9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Ambasada amerikane dënon sulmet ndaj gazetarëve në veri

Më të lexuarat

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës ka dënuar sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve në veri të vendit, duke përfshirë edhe ato që ndodhën këtë të premte.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se nëntë gazetarë janë sulmuar gjatë ditës në Leposaviq, prej tyre disa kanë mbetur të lënduar.

E ambasada amerikane ka ripërsëritur thirrjen që mediat të mund të punojnë pa dhunë dhe frikësim.

“Dënojmë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe ato që ndodhën sot. Përsërisim thirrjen tonë që mediat të jenë në gjendje të punojnë pa dhunë dhe frikësim”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Për rastin ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka thënë se palët që në anën e kundërt janë të zëshme për situatën në veri duhet të reagojnë dhe të dënojnë sulmet ndaj gazetarëve.

Përmes një reagimi në Twitter, kreu i ekzekutivit kosovar ka deklaruar se sulmet fizike ndaj atyre që raportojnë nga terreni janë të papranueshme.

Ai gjithashtu ka publikuar një video, ku shihet kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, duke u sulmuar nga bandat kriminale në Leposaviq.

“Një tjetër gazetar është sulmuar brutalisht teksa mbulonte zhvillimet në veri të Kosovës sot nga persona të maskuar. Sulmet fizike ndaj atyre që raportojnë nga terreni janë absolutisht të papranueshme dhe duhet të dënohen nga të gjitha palët që në anën e kundërt janë të zëshme për situatën”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa, kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka dënuar ashpër këtë sulm dhe ka kërkuar që kriminelët të vihen para drejtësisë.

Ai ka thënë se nëse Bashkimi Evropian e toleron këtë agresion të Serbisë, dialogut i humbet kuptimi.

“Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazetarëve të mediave kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës. E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e tij në Facebook./Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit