0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Rruga e Islamit – rruga e diturisë

Më të lexuarat

Në historinë e zhvillimit të Islamit, vend shumë të rëndësishëm zë edukimi me dituri e drejtësi. Një nga qëllimet e fesë islame është popullarizimi i edukimit të gjithanshëm të njeriut, sepse kjo veprimtari ka qenë dhe është një nga themelet bazë të kulturës e të qytetërimit islam. Ajeti i parë që iu shpall Pejgamberit a.s. deklaron: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej gjaku të ngjizur. Lexo, se Zoti yt është më Bujari. Ai që e mësoi njeriun të shkruajë me penë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. (96: 1-5)

Konsolidimi, shtimi, sistemimi dhe ruajtja e dijeve në fushën e diturisë është detyrë primare e dijetarëve dhe e besimtarëve myslimanë, për t’i mësuar gjeneratës së tashme dhe atyre që do të vijnë se ajetet e Kur’anit përmbajnë material të mjaftueshëm me karakter shpirtëror e shkencor, që i nxit myslimanët të studiojnë gjithçka; se Islami ka qenë fatktor përcaktues në qytetërimin dhe Rilindjen Evropiane; se Islami është fe e zhvillimit, e paqes, e begatisë, dhe se ai është sistemi i demokracisë e barazisë kundër çdo lloj diskriminimi nacional, racor apo klasor.

Shembullin më të mirë se si u tubua dhe u ruajt dija islame e jep Kur’ani i Shenjtë, i cili iu shpall Pejgamberit a.s. Ai bëri përpjekje të mëdha për ta ruajtur të qartë, ashtu siç iu shpall, duke e mësuar përmendësh. Miqve të vet besnikë dhe të kujdesshëm ua diktoi ngadalë, që edhe ata ta mësonin përmendësh e ta shkruanin. Kur Pejgamberi a.s. ndërroi jetë, pasuesit e tij besnikë, për ta ruajtur Kur’anin famëmadh, e mblodhën dhe e shkruan në disa kopje unike prej burimesh të sigurta. Ajo mbledhje u përhap nëpër gjithë territoret islame të asaj kohe dhe është në përdorim pa asnjë ndryshim edhe sot.

Kur’ani është i mrekullueshëm, sepse shumë dukuri e ligje të natyrës dhe të njerëzimit janë përmendur aty shumë kohë më parë se njeriu t’i zbulonte dhe t’i vinte në jetë. Libri i shenjtë zbriti që të nxisë mendjet njerëzore t’i mësojnë dhe t’i zbatojnë ato. Dihet se zbulimet e reja janë rezultat i hulumtimit dhe zhvillimit mendor. Ato s’janë zbulime të rastit, sepse iu kanë paraprirë zbulime dhe hulumtime të parashikuara. Në suren “Fussilet”, ajeti 53, thuhet: “Ne do t’u bëjmë atyre të mundur që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në vetet e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?!”

Mrekullia e Kur’anit hyn thellë në zemrat e lexuesve të tij, shpirtrat e tyre i rrëmben dhe i bën për vete në mënyrë të jashtëzakonshme. Kur’ani u mëson njerëzve të adhurojnë vetëm një Zot, i fton të heqin dorë nga mëkatet dhe krimet.

Përhapja me shpejtësi e Islamit dhe e kulturës së tij i kushtohet tërësisht besimit dhe respektimit të parimeve të tij dhe s’kishte forcë që t’ia ndalte hovin. Dijetarët, të cilët në veprat e tyre përshkruan Spanjën, Portugalinë, Francën, etj., thonë se popullsia vendase i priti myslimanët si çlirimtarë. Ky depërtim nuk kish të bënte aspak me ekspedita pushtuese, përkundrazi, ishte depërtimi i qytetërimit të ri. Lion Fojhtvanger, shkrimtar gjerman me prejardhje hebreje, në librin e tij “Balada spanjolle”, thotë: “Zotërinjtë e rinj sollën me vete kulturë të lartë dhe Spanjën e shndërruan në vendin më të bukur të Evropës”.

Myslimanët zhvilluan në mënyrë të mahnitshme urbanistikën dhe arkitekturën dhe si rezultat lindën qytete të mrekullueshme, që nuk ishin parë që nga koha e qytetërimit romak. Si shembull përmendim Kordobën, që asokohe ishte kryeqytet i botës perëndimore.

Qytetërimi dhe kultura e re, e futur dhe e zbatuar me urtësi në fushën e edukimit të përgjithshëm, pa dallim klasash shoqërore, çoi në përparimin e popujve në të gjitha drejtimet. Myslimanët ripërtërinë bujqësinë, industrinë minerare, artizanatin, letërsinë, artet e bukura, etj. Ata bënë një tregti të shumëllojtë, duke përshkruar të gjitha territoret islame, me rrugë tokësore e detare. Lundërtarët myslimanë spanjollë lundronin të lirë, shpejt e me siguri në shumë dete, me anijet më moderne të kohës. Çdo qytet i madh kishte universitetin e tij dhe biblioteka shumë të pasura. Arti dhe shkenca lulëzuan si asnjëherë e, sipas dëshmive, qyteti i Kordobës kishte mbi 3000 shkolla.

Vlen të përmenden se Evropa Perëndimore në mesjetë ka qenë në errësirë të plotë, kurse pjesa e saj e udhëhequr nga myslimanët nuk mund të quhej e tillë. Ajo pati zhvillim dhe përparim të shkëlqyer. Arritjet në fushat ideore, kulturore, artistike e materiale, pa më të voglin dyshim ushtruan një ndikim të madh në Rilindjen Evropiane.

Në shumë vende Kur’ani i shenjtë i lavdëron dijetarët, si për shembull: “Allahu do t’i lartësojë në pozita ata që besojnë dhe ata që iu është dhënë dituria”. Edukimi arsimor është i lavdëruar në Islam e për myslimanët është gjëja më e lartë në jetë. Ata që merren me këtë edukim porositen të shkruajnë, të përhapin, të lartësojnë dhe të zhdukin analfabetizmin kudo. Përhapja e diturisë, nëpërmjet edukimit, ka qenë në nivel mjaft të lartë gjatë periudhës së zhvillimit të Islamit.

Islami kërkon që çdo besimtar të kërkojnë diturinë, ta zbatojë atë dhe të përpiqet për përhapjen e saj. Për të gjitha këto kemi shumë hadithe, tek të cilët duket qartë vlerësimi dhe lartësimi që iu bëhet dijetarëve, që hulumtojnë dhe përhapin diturinë. Zbatimi në praktikë i edukimit islam, ka për qëllim pastrimin shpirtëror nga prapësitë morale të botës, si zilia, mashtrimi, arroganca, mendjemadhësia, mburrja, hipokrizia, etj., dhe mbushjen e saj me moral të lartë si dituri, traditë e mirë, mirënjohje, sinqeritet, devotshmëri, pendim, etj.

Shkollimi dhe edukimi i vajzave dhe i djemve në Islam bëhet pa dallim dhe është i detyrueshëm. Fëmijëve nuk u lejohet punësimi pa përfunduar edukimi. Në lëmejtë e diturisë dhe të edukimit dijetari mund të arrijë në shkallët më të larta të piramidës, pavarësisht nga gjendja shoqërore ose ekonomike. Kjo tregon se Islami është fe e demokracisë së vërtetë, e barazisë dhe e së drejtës absolute. Dijetari jeton kudo prej diturisë së tij dhe kurrë nuk konsiderohet i huaj.

Në periudhën e lulëzimit të Islamit, dijetarët jomyslimanë jo vetëm nuk u persekutuan, por, përkundrazi, të ndihmuar nga ata myslimanë, përkthyen Ungjillin në gjuhën arabe. Hebrenjtë zhvilluan lirshëm prozën dhe poezinë e tyre, përsosën sistemet filozofike, përkthyen Aristotelin dhe veprat e tij i shtrinë në filozofinë e librit të tyre të madh.

Edukimi me diturinë në Islam është një prej të drejtave themelore të njeriut, po aq i rëndësishëm sa ajri, uji dhe ushqimi.

Këto janë pikëpamjet e Islamit në mënyrë përmbledhëse për sa i përket diturisë, në të cilën akumulohen të gjitha njohuritë e dobishme që i nevojiten njerëzimit e që myslimanët i ruajtën dhe i përhapën në mënyrë të përkryer në popuj të tjerë. Pra, është në nderin dhe dinjitetin e të gjithë myslimanëve, duke përfshirë edhe ata të Shqipërisë, që të përvetësojnë dhe përhapin diturinë islame.

Redaksia

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit