9.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Mulla Hysni Efendi Hoxha – Islam Gjakova.net

Më të lexuarat

Me rastin e shpërnguljes për në botën e amshueshme të imamit më të vjetër të Junikut, Mulla Hysni Efendi Hoxha

Më datën 09.06.2014 (ditën e martë), në ora 16:00, pas një sëmundje të shkurtër ndërroi jetë në moshën 72 vjeçare, imami më i vjetër i komunës së Junikut, i lagjes Hoxhaj, imam i xhamisë së Tërgovishtes, Haxhi Mulla Hysni efendi Hoxha.

Varrimi i tij është bërë më 10.06.2013, në varrezat e fshatit Junik – lagja e Hoxhajve.

Sipas amanetit të tij xhenazen ia ka pastruar Mulla Murat efendi Thaqi, kurse namazin e xhenazes ia ka falur Myftiu i Republikës së Kosovës Mr.Naim efendi Ternava.

Hoxha, Imami, mual-limi, hatibi, veprimtari, veterani i thirrjes në Islam, Haxhi Mulla Hysni Efendi Hoxha lindi në fshatin Junik KK Deçan (dikur “Zonë e Lirë” – tashmë komunë e re ), më 13.03.1942, në mëhallën e Hoxhajve, nga babai Hajrullah dhe nëna Zyhra, bijë e Vokshit.

Rrjedh prej një familje e mesme fshatare intelektuale, besimtare e njohur si familje me traditë të lashtë të kuadrove të hoxhallarëve. Është një nga dy fëmijët e babait Lahë, respektivisht vëllai i dytë nga dy vëllezërit sa ishin.

Sipas rregullave të Islamit dhe traditës së kësaj familje, që t’i dërgonin fëmijët në xhami për të mësuar mësimet e para islame, edhe Hysniu i ri i vijoi mësimet tek hoxha – babai mulla Hajraullau –mulla Laha, që në moshën e re.

Mësimet e para të fesë dhe shkronjat e para të Kur’anit fisnik i mësoi pra nga babai i tij Mulla Hajrullahu apo siç e quanin populli Mulla Laha, i cili kishte të kryer Medresenë e Shkupit dhe ishte imam Resmie – imam zyrtar si dhe nga kushëriri i tij i afërt Mulla Edhemi. Me që babai i tij ishte hoxhë – Muderriz, ishte edhe dashamirë i flaktë i diturisë – fesë dhe shkencës, dhe falë vullnetit dhe dëshirës që kishte babai i tij, Mulla Laha, për arsimimin e djemve të tij dhe të tjerëve, arriti që ta përgatisë të birin e tij që ta ndjek rrugën e babait dhe traditën e familjes. Familje kjo, e cila brez pas brezi kultivoi moralin, arsimin, dinjitetin njerëzor, e sidomos atë fetar. Tradicionalisht kjo familje ka nxjerr nga gjiri i saj hoxhallarë të mirëfilltë, afër 20 breza hoxhallarë, të cilët misionin e tyre të fesë e kryen me nderë dhe krenari. Familje e cila në vazhdimësi kultivoi vlera njerëzore dhe gjithmonë ishte kundër analfabetizimit, fanatizmit e të gjitha llojeve.

Mirëpo, në kohën kur Mulla Hysnia duhet të shkollohej dhe të përgatitej për misionin e hoxhallarit, sistemi monist – totalitar i asaj kohe i mbylli dy Medresetë e Gjakovës dhe gjithandej në tërë Kosovën. Në këtë situatë të vështirë M.Hysnia regjistrohet në gjimnaz në Gjakovë, përfundon një vit, për të vazhduar më pas në gjimnazin e përgjithshëm në Pejë. Edhe pse e kreu gjimnazin, dëshira për t’u bërë hoxhë asnjëherë nuk iu shua.

Detyrën e imamit e fillon qysh i ri, në fillim duke i ndihmuar prindit të tij, por me që për t’u emëruar imam, mual-lim dhe hatib në xhami duhej diploma e Medresesë. Pas lejimit të funksionimit, nga pushteti i atëhershëm , të Medresesë së Mesme „Alaudin“ në Prishtinë, M.Hysniu për ta perfeksionuar diturinë e tij në fenë Islame regjistrohet me korrespodencë, në këtë institucion arsimor fetarë, i vetmi i këtij lloji për territorin e trojeve shqiptare, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Sanxhak, dhe e dyta në ish Jugosllavi, pas asaj të Husrev Begovës në Sarajevë. Sipas sistemit të atëhershëm shkollor Medreseja ishte pesë vjeçare dhe e kryen në afat dhe me sukses.

Fillimisht diku kah viti 1965 inkuadrohet në punët dhe detyrat e punës së imamit, mual-limit dhe hatibit në xhaminë e fshatit Ponoshec, KK Gjakovë, më pas vazhdon në Dobrosh. Pas vdekjes së imamit të xhamisë së Tergovishtës, në fshatin Junik, Mulla Edhem Hoxhës, Mulla Hysnia transferohet në punët dhe detyrat e punës së imamit, mual-limit dhe hatibit në këtë xhami.

Në xhaminë e sipërpërmendur shërbeu derisa doli në pension dhe për një kohë të gjatë. Falë autoritetit që kishte arritur të gëzonte në atë anë, Mulla Hysnia, meqë ishte vazhdimisht në lidhje me popullin, në xhami, në lindje, në vdekje, fejesa, martesa, e kuptonte fort mirë gjendjen e mjerueshme ekonomike, arsimore, edukative e kulturore.

Nuk hezitonte, çdo rast e shfrytëzonte, që me këshillat e tij, xhematin e tij, të pa shkolluar, të pa arsimuar, të robëruar nga ish ideologjia sllavo komuniste, ta ndërgjegjësonte, e ta vetëdijesonte…

Burimi i këshillave të tij ishte i pashtershëm, sepse buronte nga fjala e Allahut, dhe porositë profetike të Muhammed Mustafasë s.a.v.s., e, nga porositë e prindit të tij, dhe përvoja e tij.

Mulla Hysnia, si hoxhë që ishte, një burrë, besimtar, atdhetar, vizionar, mik, dijetar, nuk i besonte ideologjisë sllavo komuniste, e as komunistëve shqiptar. Ai i thoshte xhematit, popullit, në xhami, nëpër shtëpia, se kjo është ideologji për shkatërrimin e besimit Islam. Gjatë kryerje së detyrës së imamit gjithnjë iu ka përgjigjur pozitivisht kërkesave të KBI-së lokale dhe asaj qëndore në të gjitha aktivitetet, siç janë: Tubimi i sadakatul fitrit, zekatit, ndihmave vullnetare për të varfrit, në shpërndarjen – distribuimin e literaturës fetare.

Mulla Husnia nuk e ka konsideruar kurrë hoxhëllëkun si profesion, por si mision. Nuk jetoi nga populli, por për popullin.

Në atë kohë, Komuna e Deçanit ishte nën administrimin fetar të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, ndaj duhej të përfaqësohej nga një anëtarë i kësaj ane. Me rastin e zgjedhjeve të reja të KBI-së në territorin e KBI të Gjakovës, të vitit 1980–84, xhemati i kësaj ane e propozojnë Mulla Hysniun për anëtar të KBI-së në Gjakovë, i cili në këtë pozitë qëndroi deri në vitin 2000, kur ndahet Komuna e Deçanit nga KBI në Gjakovë dhe formohet këshill i ri.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, sa ishte anëtarë (d.m.th. pesë mandate), Mulla Husnia me tërë qenien dhe potencialin e tij intelektual fetaro kombëtar, në mënyrë të dinjitetshme arriti ta përfaqësoi popullatën e asaj ane, gjithnjë në shërbim të tyre dhe në vazhdimësi duke i përcjell hallet, problemet si në rrafshin fetar po ashtu edhe në atë kombëtarë.

Është e rëndësishme të ceket se asnjëherë nuk ka munguar në mbledhjet e KBI-së, në çdo kohë ishte i gatshëm t’i përgjigjet thirrjes kur e kërkonte nevoja, duke mos kërkuar kurrë kompensim material. Ai gjithmonë thoshte: „Unë jam hoxhë dhe du me punu për hatër të Zotit“.

Gjatë luftës së fundit, si shumë familje shqiptare të kësaj ane dhe tërë territorin e Kosovës, nga regjimi serbo sllavo komunist – forcat paramilitare serbo çetnike, në masakrën e Mejës, ia vranë dy djemtë e Mulla Hysnisë, Naimin dhe Hajrullahin – Lahen. Naimi kishte kryer fakultetin e gjuhës angleze ndërsa Laha gjimnazin.

Kam pasur rastin ta takoj Mulla Hysninë në Durrës, gjatë luftës kur ishin në Shqipëri, kishim dëgjuar për rastin tragjik të bijve të tij, kur ofroheshim për ta ngushëlluar, ai ishte shumë më i fortë se ne dhe na thoshte: “Emri i Zotit, qashtu koka kon e shkrune”. Të gjithë ia kishim lakmi qëndrimit të tij të pa luhatshëm, duke pasur parasysh ndarjen nga dy djemtë e vetëm, të cilët ishin edhe të pa martuar.

Me rastin e rivarrimit të – kthimin e eshtrave nga Serbia në Kosovë, Mulla Hysnia vet ua ka falur namazin e xhenazes, pa u ligur fare, pa ia parë kush një lot në sy, tamam sipas porosive të Allahut. Gjithnjë thoshte: “ Allahu m’i ka fal Allahu m’i ka marr, të Atij jemi tek Ai do të kthehemi……”!

Mulla Hysninë e njohin sheher e nahije, të rralla janë ato familje ku Mulla Hysnia nuk ka marr pjesë në ceremonitë, qoftë në gazmende apo në raste mortore.

Ishte edhe njëri që kishte dëshirë të ndihmonte edhe në nevoja të tjera që kishte populli ynë. Dihet që pas luftës së fundit, populli ynë doli me shumë trauma dhe sëmundje psikike, prandaj mulla Hysnia bënte përpjekje maksimale për ta ndihmuar këtë kategori njerëzish, duke iu folur fjalë të bukura e të ëmbla poashtu dhe me lutje nga Kur‘ani. Fjala e tij zinte vend në zemrat e njerëzve të mërzitur, sepse ai vet ishte shembull i qëndresës, durimit dhe burrërisë.

Pas shkëputjes nga KBI në Gjakovë, KBI në Deçan e zgjedhë Mulla Hysnin kryetar, i cli udhëheqi për dy mandate radhazi 2000-2008.

Në vitin 2013, Mulla Hysnia si veteran në detyrën e imamit të KBI të Deçanit caktohet haxhi nderi nga Myftiu i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Mr. Naim ef. Ternava, pët ta vizituan shtëpinë e shenjtë.

Mullah Hysni Hoxha u zgjodh kryetar i organizatës joqeveritare me iniciativë të komitetit për komunitete Këshillit të Pajtimit në komunën Junikut.

Në xhenaze, përveç familjarëve, farefisit, miqve shokëve, kanë marrë pjesë të gjithë imamët e KBI të Deçanit, Gjakovës, Pejës, Istogut etj., si dhe një numër i madh xhematlinjësh nga të gjitha xhamitë e territorit të KK të Deçanit, dhe shumë qytetarë tjerë, po ashtu kishte xhematlinjë edha nga fshatrat. Në varrim morri pjesë Myftiu i Kryesisë BI të Republikës së Kosovës Mr. Naim ef. Ternava, i cili ia fali namazin e xhenazes. Fjalët e fundit të lutjes së tij ishin: “O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti i yt i vetëkënaqur e i pranuar! Hynë në turmën e robërve të Mi! Dhe hynë në xhennetin Tim!

Këto ishin deri diku vetëm disa fjalë të pakta të cilat u mundova t’i hedh në letër për jetën dhe veprën e hoxhës së nderuar, dhe ato t’i ndajë edhe me ju, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se fjalët gjithnjë janë të pakta dhe asnjëherë nuk mund t’i shprehim ndjesitë dhe punën kolosale të Mulla Hysni ef. Hoxhes, pa pretenduar se i kam shprehur të gjitha, përkundrazi….

Krejt së fundmi nuk më mbetet gjë të shtoj, pos ta lus Allahun e Madhërishëm që hoxhën e nderuar ta shpërblejë me Xhennetin Firdeus dhe ta vendos në shoqëri me Pejgamberin s.a.v.s. Amin!

Esat ef.Rexha



Foto nga mbledhja komomorative e KK-Junik & KBI-Deçan për të nderuar jetën dhe veprën e Mulla Haxhi Hysni Hoxha



Foto gjatë varrimit të Mulla Haxhi Hysni Hoxha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit