6.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Zvarritja e borxhit

Më të lexuarat


عن أبي هريرة رضي الله عنه، أن رسول الله صلى الله عليه وسلم قال: “مَطَلُ الغنيّ ظُلمٌ، وإذا أُتبِع أَحدُكُم على مَلِيّ فَليَتبَع”.

Transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe të tjerë, nga Ebu Hurejra r.a., se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Zvarritja e të pasurit është zullum, prandaj kur dikush drejtohet (për kthimin e borxhit) tek një i mbushur (me pasuri), atëherë le t’i drejtohet atij”.

Fjala (المَطَل), në kuptimin leksikor, kthehet te zgjatja. Qëllimi në këtë hadith është vonimi dhe zvarritja e shlyerjes së borxheve dhe detyrimeve.

Ndërsa (الغني), në kuptimin gjuhësor, është i ai që nuk ka nevojë për të tjerët, jonevojtari. Shpeshherë përdoret me një kuptim më të ngushtë, për pasanikun, sepse ai ka, posedon dhe s’ka nevojë për të tjerët.

Në këtë hadith, sipas fukahave, i pasur konsiderohet ai që si shtesë mbi nevojat jetësore posedon aq sa të shlyejë borxhet dhe detyrimet. Nuk është për qëllim pasaniku që zotëron pasuri të madha, por ai që ka mbi nevojat. Prandaj në kuptimin e të pasurit hyn edhe ai që te njerëzit mund të konsiderohet i varfër në disa aspekte apo ai që jeton në standartin mesatar të jetesës, përderisa posedon mbi mjetet dhe nevojat për jetesë aq sa të paguajë detyrimet.

Për lidhjen ndajshtesore (الإضافة)në togfjalëshin “zvarritja e të pasurit” janë dhënë dy mendime:

1) Ndajshtesa aludon veprimin e vepruesit (إضافة الفعل إلى فاعله), pra ai që zvarrit (veprimi) është i pasuri (vepruesi), ai që ka dhe posedon, por neglizhon dhe vonon. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve dhe njëkohësisht edhe më i dukshmi.

2) Ndajshtesa aludon veprimin karshi pësuesit apo kundrinës (إضافة الفعل إلى المفعول). Pra, i pasuri e pëson zvarritjen dhe vonohet prej njerëzve, duke menduar se meqënëse ai është i pasur dhe s’ka nevojë, nuk prish punë nëse e vonojnë borxhin dhe e zvarrisin, ndërkohë që kjo zvarritje është prej zullumit. Ky kuptim, edhe pse i drejtë në vetvete, nuk është aq i fortë dhe nuk duket se është pikërisht ai që profeti ka pasur për qëllim.

Pjesa e dytë e hadithit, hyn te tema e fikhut që njihet si (el hauale) që nënkupton transferimin e borxhit nga një borxhli tek një tjetër.

Nëse borxhliu i parë i kërkon të kalojë te një borxhli i dytë, që ka bollëk dhe është i kamur, bën mirë që borxhdhënësi ta pranojë transferimin për kërkimin e borxhit, nga i pari tek i dyti. Bëhet fjalë gjithmonë nëse kjo gjë i kërkohet. Për pasjen dhe bollëkun, dëshmon fjala (مليّ), e cila është një mbiemër (صفة مشبَّهة) që cilëson një person që është i mbushur dhe ka bollëk.

Ndërsa lidhëza shkakore (fe – prandaj) lidh dy pjesët e periudhës, me kuptimin që përderisa zvarritja është padrejtësi dhe dikujt i kërkohet nga borxhliu që borxhin ta transferojë te një palë që ka dhe posedon, atëherë duhet që ai ta pranojë këtë transferim; sepse kështu i jep një zgjidhje dhe rrugëdalje vëllait të tij dhe në mënyrë që ta largojë nga padrejtësia e të mos e shtrëngojë.

Shumica e shkollave të fikhut islam, shafitë, malikitë, hanefitë dhe një mendim te hanbelitë; mendojnë që urdhëri për pranimin e transferimit vjen në kuptimin e pëlqyeshmërisë. Ai është një formë e nxitjes për mirë, kështuqë pranimi është mendub e jo obligim.

Shkurtimisht hadithi dëshmon për gjynahun në të cilin bie ai person që është në borxh apo ka detyrime që u ka hyrë afati, dhe posedon e gjen me çfarë ta shlyejë; ose duke e paguar drejtpërdrejt, ose duke e transferuar kërkuesin e të drejtës tek dikush që ka, e megjithatë vonon dhe zvarrit. Nuk ka dyshim se kjo zvarritje është gjynah dhe haram.

Po a është ky gjynah i madh apo jo? A kushtëzohet përsëritja dhe shndërrimi në zakon që të quhet fasik apo mjafton një herë e vetme? Imam Neveviu, në komentimin e Muslimit, pasi përmend kundërshtimet e dijetarëve, thotë: “Ajo që kuptohet si rrjedhojë e medhhebit tonë është përsëritja”. Pra, sipas medhhebit shafi, nëse e përsërit e i bëhet ves quhet fasik e nëse e vepron një apo dy herë ka rënë në gjynah e haram.

Por Takijudin Subkiu, në komentimin e librit të shafiive “El minhaxh” shprehet se ajo që kuptohet si rrjedhojë në medhheb është se zvarritësi konsiderohet fasik qoftë edhe me një herë të vetme; ngase fjala “zullum” në këtë hadith, le të kuptohet që ky gjynah është i madh dhe në origjinë, vepruesi i gjynahut të madh, bëhet fasik, qoftë edhe me një herë të vetme.

E Allahu është më i ditur dhe salavati e selami qofshin për resulin tonë.

Hoxhë Florian Leli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit