-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Surja Nasr, sihariqi i gëzueshëm dhe i hidhërueshëm i Allahut

Më të lexuarat

Surja Nasr përbëhët nga tri ajete dhe ka zbritur në Medine. Trasmetohet nga Aishja r.a., nëna e besimtarëve, se ka thënë: “Pasi zbriti surja En-Nasr, Profeti a.s. në rukutë dhe sexhdet e namazeve të tij e bënte më shpesh lutjen: “İ Lartësuar qofsh o Allah, Zoti ynë, ty të takojnë falënderimet. O Allah më fal”.[1]

Kjo sure është emërtuar “En-Nasr”, sepse nga vetë ajeti i parë i saj, shohim realizimin e premtimit të Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, se ai do të ngadhënjente me ndihmën e Allahut dhe do të hynte triumfalisht në Mekë, kurse pas çlirimit të saj, do të shihte njërën prej shenjave më të mëdha të ngadhënjimit të misionit të tij, kur njerëzit do ta përqafonin fenë islame grupe-grupe, e jo individualisht si deri atëherë.

Ibni Abbasi rrëfen se si një ditë Omeri r.a. e kishte marrë pranë vetes në një tubim, ku ishin veteranët e luftës së Bedrit, dhe kur disa prej tyre e panë Ibni Abbasin aq të ri në mesin e tyre, u prekën dhe i thanë Omerit: Përse gjithnjë e merr këtë djalosh pranë vetes në tubimet tona, përderisa edhe ne kemi djem të moshës së tij?” Atëherë Omeri ua ktheu: “Sepse ky djalosh është i tillë çfarë është” (duke aluduar për dijen dhe zgjuarsinë e tij)”. Dhe kur, një ditë tjetër, Omeri më ftoi në një tubim të tyre, e kuptova se më kishte ftuar vetëm që t’i demonstroja para tyre njohuritë e mia. Omeri u ngrit dhe i pyeti veteranët e luftës së Bedrit: “Ç’thoni për fjalët e Allahut “Idha xhae nasrullahi uel fet’h…”? deri në fund të saj. Disa prej tyre thanë: “Allahu na ka urdhëruar ta falënderojmë Atë dhe të kërkojmë falje prej tij (istigfar), pasi që na mundësoi të ngadhënjejmë dhe ta çlirojmë Mekën”, kurse të tjerët heshtën. Atëherë Omeri m’u drejtua me fjalët: Vallë, kështu mendon edhe ti, Ibn Abbas? Jo, – ia ktheva unë. Po atëherë ç’thua ti për këto fjalë të Allahut?, më pyeti prapë Omeri. Ky është paralajmërim i vdekjes së Profetit, – ia ktheva unë, – sepse pas fitores dhe ngadhënjimit, Allahu e urdhëronte të Dërguarin e Tij ta madhëronte Atë dhe të kërkonte falje e pendim nga Ai (në prag të vdekjes). Atëherë Omeri tha: “As unë nuk di për ndonjë komentim tjetër përveç këtij që thua ti, o Ibn Abbas.”

Komentuesit e Kuranit janë të mendimit se kjo sure, jo sipas ajeteve, por sipas sureve, është surja e fundit e zbritur nga Allahu.

 

Koment:

 

  1. Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)

 

Nasrullah, do të thotë ndihma e Allahut. Është ndihma për të cilën Allahu i ka dhënë fjalën Profetit a.s. dhe myslimanëve se do t’i ndihmojë për të qenë ata fituesit dhe ata që do të arrijnë çlirimin. Sipas disa komentuesve, kjo ndihmë dhe arritja e çlirimit është ndihma me të cilën Profeti do të arrijë fitoren ndaj Kurejshve dhe çlirimin e Mekës. Ndërsa të tjerë thonë se me fjalën çlirim, nuk kuptohet vetëm çlirimi i territoreve gjeografike, por edhe çlirimi i zemrave nga mohimi dhe drejtimi i tyre drejt besimit. Por arsyeja pse shumica e komentuesve thonë që çlirimi në këtë sure tregon çlirimin e Mekës, është se zemrat e mohuesve të mbyllura ndaj besimit që ndodheshin në Mekë dhe në Taif do të zbuten ndaj Islamit vetëm pas çlirimit të Mekës. Dhe vërtet, pas kësaj ngjarjeje, İslami u përhap në mënyrë shumë të shpejtë në të gjitha vendet rreth e rrotull.

Lulëzimi materialisht dhe shpirtërisht i İslamit në Gadishullin Arabik dhe më tej, filloi nga dera e hapur e Mekës me anë të çlirimit të saj. Padyshim se, çlirimi i Mekës mund të quhet një triumf përfundimtar, sepse pas kësaj ngjarje shpresat e politeistëve të Mekës ishin shuar njëherë e përgjithmonë. Me këtë ngjarje, lihej pas koha ku njerëzit e përqafonin Islamin fshehurazi dhe kalohej në kohën ku njerëzit e pranonin atë grupe grupe.

 

  1. Dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe

Në këtë ajet është përdorur fjala “duke hyrë” dhe jo fjala “hynë”, si argument se njerëzit nuk hynë në İslam njëherësh, por disa prej tyre hynë dhe tjerët do të vazhdojnë të hyjnë në İslam vazhdimisht. Fjala “Naas” (Njerëz), përfshin jo vetëm arabët, por edhe të tjerët që jetuan në atë kohë dhe që do të vinin në jetë më vonë deri në Ditën e Gjykimit, se do të hynin në İslam e do të besonin fenë e pastër.

Që nga çlirimi Mekës deri në ndarjen nga jeta të Profetit a.s., brenda dy vitesh pothuaj të gjithë fiset e Gadishullit Arabik do të pranonin Islamin në grupe e bashkësi dhe për një kohë të shkurtër do të merrnin identitetin e Islamit dhe do të bëheshin shtetas të shtetit me në krye Profetin a.s.

  1. Madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve

Në këtë ajet kuranor, i Dërguari a.s. porositet nga Krijuesi i tij që ta lartësonte me madhërim Atë dhe të kërkonte falje e mëshirë nga Ai. Sepse është Allahu që me fuqinë e Tij ia ka mundësuar përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme. Komentuesit, teksa sqarojnë kuptimin e vërtetë të këtij ajeti, janë unanimë se ky ajet ka të bëjë më shumë me umetin e Muhamedit a.s., por ftesa për një gjë të tillë bëhet nëpërmjet Profetit a.s. Përmes këtij ajeti na bëhet me dije se ç’rëndësi të madhe ka istigfari, madhërimi i Allahut dhe pendimi. Kurse, nga aspekti i akaidit, kjo çështje është e prerë, do të thotë se Profetët janë të mbrojtur nga mëkatet, ndonëse edhe ata mund të kenë ndonjë lëshim të vogël, që nuk ndërlidhet me shpalljen. Fundja edhe ata ishin njerëz nga mishi dhe shpirti, ashtu si njerëzit e tjerë, vetëm se Allahu i dalloi nga të tjerët me shpallje.

Një çështje tjetër që ia vlen të theksohet është edhe ndryshimi midis profetit dhe liderit të thjeshtë. Lideri, kur arrin ndonjë sukses në drejtimin e tij, e kurorëzon me organizime të ndryshme festive. Ndërsa Profeti brenda një hark kohor prej 23 vjetësh, arrin që te një popull i rrënuar plotësisht, të ndryshojë besimin, mendimin, moralin, kulturën, çështjet politike, mentalitetin ekonomik e luftarak dhe t’i ngrejë ata nga një shoqëri e zhytur në injorancë të plotë, në një bashkësi që do t’i printe për shekuj me radhë qytetërimit dhe civilizimit botëror. Por në vend që të festojë e të organizojë evenimente, Profeti, me përuljen më të madhe e falënderon dhe e lartëson Zotin, që i ka bërë të mundur arritjen e këtij suksesi.

Tregohet se në kohën që Profeti a.s. ia lexoi këtë sure shokëve të tij, ata u gëzuan shumë. Ndryshe nga të tjerët, xhaxhai i tij, Abbasi filloi të qajë. Profeti e pyeti: “Pse po qan, o xhaxha i dashur?” Abbasi u përgjigj: “Po njoftohemi për afrimin e ndarjes tënde nga jeta”. Profeti a.s. i tha: “Ashtu është vërtet”.

Muhamedi a.s. ishte dhe do të mbetet gjithmonë simbol i thirrësit më të madh dhe më të përkushtuar në rrugën e Allahut. Ky i Dërguar, mëshirë për mbarë njerëzinë, kur Aishja pasi e kishte parë t’i ishin enjtur këmbët nga namazi i shumtë, i tha: Përse po falesh kaq shumë, kur ty Allahu t’i ka falur të gjitha? –u përgjigj: “Vallë, a të mos jem rob falënderues dhe mirënjohës!”

Redaksia

[1] Tefsiru Sure 110, 1, 2; Muslim, Salat, 218-220.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit