-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Testamenti (el-vesijetu), rregullat dhe dispozitat e tij në Islam (1)

Më të lexuarat

Testamenti është një fenomen shumë i vjetër, ai njihet qysh nga kohët e lashta. Testamenti ekzistonte edhe te grekët, romakët, kinezët, egjiptasit e vjetër etj.. Ai zbatohej edhe tek arabët në kohën e injorancës.

Në disa epoka testamenti shfrytëzohej për qëllime të këqija dhe për padrejtësi. Te romakët kryefamiljari kishte të drejtë që, nëpërmjet testamentit, të vepronte me pasurinë e tij si të donte, pa asnjë kushtëzim, t’u linte testament njerëzve të huaj dhe t’i privonte fëmijët e tij nga e drejta për të trashëguar. Pastaj, më vonë, u ishte dhënë e drejta fëmijëve për të trashëguar një të katërtën e pasurisë, me kusht që ata të ishin sjellë mirë me prindërit e tyre. Tek arabët, në kohën e injorancës, vetëm për krekosje dhe ekspozim u linin testament të huajve, ndërsa të afërmit e vet i linin të varfër e në nevojë. Mirëpo, më vonë, Islami përmirësoi dhe rregulloi destinimin e testamentit në mënyrë të drejtë dhe meritore. Fillimisht, dhe para se të ligjësohej e drejta e trashëgimisë, ai i detyroi njerëzit e pasur që tërë pasurinë e tyre t’ua linin testament prindërve dhe të afërmve. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vetes, testamenti (vasijeti) për prindërit dhe për të afërmit ju është bërë juve obligim, por ashtu siç. është drejtë. Për ata që janë të devotshëm, kjo është detyrë që lypset kryer”. (El Bekare, 180)

Më pastaj, me zbritjen e sures En-Nisa, në mënyrë të detajuar, përcaktohet e drejta e trashëgimisë dhe testamenti i ligjësuar kushtëzohet me dy kushte esenciale:

1. Që testamenti të mos u lihet trashëgimtarëve. Muhamedi a.s. ka thënë: “Vërtet Allahu ia ka dhënë të drejtën secilit (në trashëgimi), për këtë arsye nuk ka testament për trashëgimtarin”. (Ebu Davudi, Termidhiu, Ibn Maxheh, Bejhekiu dhe Imam Ahmedi).

2. Që testamenti të mos jetë më shumë se një e treta e pasurisë, sepse Muhamedi a.s.i tha Sad ibn Ebi Vekasit: “Një të tretën ta japësh, edhe pse është shumë. Është më mirë që pasardhësit e tu t’i lësh të pasur, sesa t’i lësh të varfër, që të lypin derë më derë”. (Buhariu dhe Muslimi)(1)

Normat dhe dispozitat e Sheriatit janë ato që kanë obliguar dhe kanë përcaktuar në mënyrë të prerë e të hollësishme sistemin e trashëgimisë, si dhe kanë identifikuar në mënyrë të qartë përfituesit nga ky sistem, pa ndërhyrjen e vullnetit dhe dëshirës së trashëgimlënësit ose pasardhësve të tij. Mirëpo, duke pasur parasysh se trashëgimlënësi është pronar i pasurisë që ka arritur dhe e ka grumbulluar me përpjekje e mund, urtësia e Allahut të Madhërishëm bëri që ky obligim dhe ky përcaktim të ndërlidhet me vetëm dy të tretat e pasurisë, ndërsa një e treta e saj të mbetet në dispozicion të trashëgimlënësit për të vepruar me të në bazë të vullnetit dhe dëshirës së tij. Të dhurojë atë pjesë të pasurisë kujt të dojë nga ata që i ka të afërm (jotrashëgimtarë), shokë, miq, që janë të varfër etj.. Të kompensojë ndonjë lëshim që ka bërë gjatë jetës së tij dhe të fitojë shpërblimin e Allahut të Madhërishëm duke e destinuar atë për punë të mira-hajrat dhe në interes të Islamit e të muslimanëve në përgjithësi. Testamenti në një aspekt i përngjan institucionit të trashëgimisë, për faktin se realizimi i tij bëhet vetëm pas vdekjes së testamentlënësit. Testamenti është nga mekanizmat që plotësojnë dhe rregullojnë rendin social në Islam.

Urtësia e testamentit

Sikurse çdo vepër e mirë, ashtu edhe testamenti ka vlerën dhe rëndësinë e tij. Përmes tij arrihet e mira dhe dobia në këtë botë e po ashtu arrihet edhe shpërblimi në Botën tjetër. Përmes testamentit mbahen lidhjet me të afërmit (jotrashëgimtarë), ndihmohen të varfrit, plotësohen nevojat e nevojtarëve, mënjanohen vështirësitë e të dobëtëve etj.. Përmes testamentit njeriu realizon punë të mira, të cilat nuk ka pasur rast t’i kryejë më herët.

Kuptimi i testamentit

Testament në kuptimin etimologjik të fjalës do të thotë porosi (autorizim) e dikujt tjetër për të vepruar diçka gjatë jetës ose pas vdekjes (së testamentlënësit). Gjithashtu fjala testament nënkupton edhe dhurim të pasurisë dikujt tjetër. Ndërkaq, në kuptimin terminologjik të Islamit, fjala testament do të thotë sasi e caktuar e pasurisë, e cila, në mënyrë vullnetare, hyn në pronësinë e testamentmarrësit pas vdekjes së testamentlënësit.(2) Testament mund të jenë sende të prekshme-konkrete dhe gjëra jo të prekshme, të cilat mund të shfrytëzohen.

Ligjësimi i testamentit

Testamenti është ligjësuar me argumente të ndryshme nga Kurani, Syneti, ixhmai dhe logjika e shëndoshë.

Argumentet nga Kurani

Allahu i Lartësuar thotë (shih, El Bekare, 180). Fillimisht testamenti ishte obligim që t’u lihej prindërve dhe të afërmve. Pastaj ky ajet u shfuqizua me ajetet e trashëgimisë në suren Nisa, gjegjësisht u ndalua vetëm testamenti për trashëgimtarët. Po ashtu Allahu i Madhërishëm në suren Nisa thotë: “(kjo e drejtë e trashëgimit bëhet) pasi të kryhet testamenti (vasijeti) që ka lënë dhe pasi të lahet borxhi” (En-Nisa, 11) dhe “pas kryerjes së testamentit që keni përcaktuar ose borxhit” (En-Nisa,12)

Dy ajetet e fundit e përmendin trashëgiminë si një e drejtë që zbatohet pas kryerjes së testamentit dhe pas larjes së borxhit. Pra, fillimisht realizohet testamenti e pastaj bëhet ndarja e trashëgimisë. Vlen të përmendet se, edhe pse borxhi është përmendur pas testamentit, ai duhet të lahet para realizimit të testamentit. Aliu r.a. ka thënë: “Vërtet ju e lexoni këtë ajet “(kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pasi të kryhet testamenti (vasijeti) që ka lënë dhe pasi të lahet borxhi”, mirëpo Muhamedi a.s. ka gjykuar se borxhi duhet të lahet para realizimit të testamentit”. (Tirmidhiu)

Argumentet nga Syneti

Kur Muhamedi a.s. vajti për të vizituar Sad ibn Ebi Vekasin, që ishte i sëmurë në Meke, ai i tha Muhamedit: ”O i dërguar i Allahut, unë kam shumë pasuri dhe vetëm një vajzë të vetme, e cila më trashëgon. A më lejohet t’i dhuroj 23 e pasurisë”? Profeti a.s. i tha: ”Jo”. Sadi e pyeti sërish: “Po sikur të jap gjysmën e pasurisë”?! Profeti a.s. iu përgjigj: ”Jo”. Sadi e pyeti: “Po sikur të jap vetëm 13-tën”? Këtë herë Profeti a.s. iu përgjigj: ”Të japësh një të tretën, edhe pse është shumë. Është më mirë që pasardhësit e tu t’i lësh të pasur, sesa t’i lësh të varfër, që të lypin derë më derë”. (Buhariu dhe Muslimi) Po ashtu Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk është e drejtë për një mysliman, që ka diçka për të lënë si testament, që ai të kalojë më tepër se dy net pa shkruar një testament për të”. (Buhariu dhe Muslimi)(3)

Argumenti i Ixhmait

Të gjithë dijetarët muslimanë janë pajtuar që testamenti (vasijeti) është i lejuar dhe për këtë çështje nuk ka asnjë dallim.

Argumenti logjik

Nevoja e njerëzve që, nëpërmes testamentit, t’i shtojnë veprat e mira dhe të afrohen sa më shumë tek Allahu i Madhërishëm. Testamenti mundëson realizimin e veprave të mira, të cilat nuk janë kryer më herët.

Llojet e testamentit

Sipas dijetarëve islamë, testamenti mund të jetë: vaxhib (i obliguar), mubah (i lejuar), mustehab (i pëlqyer), mekruh (i urryer) dhe haram (i ndaluar).

Testamenti vaxhib (i obliguar)

Testamenti është vaxhib në raste kur trashëgimlënësi ka detyrime ndaj të tjerëve, si, p.sh., testamenti për larjen e borxheve në vlera monetare ndaj njerëzve, të cilat janë të pashkruara në ndonjë dokument, i cili vërteton pronësinë dhe borxhdhënësin. Po ashtu vaxhib është testamenti kur personi ka obligime ndaj Allahut. P.sh., nëse njeriu nuk i ka kryer obligimet materiale ndaj Allahut të Madhërishëm, si zekatin, haxhin a ndonjë kefaret (kompensimi për shkeljen e ndonjë detyrimi në Sheriatin islam).(4) Në raste të tilla trashëgimlënësi e ka obligim të lërë testament që prej pasurisë së tij të jepet zekati, të kryhet kefareti etj..

Në raste të tilla testamenti është i domosdoshëm dhe, në rast mospërmbushjeje, trashëgimlënësi konsiderohet mëkatar. Duhet përmendur se, në rast se trashëgimlënësi ka obligime që ndërlidhen me të drejtat ndaj njerëzve dhe me të drejtat ndaj Allahut të Lartësuar, e testamenti i lënë në vlerë të një të tretës së pasurisë së tij nuk mjafton për shlyerjen e të gjitha këtyre obligimeve, atëherë përparësi ka shlyerja e detyrimeve që kanë të bëjnë me të drejtat ndaj njerëzve. Enëse trashëgimlënësit i janë bashkuar obligimi i haxhit e i zekatit, dhe testamenti në vlerë të një të tretës së pasurisë së tij nuk mjafton për kryerjen e të dy obligimeve, atëherë haxhi ka përparësi ndaj zekatit, e këto të dyja kanë përparësi

ndaj kefareteve.(5)

Testamenti mubah (i lejuar)

Mubah është testamenti që nuk e kalon një të tretën e pasurisë. Mubah (i lejuar) është testamenti edhe për të pasurit, qofshin ata të afërm (jotrashëgimtarë) apo të largët.

Testamenti mustehab (i pëlqyer)

Nëse njeriu posedon shumë pasuri, është mustehab që të lërë testament diçka prej pasurisë së tij. Duhet ditur se mustehab (i pëlqyer) është testamenti që është më pak se një e treta e pasurisë, pavarësisht nëse trashëgimtarët janë të pasur a të varfër. Mustehab (i pëlqyer) është testamenti për të afërmit (jotrashëgimtarë) dhe për nevojtarët. Po ashtu mustehab është testamenti i cili dedikohet për hajratë-punë të mira.

Testamenti mekruh (i urryer)

Mekruh është testamenti i lënë për njerëz që janë mëkatarë. Po ashtu, mekruh është testamenti nëse trashëgimlënësi ka pak pasuri e trashëgimtarët e tij janë të varfër dhe në nevojë.

Testamenti haram (i ndaluar)

Haram (i ndaluar) është testamenti i lënë për realizimin e mëkateve si p.sh. të lihet testament për blerjen a prodhimin e pijeve alkoolike, testamenti për mbytje, vrasje etj.. Po ashtu haram është testamenti që lihet për realizimin e projekteve të dëmshme, të cilat kanë për qëllim prishjen e moralit dhe shthurjen e shoqërisë në përgjithësi.

E ndaluar (haram) është t’i lësh testament trashëgimtarit, Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk ka testament për trashëgimtarin”. Po ashtu (haram) është edhe testamenti që është më shumë se një e treta e pasurisë.(6)

Muhamedi a.s. ka thënë: “Një të tretën ta japësh, edhe pse është shumë”. Duhet përmendur se, nëse lihet testament më shumë se një e treta e pasurisë, dhe këtë e lejojnë trashëgimtarët, atëherë ai testament realizohet. E nëse këtë nuk e lejojnë trashëgimtarët, atëherë testamenti kthehet në kufirin e një të tretës së pasurisë së testamentlënësit, e ç‘është më shumë se një e treta nuk realizohet. Gjithashtu vlen të theksohet se, testamenti për trashëgimtarin mund të realizohet vetëm nëse këtë e lejojnë trashëgimtarët e tjerë. I ndaluar (haram) është edhe testamenti që ka për qëllim t’i dëmtojë trashëgimtarët. Allahu i Lartësuar thotë: (shih: En-Nisa, 12).

(vijon)

1) El-Fikh el-Islami ve ediletuhu, prof.dr.Vehbet Ez-zuhejli, v.10, f.7438-7439, bot.4.2002, Darul Fikr,Dimeshk.

2) Po aty, f.7440.

3) Hadithi i lartpërmendur nuk nënkupton përkufizimin e lënies së testamentit brenda dy netësh. Hadithi ka për qëllim nxitjen për të lënë testament.

4) Bedaius-Sanaiu fi tertip esh-Sherai, Alaudin Ebi Bekr bin Mesud el Kasani, v.10, f.472- 473, bot.1.1997, Darul Kutub el Ilmijetu.

5) Kitabul Fikh alel medhahib el-erbeatu, Abdurrahman bin Muhamed el-Xheziri, f.796, bot.1.2001, Dar ibn Hazem, Bejrut.

6) El-Fikh el-Islami ve ediletuhu, prof.dr.Vehbet Ez-zuhejli, v.10, f.7445.

Mr. Fitim Gashi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit