Një ditë më parë në Bruksel u mbajt takimi i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, ndërkaq pas takimit pati edhe deklarata lidhur me raportet Kosovë-Serbi dhe zhvillimin e dialogut.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell deklaroi se tensionet dhe provokimet të Serbisë dhe Kosovës duhet të mbarojnë.
Ai tha se zbatimi i plotë dhe i shpejtë i marrëveshjes së arritur në Bruksel është rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënies Kosovë – Serbi.
“Bashkimi Evropian është për bashkëpunim, është për fqinjësi dhe për të jetuar së bashku. Për këtë zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës është rruga e vetme drejt normalizimit. Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të mbarojnë”, është shprehur përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së.
Sipas tij, atmosfera negative e mungesa e konstruktivitetit duhet të përmbyset.
Kjo pasi theksoi se të jesh anëtar i BE-së nënkupton të jesh në gjendje të bashkëpunosh, të veprosh si fqinj i mirë dhe të tejkalosh gjitha vështirësitë e kaluara.
Në këtë takim që u mbajt më 22 maj, morën pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell po ashtu porositi shtetet që nuk kanë përshtatur politikën e jashtme me atë të BE-së, që të ndryshojnë sjelljen e tyre.
Ai po ashtu paralajmëroi Serbinë se aspiratat e saj euroatlantike nuk përkojnë me raportet që Beogradi ka me Rusinë.
Ndërkaq, edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se gjatë takimit, disa ministra theksuan rëndësinë e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Natyrisht që normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një prej temave që sfidojnë rajonin tonë. Unë kam paraqitur qëndrimin e Republikës së Kosovës që ne marrëveshjen që kemi lidhur në Bruksel dhe fazën e implementimit në Ohër e shohim si një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe që presim nga Serbia – edhe pse sinjalet janë jo të mira, ngase edhe ju jeni dëshmitarë se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, ministri i Jashtëm [serb, Ivica] Daçiq, por dhe shumë të tjerë, në vazhdimësi jo vetëm që refuzojnë implementimin, por edhe mohojnë ekzistencën e një marrëveshje të tillë”, tha Gërvalla pas takimit.
Ajo po ashtu tha se takimi me zyrtarët e BE-së ishte i “frytshëm” dhe u diskutua për sfidat që po përballet Evropa dhe Ukraina, por edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla
“Është e rëndësishme që të takohemi sa më shpesh që të mundemi sepse nga ky dialog ne shpresojmë që të kemi një proces më të mirë dhe më të shpejtë të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha ajo.
Gërvalla tha po ashtu se në takim disa pjesëmarrës “theksuan se është e rëndësishme që të gjitha shtetet e rajonit të mbështesin politikën e jashtme të BE-së dhe se sanksionet janë pjesë e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Evropës”.
Temat kryesore të takimit në Bruksel, përveç raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ishin edhe situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. /Telegrafi/