9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kazakistani – Përhapja e fesë islame në Kazakistan

Më të lexuarat

Të dhëna statistikore(1):

Të dhëna statistikore(1):

• Emri ndërkombëtar në anglisht: Kazakhstan.

• Emri zyrtar: Republika e Kazakistanit.

• Sistemi i qeverisjes: Republikë.

• Sipërfaqja: 2,724,900 km2,

• Numri i banorëve: 16. 600.000 (2011).

• Dendësia: 5. 94 (banorë në 1 km2).

• Feja: Myslimanë 70.2%, të krishterë 26.2% dhe të tjerë 3.6%.

• Kryeqyteti: Astana.

• Qytete të tjera: Almaty (konsiderohet qyteti më i madh në vend), Karagandy, Aktobe, Kostanay, Mangystau, Kyzylorda, etj.

• Grupet etnike: kazakë 63.1%, rusë 23.7%, uzbekë 2.9%, ukrainas 2.1%, ujgurë 1.4%, tatarë 1.3%, gjermanë 1.1 % dhe të tjerë 4. 5%.

• Gjuhët kryesore: kazake (gjuhë e parë zyrtare) dhe ruse (gjuhë e dytë zyrtare).

• Njësia monetare: Tenge, (1.00 KZT = 0.0050 EUR).

• Data e pavarësisë: 16 Dhjetor 1991 (nga Bashkimi Sovjetik).

• Festë kombëtare: 25 Tetor 1990 (dita e Republikës).

Pozita gjeografike

Kazakistani, si një shtet me sipërfaqe të madhe, pjesa më e madhe e të cilit i takon kontinentit të Azisë dhe pjesërisht Evropës Lindore, bie në veri të Azisë Qendrore, përkatësisht në lindje të liqenit Ural, që tradicionalisht është pjesë e kufirit në mes të Evropës dhe Azisë. Sipërfaqja totale e vendit afërsisht arrin deri në 2. 717.

300 km2, prej saj 2. 669. 800 km2 i takojnë zonës tokësore dhe 47. 500 km2 i takojnë zonës ujore. Gjatësia e përgjithshme e kufijve tokësorë të vendit arrin në 12.185 km. Republika e Kazakistanit kufizohet me pesë shtete fqinje: nga veriu kufizohet me Rusinë me një gjatësi prej 6846 km2 nga lindja me Kinën, me gjatësi prej 1533 km2: nga jugu me Kirkizstanin në një gjatësi deri në 1224 km2 dhe po ashtu nga jugu me Uzbekistanin në gjatësi deri në 2203 km, po edhe me Turkmenistanin me një gjatësi prej 379 km dhe me liqenin Ural në një gjatësi deri në 1070 km; nga perëndimi me liqenin (detin) Kaspik me një gjatësi prej 1894 km2.

Edhe pse Kazakistani ka shumë forma të terrenit, në fakt konsiderohet një pllajë e sheshtë. Zonat e ulëta në vend përfshijnë më shumë se një të tretën e zonës së tërësishme. Ndërkohë e përshkojnë disa kodrina dhe male. Ndërkaq, rajonet malore përfshijnë rreth 200% të sipërfaqes së tërësishme të vendit(3).

Bazuar në të dhënat e vitit 2007, Republika e Kazakistanit ka gjithsej 97 aeroporte, 65 prej të cilëve janë të asfaltuara, kurse 32 të paasfaltuara. Në vend ka edhe një numër të konsiderueshëm portesh detare, prej tyre më kryesoret janë porti Aqtau, Atyrau, Oskemen, Pavlodar dhe Semey(4). Shteti i Kazakistanit ka një numër të konsiderueshëm institucionesh të larta arsimore. Prej universiteteve më të njohura në vend janë:

Universiteti Shtetëror i Kazakistanit, Universiteti Pavlodar, Universiteti Turan, Universiteti Ekonomik Kazak, Universiteti Shtetëror Teknik Kazak(5).

Astana: Si kryeqytet i Republikës së Kazakistanit ka një popullsi prej 705.897 (sipas statistikave të vitit 2010). Ky qytet ndodhet në qendrën veriore të vendit dhe që nga viti 1998 është kryeqytet i Kazakistanit, si dhe është qyteti i dytë më i madh në vend. Këtë qytet e ka ndërtuar presidenti Nur Sultan Nazarbajev, i cili u shpall kryeqyteti i vendit pas pavarësisë së republikës, për të zëvendësuar kryeqytetin e mëparshëm Almaty. Ndërkaq, si qytet njihet që nga viti 1830. Fjala Astana domethënë “kryeqytet”. Astana konsiderohet qendra kryesore e hekurudhave në rajon. Astana është e njohur në Kazakistan për prodhimin e drithërave dhe blegtorisë, njëherësh llogaritet si qendër për industrinë ushqimore dhe të prodhimit. Pozita e Astanës është e shtrirë pranë lumit “Eshim”, i cili rrjedh në fushat veriore-qendrore të Kazakistanit. Gjithashtu, kryeqyteti shtrihet në një zonë të rrafshët gjysmë-shkretinore, sa kohë që kjo shkretëtirë mbulon shumicën e rajoneve të vendit.(6)

Historia e Kazakistanit

Kazakët autoktonë kanë qenë fise nomade, të cilat u vendosën në zonat e Kazakistanit të sotëm në fillim të erës sonë, kurse feja islame në mesin e tyre u përhap në shekullin XIII. Ata bënin migrime sezonale, në kërkim të kullotave për kopetë e tyre të deleve, kuajve dhe bagëtive të tjera. Edhe pse fiset kazake kishin hanët (kryetarët) e tyre, ata nuk u bashkuan në një shtet dhe nën komandën e një udhëheqësi.

Këto, fise në shekullin XIII ranë nën sundimin e mongolëve, për të mbetur kështu nën sundimin e tatarëve deri në vitin 1735, atëherë kur pushtimi rus kishte filluar shtrirjen në ato rajone. Pastaj, midis viteve 1822 e 1848, Rusia cariste kishte përfunduar pushtimin e zonave të Kazakistanit, ndërsa në vitin 1865 rusët okupuan edhe qytetin Almati, i cili ishte një qendër e njohur tregtare. Kazakistani në vitin 1920 u bë republikë sovjetike, autonome, kurse në vitin 1936 u bë një nga republikat që përbënin Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1989, Nur Sultan Nazarbajev – një reformator modern kombëtar u bë udhëheqës i Partisë Komuniste Kazake, i cili paraqiti një program të reformës ekonomike, kulturore, si dhe inkurajoi investitorët e huaj për të bërë investime në vend. Në vitin 1990 Nazarbajev u bë kryetar i shtetit, kurse në vitin 1991 vendi hoqi dorë nga Partia Komuniste Kazake dhe u bashkua me Bashkësinë e Shteteve të Pavarura, dhe kjo – ky veprim u shpall në qytetin Almati, dhe kështu Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohën pavarësinë e Kazakistanit. Pastaj, në vitin 1992 Kazakistani u pranua anëtare në Kombet e Bashkuara dhe në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian. Në qershor të vitit 1992 populli miratoi një kushtetutë të re dhe filloi të ndërtoj sistemin e pluralizmit politik dhe Nazarbajev u zgjodh president i padiskutueshëm i vendit. Më në fund, në zgjedhjet legjislative që u mbajtën në mars të vitit 1994, Partia në fjalë korri një fitore bindëse në këtë vend … (7).

Historia e përhapjes së islamit në Kazakistan

Feja Islame në Kazakistan arriti pasi kishte arritur në Buhara, Samerkand dhe Tashkent

– qytete në Uzbekistanin e sotëm -. Kur komandanti i mirënjohur Kutejbe ibn Muslim

El Bahili mori komandën e Horasanit në kohën e halifit emevit Abdul Melik ibn Mervan (65 – 86 h / 685 – 705 m), kaloi mbi 14 vjet përtej lumit Sejhun (Serdaria) në vënien e shtyllave të Islamit. Çlirimet e komandantit Kutejbe patën arritur deri në Kashgar – qytet në Turkistanin e sotëm – pranë kufijve të Kinës. Pastaj, në kohën e halifit më të drejtë të Dinastisë Emevite, Umer ibn Abdul Aziz (99-101 h/717-720 m) vazhdoi përhapja e Fesë Islame nëpër ato zona. Ky halif dërgoi ushtarë myslimanë tek mbretërit e zonave përtej lumit – Xhejhun -, d.m.th. në Kazakistanin e sotëm, për t’i ftuar popujt e tyre në Islam dhe disa prej tyre pranuan Islamin që atëherë, e të tjerët e pranuan në kohën e halifit tjetër emevit, Hisham ibn Abdul Melikut (105 – 125 h / 724 – 743 m). Mandej përhapja e Fesë Islame nëpër këto zona u rrit edhe më shumë gjatë periudhës së Dinastisë Abasite (132 – 923 h / 750 – 1517 m). Rreth përhapjes së Fesë Islame në këto rajone, ka mundësuar njëkohësisht edhe Islami i turqve selxhukë, kontributi i të cilëve në këtë drejtim ka qenë i dukshëm(8).

Klima

Klima në Kazakistan është ekstreme, shumë e ftohtë në dimër dhe kryesisht e nxehtë gjatë verës. Kjo gjendje vjen për shkak të largësisë së vendit nga sipërfaqet bregdetare dhe për shkak se ndikimi klimatik i detit Kaspik në këto zona është shumë i kufizuar. Temperaturat rriten kryesisht gjatë muajve të verës, si p.sh. temperaturat mesatare në korrik sillen në mes 27 gradë Celsius në veri dhe 33 gradë Celsius në jug të vendit. Megjithatë, gjatë muajve të dimrit temperaturat bien në mënyrë ekstreme, si p.sh. temperaturat mesatare në rajonet qendrore dhe veriore të vendit sillen rreth 15 e deri në 35 gradë Celsius nën zero. Të reshurat atmosferike përfshijnë kryesisht zonat veriore të vendit, kurse në zonat e tjera bien pak shira, me përjashtim të fushave të larta malore, ku shiu i madh reflekton dukshëm në bimësinë e vendit. Pra, në këto fusha të larta malore shihen pyje të dendura si rriten në shpatet e larta në lindje dhe në juglindje të vendit.(9)

Gjendja ekonomike

Republika e Kazakistanit ka pasur sukses në arritjen e stabilitetit ekonomik dhe të prodhimit në vend. Faktikisht, prodhimi filloi të rritej me një intensitet të madh, kur ekspertë të pavarur vlerësuan thellësinë dhe ritmin e reformave ekonomike në Kazakistan, të cilat e bënë vendin të jetë në ballë të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura. Sot, pas dhjetë vjetësh, Kazakistani është një vend me një industri të rehabilituar plotësisht, që prodhon 1 milion bermile (fuçi) naftë në ditë, 14 miliardë kub gaz, 85 milion ton qymyr dhe 65 kWh të energjisë elektrike, si dhe me prodhimin e hekurit dhe të bakrit zë vend bë grupin e atyre të përparuara në botë. Kazakistani është një vend i madh bujqësor dhe prodhon 15 milionë tonë grurë e 400 mijë tonë pambuk. Kazakistani ka arritur të bëhet edhe një shtet me shtrirje në hapësirë, sepse arrin të dërgojë pilotët e tij nëpër gjithësi dhe kështu u bë një nga vendet e pakta në botë që bartin këtë status. Kazakistani nga Bashkësia Ndërkombëtare njihet si një shtet me ekonomi të lirë dhe që ka krijuar kushte të përshtatshme për investimet e huaja, prandaj Kazakistani, në bazë të sistemit të vet financiar, zë vendin e parë në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura.(10)

_______________________

(1) Vladimir Zoto Enciklopedi gjeografike e botës, f. 111. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame, f. 101. Logos-a, 2009, Shkup. Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 460. Mektebetul Adab, 2007, Kajro. ar. wikipedia. org

(2) www.marefa.org. www.moqatel.com.

(3) www.kazembgulf.net

(4) www.moqatel.com

(5) www.bulter.nl

(6) www.marefa.org

(7)MuhammedAtris.Ibid. f. 461, 462.

(8) Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani; El Vexhiz fi Gjugrafia El Alem El Islami, f. 143. Dar Alern El Kutub, 1997, Rijad.

(9) Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani, Ibid f. 143. www.kazembgulf.net

(10) www.kazembgulf.net

Mr. Samir B. Ahmeti

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit