3.7 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Parullat nacionaliste në Serbi “kur ushtria të kthehet në Kosovë”- reagimet e krerëve të shtetit dhe eurodeputetit Mandl

Më të lexuarat

Në fund të korrikut në Serbi janë shfaqur grafite me përmbajtje nacionaliste si “kur ushtria të kthehet në Kosovë”, gjersa me të njëjtën fjali ishin edhe pankartat që mbajtën tifozët e klubit të futbollit “Crvena Zvezda”, gjatë një ndeshjeje miqësore me klubin italian “Fiorentina” më 26 korrik në Beograd

E pas parullave të tilla nacionaliste në Serbi, në kohën kur ndërkombëtarët po mundohen të çojnë para dialogun Kosovë-Serbi kanë ardhur edhe reagime nga krerët e shtetit të Kosovës, ndërkaq reagim pati edhe nga eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ‘Crvena Zvezda’ bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë.

“Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga Tribunali për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Arkan,  u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e luftërave që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”, ka shkruar Kurti në një postim në Twitter, transmeton Telegrafi.

E për thirrjet nacionaliste të tifozëve serbë, eurodeputeti Lukas Mandl ka shkruar në Twitter, gjersa ka etiketuar edhe shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe ndërmjetësin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, duke i pyetur nëse janë në dijeni se çfarë po ndodh.

“Ju ende dëshironi të sanksiononi? Kosovën? Josep Borrell, Oliver Varhelyi, Miroslav Lajçak a e shihni se çfarë po ndodh? Le të qetësohemi. Le të kontribuojmë në uljen e tensionit, pajtimin, paqen. Të gjithë. Të gjithë ne”, shkruan Mandl.

Për parullat nacionaliste të tifozëve të klubit të futbollit “Crvena Zvezda” ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës.

FFK e ka dënuar ashpër veprimin dhe njëherësh ka shprehur zemërimin dhe shqetësimin e saj lidhur me koreografinë skandaloze, luftënxitëse të tifozëve të klubit serb, Crvena Zvezda, në ndeshjen e futbollit kundër Fiorentinës në Beograd.

“Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës është një akt i papranueshëm dhe i pashoq për sportin, por edhe për harmoninë e paqen ndërmjet vendeve dhe popujve në rajonin tonë, e sidomos në periudhën e tensioneve mes dy vendeve.

Ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit