pasi falet, i thotë: ”Thuaj ‘Bismilahi’ dhe hidhe rrjetën në det!” Pasi tha ‘Bismilahi’ dhe hodhi rrjetën, ndësa imami u largua, Ebu Nasri e la pak kohë dhe filloi ta tërheqë. Kur e nxori pa se ajo kishte kapur një peshk të madh. I gëzuar, e merr peshkun shkon në treg, ku e shet, dhe me paratë blen bukë dhe ushqime.

Nga ato që bleu ndan një pjesë, të cilën ia çon në shtëpi njeriut të ditur që e ndihmoi për të kapur peshkun. Por kur ia zgjati ushqimet, i dituri i tha: ”Ushqe me të familjen! Sikur ta konsumonim të gjithë atë që na jep Zoti i Madhërishëm, nuk do të kishte dalë peshku.”

Para se të arrijë në shtëpi, i del para një grua me fëmijën e saj, të cilët mezi ecnin nga uria. Kur e panë, sytë e tyre u ndalën në çantën ku mbante bukën dhe ushqimet. I hutuar nga ajo që po shikonte, ua jep të gjitha që kishte në çantë. Gruas i rodhën lotë gëzimi nga sytë dhe fëmija filloi të buzëqeshë kur pa ushqimet dhe bukën.

Kurse Ebu Nasr es-Sajjadit iu shtua hidhërimi më tepër, pasi nuk kishte me çfarë të ushqente veten dhe familjen e tij, të cilët kishin ditë pa futur gjë në gojë.

Ashtu siç ishte, i mërzitur, papritur dëgjon dikë që thërriste: ”Kush e njeh Ebu Nasr es-Sajjadin?” Vrapon drejt tij dhe i thotë: ”Unë jam, çfarë kërkon?” – “Ka njëzet vjet që i kam marrë babait tënd një borxh prej 30.000 derhemësh. Kur i mora, u largova jashtë vendit dhe tani që jam kthyer më thanë se babai yt ka vdekur dhe ka lënë një djalë me emrin Ebu Nasr es-Sajjad, prandaj të kam sjellë borxhin që i kisha babait tënd.” – i tha.

Tregon ai vetë: ”Tani nuk isha më i varfër, por u bëra i pasur. E gjitha kjo, për shkak të bamirësisë ndaj asaj gruaje dhe fëmijës së saj. Fillova të jap lëmoshë në shuma të mëdha, saqë filloi të më pëlqejë vetja.

Një natë pashë në ëndërr sikur ishte bërë Kijameti dhe ishte vendosur peshorja në të cilën peshoheshin punët e mira dhe ato të këqija. Kur më erdhi radha mua dhe u vendosën veprat në peshore, pashë se të këqijat ishin më shumë se të mirat. – “Po ku janë paratë që dhashë lëmoshë?!”- thërrita unë me të madhe. U vendosën paratë që kisha dhënë, por ato nuk e lëvizën fare peshoren, pasi ishin sa një fije floku. Një nga melekët thirri: ”A ka mbetur gjë tjetër pa u vendosur në peshore?” – “Po, – u përgjigj një tjetër, – janë lotët e gruas së cilës i dha bukën dhe ushqimet.” U vendosën lotët në peshore dhe e rënduan anën e punëve të mira, saqë u barazuan të dy anët e peshores. Meleku thirri përsëri: ”A ka gjë tjetër?” – “Po, – u përgjigj dikush tjetër, – është buzëqeshja e fëmijës, kur mori ushqimet dhe bukën.” Kur u vendos edhe buzëqeshja e fëmijës, meleku thërriti i gëzuar: ”Shpëtoi, shpëtoi!” Në atë çast, unë u zgjova dhe thoshja me vete fjalën e njeriut të ditur: ”Sikur ta konsumonim gjithçka që na jep Zoti i Madhërishëm, nuk do të dilte peshku. I pa të meta është Ai që më falënderoi për lëmoshën e dhënë dhe më shpërbleu për të.”

Ajo motër që vesh hixhabin, shpërblimi i saj nuk përfundon me veshjen e hixhabit. Kushdo që e shikon këtë motër me hixhab, burrë apo grua, i madh apo i vogël, nuk bën gjë tjetër veçse i shton të mirat. Kjo, pasi ti, o motër, me hixhabin tënd u kujton këtyre njerëzve Zotin e Madhërishëm. Kur të shkosh Ditën e Kijametit, do të gjesh të mira të shumta që nuk i di nga të kanë ardhur. Do të thuhet se këto janë prej të gjithë atyre që të kanë parë me hixhab, me të cilin u kujtoje Zotin e Madhërishëm. Esh-Shekuri të është Mirënjohës për këtë mund dhe ta shpërblen shumëfish Ditën e Kijametit.

2 – Lidhjet që ka emri Esh-Shekur me emra të tjerë që përmenden së bashku me të në Kur’an

Nga këto emra janë El-Alimu (i Gjithëdituri), El-Gafuru (Gjithëfalësi) dhe El-Hamidu (i Falënderuari). Emrat El-Hamidu dhe Esh-Shekuru kanë lidhje shumë të ngushta me njëri-tjetrin. El-Hamidu ka të bëjë me mirënjohjen tënde kundrejt Zotit të Madhërishëm, për mirësitë që të ka dhënë. Kurse Esh-Shekuru ka të bëjë me Zotin që të falënderon për mirënjohjen dhe t’i shton të mirat.

Herë të tjera, emri Esh-Shekur vjen i shoqëruar me emrin El-Gafur: “Me të vërtetë që Ai është Gjithëfalës dhe Mirënjohës.”[7] Ata që kanë gjynahe shumë, edhe nëse veprojnë punë të mira, ndihen pesimistë nëse Zoti do t’ua falë gjynahet apo jo. Duke i shoqëruar dy emrat e mësipërm, Zoti i Madhërishëm sikur u thotë se jo vetëm që i fal, por edhe i falënderon për këtë. I fal për gjynahet dhe i falënderon për të mirat.

Një emër tjetër, me të cilin shoqërohet emri Esh-Shekur, është edhe emri El-Alim (i Gjithëditur). Këtë e gjejmë shpesh në Kur’an: ”Dhe Zoti është i Gjithëditur dhe Mirënjohës.”[8] Secilit prej nesh mund t’i ndodhë që t’i bëjë një të mirë dikujt dhe të mos e falënderojë. Kjo, për shkak se ai nuk e di se kush ia bëri të mirën. Kurse Zoti na qetëson duke na thënë se Ai di gjithçka dhe është Mirënjohës për çdo të mirë.

Në raste ceremonish të ndryshme, ku dhuratat janë të shumta, secili prej atyre që sjell një dhuratë, shkruan emrin e tij mbi të. Kjo, me qëllim që ta kuptojnë se kush e ka sjellë atë. Kurse tek Zoti nuk humbet asgjë e madhe apo e vogël qoftë.

Mund të ndodhë që fëmija të hyjë në dhomën ku fle babai, e gjen atë të zbuluar dhe e mbulon, fik dritën dhe, duke ecur në majë të gishtave, del jashtë. Padyshim që babai nuk di gjë rreth kësaj, por tek Zoti nuk humbet asgjë. Ai do e falënderojë dhe do e shpërblejë për këtë.

Shumë njerëz bëjnë lajka dhe servilosen para dikujt që ka një post të lartë, me qëllim që ta mbajë pranë dhe ta shpërblejë me diçka. Kurse ti, o besimtar, nuk ke nevojë t’i servilosesh askujt.

 3 – Emri Esh-Shekur dhe Xhenneti

A e di se Esh-Shekuru ka përgatitur Xhennetin, me qëllim që të falënderojë për veprat e mira në dynja? Xhenneti është argumenti më i madh mbi mirënjohjen e Zotit të Madhërishëm për veprat e tua. Që ta kuptosh rëndësinën dhe madhështinë e Xhennetit, krahasoje kohën e qëndrimit në Xhennet me jetën në këtë botë. Esh-Shekuru të jep përjetësinë në Xhennet, në këmbim të adhurimit dhe përkushtimit ndaj Tij në këtë botë. Nëse dikush nga ne jeton gjashtëdhjetë vjet, trembëdhjetë prej tyre i kalon para pjekurisë. Kështu mbeten 47 vite. Nga këto vite, një e treta janë gjumë, kështu mbeten 32 vite. Nga këto, një e treta janë punë, udhëtime, ngrënie dhe pirje. Kështu mbeten 17 vite. Në këmbim të këtyre 17 viteve adhurim, Zoti i Madhërishëm të jep përjetësinë dhe kënaqësinë e jetës në Xhennet.

[1] – Sure Fatir: 35.

[2] – Sure Shura: 23.

[3] – Sure Junus: 26.

[4] – Sure Kaf: 35.

[5] – Sure Bekare: 245.

[6] – Sure Bekare: 261.

[7] – Sure Fatir: 30.

[8] – Sure Bekare: 158.

Amer Halid

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit