2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Namazi i sabahut masë e dashurisë ndaj Allahut të Lartësuar

Më të lexuarat

Djaloshi ishte shumë i lumtur kur mori lajmin se kompania kishte rënë dakord ta merrte në punë. Fluturoi nga gëzimi ngase ishte i vetmi nga kandidatët e tjerë që e fitoi këtë vend pune. Kontrata e punës kërkonte prej tij që ta respektonte orarin, të siguronte raportet javore për aktivitetet e tij dhe të jepte llogari në rast të mosrespektimit të kësaj kontrate.

Kur kaluan disa ditë, djaloshi iu drejtua menaxherit të tij: “Unë nuk do të filloj nesër punën në orarin e duhur, raportet nuk mund t’i siguroj në kohë, do t’i vonoj pak, nuk kam nevojë të jap për këtë llogari e as të më ndërpritet kontrata.”

Nëse imagjinojmë këtë pozicion, do të qeshim e do të tallemi me këtë djalosh, madje dikush mund ta vlerësojë si çmenduri dhe diçka qesharake. Si kërkon diçka që nuk e meriton?!

Po shumë prej nesh kryejnë të njëjtin akt të çuditshëm, madje edhe më të ashpër, kur është fjala për raportin me Allahun aze ue xhele. Si ia lejon njeriu vetes që të shijojë dhuntitë që ka përreth; ushqimin, pijet, veshjen dhe kënaqësitë e botës dhe pastaj të mos kryejë ndaj Allahut detyrën themelore që është i obliguar, që është namazi?! Edhe nëse e praktikon, e bën në një moment të pakohë, pa përkushtim dhe shumicën e rasteve nuk është në dijeni se çfarë vepron.

Në një sondazh për opinionin, në të cilin morën pjesë më shumë se 8800 vizitorë të faqes sonë, nëpërmjet radios Rruga e Islamit, ne kemi kërkuar nga vizitorët në këtë faqe se sa ditë e kanë falur namazin e sabahut javën e shkuar duke qenë të përkushtuar. Ne nuk e kishim kushtëzuara namazin në xhami. Rezultati ishte zhgënjyes.

34% nuk ishin të përkushtuar asnjë ditë
15 % ishin falur një herë ose dy herë gjatë gjithë javës
19 % ishin falur prej tre deri në gjashtë herë
31% ishin falur çdo ditë

Subhanallah, ne nuk po flasim për ndonjë çështje për të cilën dijetarët nuk kanë rënë në ujdi ose për ndonjë sunet që muslimani ka mundësi të mos e praktikojë. Jemi duke folur për shtyllën e fesë, për namazin që Allahu i Lartësuar e bëri obligim për muslimanin në gjitha rrethanat.
Allahu i Madhëruar kur i urdhëroi muslimanët që ta kryejnë namazin, u premtoi atyre që e vonojnë atë nga koha e duhur një ndëshkim të rreptë dhe tha:
4. Pra shkatërrim është për ata që falen,
5. Të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm.

Komentuesit thonë se qëllimi i këtij ajeti është “vonimi i namazit nga koha e caktuar ”. Kanë thënë gjithashtu se fjala (vejl), që ka kuptimin (mjerë), ka për qëllim një luginë në xhehenem, shumë e thellë dhe e errët.
A janë muslimanët duke qëndruar besnik karshi librit të Zotit të tyre?

Shumë muslimanë në këtë kohë nuk e falin namazin e sabahut, a thua se namazi i sabahut nuk ekziston më në fjalorin e tyre. E falin atë pas kohe, disa e falin para namazit të drekës e disa nuk e falin fare.
Pse ky anashkalim ndaj urdhrit të Allahut të Madhëruar?

A nuk jemi ne që pretendojmë dashurinë e Allahut të Madhëruar më shumë se ndaj çdo krijese mbi sipërfaqen e tokës? Nëse njeriu do dikë me një dashuri të sinqertë, shpreson edhe takimin me të, shumicën e kohës mendon për të dhe kur afrohet momenti i takimit, nuk është në gjendje të flejë vetëm që ta takojë të dashurin e tij.
A është e vërtetë se ata që e anashkalojnë namazin e sabahut e duan Allahun e Madhëruar?
Vërtet, a e madhërojnë ata Allahun e Madhëruar dhe dëshirojnë të takohen me të?
Le të imagjinojmë një njeri që ka miliarda dhe bën një ofertë. Rezymeja e kësaj oferte është që punëtori të shkojë çdo ditë te shtëpia e miliarderit në orën pesë e gjysmë dhe ta zgjojë nga gjumi (kjo procedurë do të marrë 10 minuta kohë). Në këmbim të kësaj pune do të marrë një mijë dollarë në ditë nga menaxheri i tij. Oferta do të mbetet e vlefshme për sa kohë që punonjësi do të jetë i përpiktë në punën e tij.
Në të kundërtën do të bëhet anulimi i ofertës dhe kthimi i të gjitha parave që ka marrë ne qoftë se punonjësi nuk e zgjon menaxherin e tij ndonjë ditë, pa ndonjë justifikim.

I nderuar vëlla musliman! Nëse do të ishe në vendin e këtij punëtorit, a do ta anashkaloje këtë detyrë ndaj menaxherit tënd?
A do të ishe munduar që ta zgjoje nga gjumi çdo ditë në këmbim të një mijë dollarëve?
A do të ishe përpjekur në çdo mënyrë për ta arsyetuar veten në qoftë se ke munguar një ditë dhe nuk e ke zgjuar atë në kohën e caktuar?
Allahu i Madhëruar qoftë i lartësuar nga ky shembull! Si mund të ndodhë vëlla kjo? Allahu i Madhëruar është furnizuesi yt, Ai të dhuroi çdo gjë. Dhuntitë e Tij tejkalojnë miliona e miliona dollarë çdo ditë.
Thotë Allahu i Madhëruar: “Nëse doni t’i numëroni dhuntitë e Zotit tuaj, nuk keni mundësi.” A nuk meriton Krijuesi ynë që ti të zgjohesh çdo ditë në orën pesë e gjysmë dhe ta falënderosh për begatitë e Tij të shumta? Kjo nuk do të të marrë ty më shumë se pesë apo dhjetë minuta që ta ta falënderosh për begatitë e Tij të shumta .
Dispozitat e Islamit ndaj anashkalimit të namazit të sabahut

Thotë Allahu i Madhëruar: “Namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët.” (Nisa: 103)

Marrë nga islamway.com
Përktheu dhe përshtati: Rashit Zylfiu

– Islami është një qasje gjithëpërfshirëse për jetën. Ai është një kontratë ndërmjet robit dhe Zotit dhe njeriu duhet të respektojë obligimet para Zotit. Nuk është e logjikshme që ne të pajtohemi me këtë kontratë dhe pastaj të luajmë e të bëjmë çfarë të duam dhe të lëmë çfarë të duam.

Thotë Allahu i Madhëruar: “O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm ( përqafojeni fenë islame në tërësi)…”

Komentuesit për këtë ajet thonë se ka kuptimin “pranojeni Islamin me të gjitha dispozitat dhe legjislacionin e tij. Allahu i Madhëruar u zemërua ndaj bijve të Israilit kur ata morën një pjesë nga feja dhe ia kthyen shpinën pjesës tjetër. Ai u tha: “A po besoni në një pjesë të librit, e në një pjesë jo.”

– Pejgamberi salallahu aleji ue selem ka përshkruar se ai që e anashkalon namazin e sabahut dhe të jacisë me xhemat, është i njohur si hipokrit! E si është puna e atij që nuk e fal fare, as me xhemat e as vetë? Ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Nuk ka namaz më të rëndë për hipokritët sesa namazi i sabahut dhe i jacisë. E, e sikur ta dinin se çfarë përmbajnë (çfarë shpërblimesh kanë), do të vijnë duke u zvarritur.” (Shënon Imam Buhariu, në kapitullin e ezanit)

-Allahu i Lartësuar distancohet nga ata që lënë namazet. Ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Mos e lër qëllimisht namazin. E, ai që e lë namazin qëllimisht është larguar nga ai (është ngritur përgjegjësia) e Zotit dhe të Dërguarit të Tij.” (Shënuar nga imam Ahmedi në Musnedin e tij)

E pas gjithë kësaj, cila është zgjidhja?

• Secili prej nesh të vërë alarmin për namazin e sabahut çdo ditë.
• T’i jepet namazit pozita e duhur, që t’i koordinojmë punët tona në bazë të kohëve të namazit e jo në të kundërtën.
• Të biem në gjumë herët dhe të zgjohemi herët, që të fillojmë punën herët, kur Allahu i Madhëruar ua shpërndan furnizimin njerëzve.
•Të shoqërohemi me njerëz të mirë, që të na ndihmojnë për t’u zgjuar në namazin e sabahut.
• Praktikimi i lutjeve para se të flemë dhe të lutemi, që Allahu i Madhëruar të na ndihmojnë të falim namazin në kohën e duhur .
• Të ndihemi fajtorë dhe mëkatarë nëse na kalon koha e namazit dhe t’i japim Zotit besën se nuk do ta përsërisim atë mëkat të madh më.
Lus Zotin që të na bëjë prej të dashurve të Tij dhe të na furnizojë me sinqeritet në fjalë dhe vepra.
E vërteta është prej Allahut, gabimet nga njeriu dhe shejtani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit