3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Për “Këndin e librit” në kryeqytet do të vendosen kritere

Më të lexuarat

Selatin Beqiri ka 13 vjet që nuk e ka lëshuar këndin e tij, në të cilin shet libra. Në tre vjetët e fundit ka dëgjuar shpeshherë të flitet se shteti do të kujdeset t’u sigurojë tezga e kushte më të mira. Por, pritjet e tij dhe të shitësve të tjerë ambulantë, Komuna e Prishtinës do t’i përmbushë vetëm në fund të këtij viti. Megjithatë, Beqiri dhe shitësit e tjerë ambulantë të librit, nuk e kanë të sigurtë se do të kenë vend në “Këndin e Librit”, që do të jetë pjesë e sheshit “Zahir Pajatziti”, për të cilin do të nisin punimet brenda këtij muaji.

Komuna e Prishtinës nuk e di se cilat do të jenë dimensionet e këndit që do të rezervohet për shitësit ambulantë të librit, por paralajmëron se do të vërë kritere për ata që do të mund të shesin libra në pronën e shtetit.

Shitësit ambulantë konsiderojnë se nuk kanë nevojë të përmbushin kritere. Disa prej tyre shprehin dyshimin se mund t’u rrezikohet vendi.

“Ne kemi 13 vjet që punojmë këtu dhe ky është kriteri i vetëm që ne e kemi dëshmuar se e meritojmë të jemi pjesë e ‘Këndit të librit’”, ka thënë Beqiri.

Sipas tij, nuk do të ishte e drejtë që dikush tjetër të vinte e të zinte vendin e tyre.

“Ne meqë veç jemi pjesë e librit, ky vend është pjesë e jona dhe nuk është e drejtë të vijë dikush tjetër. Ka dy-tre vjet që na thonë se do të realizohet ai plan, e tash kërkojnë edhe kritere të tjera”, është ankuar Beqiri.

Beqiri po ashtu ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk është angazhuar të bisedojë me shitësit ambulantë për kushtet e tyre.

“Kanë ardhur për vizitë vetëm sa për t’i kryer obligimet e tyre ditore, por interesimi për ne është minimal”, ka thënë ai.

Kolegu i tij, Mirsad Krasniqi, ka thënë se i vetmi burim informimi për atë se çka do të ndodhë me “Këndin e librit” për shitësit ambulantë mbeten mediet.

“Ne prej Komunës s’kemi pasur asnjë kontakt, nuk na kanë konsultuar as për hapësirën, as ku do të vendosemi. Absolutisht asgjë. Të gjitha informatat i marrim nga mediet”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se ideja për të vënë kritere e bën të ndihet se mund t’i luhatet vendi.

“Nëse bëhet me një lloj konkursi e kritere, duhet të frikësohemi, sepse nëse vjen dikush që nuk është marrë hiç me librin, mund të mbetet pa u përfshirë dikush që ka sa vjet që ka shitur këtu”, ka thënë Krasniqi.

Ai është ankuar edhe për zvarritjen më shumë se trevjeçare që i është bërë këtij këndi.

“Është një zgjatje shumë e madhe. Ata na kanë premtuar disa herë, por ndoshta më në fund po realizohet këtë vit”, ka thënë ai.

Asdren Osaj, këshilltar i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, nuk ka pasur përgjigje se cila do të jetë hapësira që do të ndahet për shitësit ambulantë.

“Hapësira e ‘Këndit të librit’ do të jetë pak metra më poshtë se ku shiten sot librat. Ndërkohë që ka mbetur që gjatë ndërtimit të sheshit ‘Zahir Pajaziti’ të përcaktohen edhe kushtet teknike se si do të jetë ky kënd”, ka thënë Osaj.

Osaj nuk ka precizuar as cilat do të jenë kriteret që duhet t’i përmbushin shitësit ambulantë.

“Sa i përket zgjedhjes së shitësve që do të shesin në këtë kënd të librave, Komuna pasi ta ndërtojë këtë shesh do t’i vendosë kriteret, përmes të cilave do të përzgjidhen edhe shitësit”, ka thënë ai.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka konsultuar të gjitha palët që janë të përfshira në sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Komuna ka konsultuar të gjitha palët e interesuara rreth ndërtimit të sheshit ‘Zahir Pajaziti’ e në këtë rast edhe rreth ndërtimit të ‘Këndit të librit’. Punimet pritet të përfundojnë brenda këtij viti”, ka thënë ai.

Për sheshin e librit asnjëherë nuk është precizuar as lokacioni se ku saktësisht do të ndërtohet ai. Paraprakisht ishte paraparë që sheshi i librit të ndërtohej në të djathtë të hotelit “Grand”, aty ku janë shumica e librarëve ambulantë. Më vonë, gjatë muajit prill, nga zyrtarë komunalë ishte thënë se adresa e re e sheshit të librit ka dy opsione: sheshin “Skënderbeu” dhe sheshin “Ibrahim Rugova”, projekte këto në kuadër të rregullimit të bulevardit “Nëna Terezë”, të cilat KK i Prishtinës ka paralajmëruar se do të realizohen këtë vit. Njëherësh, kjo ishte përmendur si arsyeja pse sheshi nuk është përfunduar në muajin mars, për të dhënë 10 majin si datën kur sheshi do të përfundonte ndërtimin. Inaugurimi i tij është përmendur disa herë brenda tre vjetëve të fundit./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit