-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Frika te fëmijët dhe shkaqet e trajtimit

Më të lexuarat

Frika është “shpatë me dy teha” nëse mbetet në kuadër të normales dhe formës së saj të natyrshme; ndikon në ruajtjen e qenies së individit dhe mbrojtjen e tij nga shumë rreziqe, ndërsa nëse tejkalon kufirin e saj dhe shndërrohet në (agora-fobi), kjo do të shndërrohet në pengesë të patejkalueshme, gjë që do të ndikojë në pakësimin e aftësive të tij, që të ballafaqohet me sfidat e jetës.

Siguria është një dhunti që Allahu xh.sh. ia dhuron atij që do nga robërit e Tij. Zoti ka thënë: “I Cili i ushqeu pas urisë, dhe i siguroi nga çdo frikë.” (El Kurejsh, 4).

Zoti e ka potencuar sigurinë si një dhuratë dhe dhunti nga ana e Tij për banorët e Mekës. Frika është instinkt, sikur gjithë instinktet tjera, të cilën Zoti e ka krijuar në shpirtin e çdo njeriu me qëllim të mbrojtjes dhe sigurisë së tij. Frika ka shumë definicione, ndërsa mund t’i përmbledhim në atë se frika është:

“Emocion i fuqishëm dhe jo i këndshëm, i cili rezulton nga ndjenja e ekzistimit të një rreziku dhe mundësisë së ndodhjes së tij”. Në të kaluarën shkencëtarët kanë besuar se fëmija lind i furnizuar me instinktin e frikës, mirëpo studimet bashkëkohore aludojnë në atë se frika te fëmija nuk fillon para muajit të gjashtë të lindjes së tij. Ky ritëm vazhdon duke u ngritur në këtë mënyrë derisa të fillojë zbritjen pas moshës gjashtëvjeçare, moshë e cila konsiderohet fillim i periudhës së pjekurisë mendore të fëmijës. Hulumtimet kanë Vërtetuar se 90 % e fëmijëve para moshës gjashtëvjeçare kanë frikë nga gjërat dhe burimet e shumëllojshme.

Shkaqet e frikës

Shkaqet e frikës ndryshojnë nga individi në individ. Është shumë me rëndësi evidentimi i shkakut të frikës, në mënyrë që të kemi mundësi të trajtimit të saj.

Ekzistojnë shkaqe të përgjithshme të frikës, dhe ato mund t’i përmbledhim si më poshtë:

Mund të jetë si rezultat i filtrimit të tepërt ose kritikës dhe mizorisë së tepruar. Kritika e tepruar ndaj fëmijës tek ai rezulton me një ndjenjë të fuqishme të frikës për të bërë ndonjë gabim, gjë që në fund ndikon në humbjen e besimit. Ndërsa filtrimi atë e bën të pavendosur dhe të pafuqishëm në bartjen e vështirësive të jetës, gjë që e bën të ndiejë frikën në çdo përvojë dhe eksperiencë të re që kalon, prandaj kjo çështje kërkon një ekuilibër mes teprimit dhe lehtësimit (filtrimit dhe kritikës). Përvojat jo të këndshme nëpër të cilat kalon fëmija – veçanërisht gjatë periudhave të fëmijërisë së hershme, mbesim vazhdimisht në mendjen e fëmijës, për t’i rikthyer ato pa vetëdije në pozicionet dhe përvojat e ngjashme.

Konfliktet familjare, atmosfera e grindjeve të vazhdueshme te fëmijët lind frikë në të ardhmen.

Dhënia e përparësisë ndaj të tjerëve. Mund të ndodh që fëmija ta përdorë frikën me qëllim të mbizotërimit ndaj prindërve dhe tërheqjes së vëmendjes ndaj tij, e kjo metodë rrit në mënyrë të drejtpërdrejtë ekzistimin e frikës te fëmija, dhe kështu frika shndërrohet në një përvojë të rehatshme dhe të dhimbshme në të njëjtën kohë. Dobësia fizike apo shpirtërore. Dobësia fizike apo shpirtërore pakëson mbrojtjen psikologjike te fëmija, e si rezultat i kësaj tek ai fëmijë formohet frika nga fërkimi me njerëz.

Frikësimi i fëmijës

Fëmija gjatë periudhave të hershme të jetës së tij mendimet e tij i bazon mbi imagjinatën, larg realitetit, e për këtë arsye ai gjatë procesit të të menduarit i nënshtrohet faktorëve të jashtëm më shumë sesa logjikës, dhe kështu reflekton mbi gjërat. Reagimi i tepruar i prindërve ndaj tij. Konfuzioni dhe paniku që i godet nënat gjatë ballafaqimit të fëmijës së tyre me ndonjë vuajtje rrit ndjenjën e frikës te fëmija.

Llojet e veçanta të frikës dhe metodat e tejkalimit të tyre

Frika nga errësira:

Është frikë e natyrshme dhe që ndodh te fëmijët dhe të rriturit. Logjika njerëzore nuk mund të bashkëveprojë me të panjohurën, ndërsa errësira e bën të panjohur atë që na rrethon, e frika e fëmijës nga errësira është njëra nga shenjat e moskuptimit të plotë se ndaj cilës dukuri ekspozohet njeriu. Fëmija, me logjikën e tij të kufizuar, nuk arrin ta kuptojë se gjërat ekzistojnë edhe nëse ai nuk i sheh, sepse gjërat janë statike dhe nuk lëvizin vetvetiu. Ai nuk është në dijeni se errësira i mbulon gjërat që na rrethojnë, dhe se ato ende ekzistojnë mirëpo ne nuk i vërejmë. Prandaj, si rezultat i asaj gjendjeje të moskuptimit dhe imagjinatës që e gëzon fëmija, ai sheh hije dhe fantazma, e që tek ai ngjallin frikën.

Dr. Iin Birman, eksperte e specializuar në trajtimin familjar në Beverliy Hills-Kaliforni thotë: “Kur të bisedojmë për frikën nga vendet e errëta, s’ka dyshim se TV është nga shkaqet më të këqija të këtij problemi te fëmijët. Prindërit nuk arrijnë ta kuptojnë se sa fëmijët ndikohen nga ajo që shfaqet në ekranet televizive. Fotografitë dhe pamjet e gjërave frikësuese, si dhe zërat që shoqërojnë ato gjatë shfaqjes televizive, të tregimeve imagjinare apo reale e frikësuese, veprojnë si faktorë nxitës dhe aktivizues të frikës dhe ndjenjës së saj, si realitet ekzistues që e jeton truri i fëmijës dhe logjika e tij”.

Mirëpo, me rritjen e fëmijës dhe zhvillimin e logjikës së tij pakësohen ato ndjenja të frikës, derisa të zhduken me vitet e avancuara të fëmijërisë, e gjithashtu edhe përmes shpjegimit dhe qëndrimit tonë afër tyre, me qëllim të qetësimit dhe sigurimit të tij, e që ndikon në pakësimin e frikës nga errësira.

Frika nga kafshët:

Është një lloj frike nga e cila vuajnë shumë fëmijë të moshës 2-4 vjeç, dhe nuk është e detyrueshme që fëmija ta ketë pas ndonjë situatë të pakëndshme me kafshët prej të cilave frikësohet, ose ta ketë parë ndonjë person që është dëmtuar prej kafshëve të tilla. Mirëpo, ajo është një periudhë nëpër të cilën kalon fëmija, kryesisht si rezultat i moseksperiencës së tij dhe frikës së tij nga çdo e re e panjohur për të. Me kalimin e kohës kjo frikë pakësohet, pra duke u zhvilluar fëmija, dhe dikur adaptohet në mënyrë graduale.

Frika nga vdekja:

Frika nga vdekja është e natyrshme edhe nëse gjendet te të rriturit. Përqendrimi i fëmijës gjatë periudhës parashkollore fokusohet në egocentrizëm, në të menduarit magjik dhe në animizëm, e për këtë arsye të kuptuarit e tij ndaj realitetit të vdekjes dhe të imagjinuarit e saj në atë periudhë kohore mund të mos jetë i saktë ose i plotë. Plotësimi i të kuptuarit të fenomenit të vdekjes fillon në vitet e tij të mëvonshme: fëmija i moshës dhjetëvjeçare në të shumtën e rasteve nuk mund ta kuptojë vdekjen si fenomen. Kjo frikë mund të jetë si rezultat i kalimit të tij nëpër eksperienca jo të këndshme rreth natyrës së vdekjes, e këto eksperienca zakonisht janë ato që ndodhin nëpër familjet dhe të cilat shoqërohen me të qarje, vajtime, mërzi dhe piskama, ose si rezultat i humbjes së një personi të cilin e ka dashur shumë dhe nuk mund ta pranojë humbjen e tij.

Trajtimi i frikës:

Prindërit e kanë për detyrë që të jenë model i qetësisë dhe stabilitetit në veprimet e tyre përpara fëmijët të frikësuar. Ata duhet ta bëjnë jetën e tyre në formë të natyrshme, në mënyrë që atmosfera familjare që e rrethon fëmijën të jetë motiv i qetësisë dhe sigurisë.

Edhe në kohën kur fëmija ndien frikë, prindi duhet ta qetësojë dhe të flasë me qetësi dhe besim, e jo të përdorë dhunë. Duhet ta pyetur dhe biseduar me të…: Pse po frikësohesh? Ne duam të të ndihmojmë…, ne jemi përkrah teje, etj.

Ulja e ndjeshmërisë dhe kushtëzimi i kundërt karshi burimit të frikës. Rregulli i përgjithshëm thotë se ndjeshmëria e frikës te fëmijët ulet atëherë kur ndërlidhet tema e frikës me diçka të këndshme-të dashur.

P.sh.: nëse vendosim diçka që fëmija e dëshiron në një dhomë gjysmë të errët (një çokollatë), dhe atij i themi shko dhe sille atë çokollatë nga dhoma, kjo do të ketë ndikim pozitiv.

Orvatja për të biseduar me fëmijën rreth realitetit të vdekjes me një formë logjike, duke i shpjeguar në përpikëri se çfarë ndodh…, d.m.th., të orvatemi që fëmija ta kuptojë në formë të thjeshtë (realitetin e vdekjes), duke i thënë se Zoti e ka krijuar vdekjen që t’i sprovojë robërit e Tij, dhe ai që vdes shkon në parajsë për t’u kënaqur, gjithmonë duke iu shmangur përmendjes së ferrit, sepse kjo është periudha e inkurajimit dhe jo e frikësimit. Pra, duhet lënë fëmijën që në imagjinatën e tij të mendojë rreth mirësive të parajsës.

Orvatja për të siguruar modele të mira të bashkëveprimit me frikën, që ngjallin ndjenjën e frikës te fëmija. Baba që frikësohet nga ndonjë shtazë, të orvatet t’i fsheh ato ndjenja të frikës nga fëmija, dhe mos t’i shfaqë ato para tij.

Prindërit të provojnë që ta zvogëlojnë përqindjen e frikës te fëmija, duke ndjekur strategji të bashkëjetesës. Në rast të frikës së fëmijës nga errësira prindi le të ulet me fëmijën në një dhomë, pastaj të fillojë ta zvogëlojë dritën në mënyrë graduale, duke e bërë atë të ndiejë se është bashku me të, dhe se janë të sigurt, ose prindi të flejë bashkë me fëmijën, në dhomën e tij, me derë hapur, dhe për çdo ditë ta mbyllë derën në një masë të caktuar, dhe në këtë mënyrë të veprojë derisa fëmija të adaptohet ndaj errësirës dhe të mos ketë frikë.

Prindërit duhet të orvaten që fëmijës t’ia përforcojnë vetëbesimin, e kjo mund të realizohet përmes lutjes. Ata mund t’ia mësojnë fëmijës shprehjet si: “Zoti është me mua, unë kam mundësi që të përballem me këtë, unë do të bëhem më i fuqishëm, etj.”, ose t’i lexojnë ajete nga Kurani, siç janë kaptina “El-Fatiha”, apo dy kaptinat: “Felek” dhe “Nas”, në mënyrë që ta eliminojë frikën, apo edhe ta përgatitë një incizim (CD ose diç tjetër) që përmban kaptinën “El-Fatiha”, “El-Bekare”, ”Felek” dhe “Nas”, dhe të njëjtën ta futë në përdorim gjatë natës, në mënyrë që fëmija të ndiejë një siguri se Zoti është me të.

Prindërit duhet të orvaten që të bisedojnë më fëmijën dhe ta bëjnë atë të kuptojë se frika është e natyrshme, mirëpo ajo nuk duhet të dominojë ndaj individit sepse më vonë ndikon negativisht.

Prindërit të kenë kujdes, të mos tallen dhe të mos e minimizojnë frikën që shfaqet te fëmijët e tyre, sepse në këtë mënyrë i bëjmë që në të ardhmen ta fshehin frikën, gjë që mund të ndikojë shumë negativisht nga aspekti psikologjik.

Nuk duhet të orvatemi që fëmija ta bëjë një veprim që nuk e dëshiron, si p.sh.: të ulet në një vend të errët në vetmi, sepse kjo mund të ndikojë që ai të goditet me ndonjë pasojë edhe më të madhe të frikës.

T’i edukojmë fëmijët tanë mbi parimin e trimërisë dhe mos të turpërohemi nga frika e fëmijëve tanë.

Është shumë me rëndësi që fëmijën ta mësojmë, përmes fjalës dhe veprës, se ankthi dhe frika janë ndjenja të natyrshme. Gjithashtu është me rëndësi që ai të nxitet në tejkalimin e frikës, duke i premtuar edhe ndonjë dhuratë të veçantë.

Dhe në fund, është e domosdoshme që fëmija mos të ndiejë se prindërit e tij janë lodhur nga përsëritja e fenomeneve të frikës tek ai, ose se ata janë të hidhëruar nga sjelljet e tij. Prindërit duhet të punojnë që të mbjellin ndjenjën e sigurisë te fëmija, përmes sjelljeve të tyre të buta dhe veprimeve të tyre. Dua t’i përkujtoj prindërit se nëse fëmija i tyre nuk e gjen sigurinë brenda familjes, ai nuk do ta gjejë atë askund.

Shahin Mu’tez

Përktheu dhe përshtati nga gjuha arabe: Mr. Vedat Shabani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit