Prejardhja familjare
Myderriz Tahir Efendi Thaçi ishte djali më i madh, prej katër djemve, i Mulla Abdurrahimit, populli e quante Mulla Hima. Të katër djemtë e Mulla Himës ishin hoxhallarë, dy prej tyre ishin hafizë. Emrat e katër djemve të Mulla Himës janë:
Myderriz Tahir Efendiu (1898- 1984), Mulla Ragibi (1900-1984), Hafiz Hysniu (1910-1954) dhe Hafiz Selimi (1913-2001). Edhe babai i tyre, Mulla Abdurrahimi, ishte vëllai i tre vëllezërve, të gjithë hoxhallarë. Pra, ky është një rast i rrallë, jo vetëm në Kosovë e në Shqipëri që në dy brezni, në një shtëpi, të dalin tetë dijetarë, tetë hoxhallarë!
Tetë dijetarët, tetë hoxhallarët, pasardhësit e tyre hoxhallarëve të tjerë, disa prej të cilëve kanë qenë myderrizë, disa hafizë, ka pasur edhe myfti, siç ishte edhe Myftiu, Ismail Efendi Yvejsi, një nga udhëheqësit e Degës së Lidhjes së Prizrenit në Gjakovë dhe pjesëmarrës në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, në Prizren, më1878.
Të gjithë këta hoxhallarë, dijetarë dhe atdhetarë kanë qenë pasardhësit e Myderriz, Hafiz Yvejs Efendiut, i cili ka qenë Myderrizi, drejtori i parë i Medresesë së Madhe të Gjakovës, e cila për afër tre shekuj i ka dhënë dritë krejt Kosovës.
Muderrizi, Hafiz Yvejs Efendia, gjithashtu, ka qenë drejtor i Bibliotekës në Gjakovë, themeluar më 1733 dhe është poeti më i hershëmshqiptar që ka shkruar poezi në gjuhën shqipe që në vitin 1699.
Shkollimi, diplomimi dhe shërbimi
Myderiiz Tahir Efendi Thaçi lindi në Gjakovë, më 1898. Mësimet e para i kreu në Gjakovë, i vazhdoi në Medresenë e Madhe, kurse i përfundoi në medresenë “Mehmed Pasha”, në Prizren, ku diplomoi te dijetari i mirënjohur Myderriz Nysret Efendi Galibi, i cili ishte edhe Myfti i Prizrenit.
Mulla Tahir Efendi Thaçi, mbasi diplomoi në Prizren, u kthye në Gjakovë, ku filloi detyrën si imam, hatib (predikues) dhe mualim (mësues). Shërbeu për më se gjysmë shekulli, duke filluar në Gjakovë, mandej, për një kohë të gjatë, rreth njëzet e pesë vjet në Podrimje. Shërbeu në Ratkoc të Rahovecit dhe më në fund përsëri në Gjakovë, në xhaminë e “Mahmud Pashës” dhe atë të “Haxhi Ymerit.”
Mulla Tahir ef. Thaçi ishte burrë i urtë, i ditur, i ndritur, shumë i matur dhe me sjellje shembullore. Për këto cilësi, të gjithë e donin, e respektonin, aq sa disa, disa burra me emër, thoshin: “Nëse ka sot evlija) n’ket dynja) ai, pa shybe) ashtë Mulla Tahir Efendija … !”
Tërë jetën e kaloi fare thjesht, si një besimtar i vërtetë. Kishte një bibliotekë të pasur, vazhdimisht lexonte, shënonte, hulumtonte me pasion. Ishte dashamirë i historisë, i letërsisë, dinte përmendsh vargje të Saadiut, Hafiz Shiraziu, Rumiut, dinte përmendësh bejtet e Myderriz Tahir Efendi Gjakovës, (Vehbijen), bejtet e Shejh Malës etj.
Ka pasur një shkrim shumë të bukur, vërtet artistik! Gati të gjitha diplomat (ixhazetnamet), qysh kur ishte nxënës, janë shkruar prej Tahir Efendiut, sipas porosive të myderrizëve të medreseve të Gjakovës dhe të Prizrenit.
Në dokumentet sekrete të Beogradit, të publikuara nga historiani, dr. Hakif Bajrami, rreth shpërnguljes së shqiptarëve, emri i mulla Tahirit është shënuar dy herë, ku shkruan se: “Dy herë i janë kërcënuar që të shpërngulet për në Turqi. Nëse nuk shpërngulej, do ta burgosnin me familje në Nish … !”
Gjatë viteve 1950-1960, Mulla Tahir Efendiun e burgosën dy herë, ku kishte vuajtur shumë, por ai nuk fliste kurrë, më shumë fliste trupi i tij i dërmuar, i shkretë, se ai vetë ….
Edhe mbas vuajtjes së burgut, Mulla Tahir Efendija jetoi në Gjakovë në skamje, por nuk e lëshoi Gjakovën, Kosovën, derisa i mbylli sytë, duke marrë abdes, për të falë namazin e sabahut, më 4 nëntor 1984, në moshën -86 vjeçare!
U varros po atë ditë në Gjakovë, ku u përcoll me nderime të mëdha, të meritueshme, për në jetën e Amshueshme.
Mulla Tahiri Thaçi ka lënë dy djem, Hamdi Thaçin (1933- 2010) dhe Qemajl Thaçin (1945- 2012) si edhe dy vajza, Munibe (Thaçi) Muçakun dhe Safije (Thaçi) Dorambarin.
Mexhid YVEJSI
Dituria Islame 338