SI TË (RI)KAPIM FILLIN!
Sapo u përshëndetëm me Ramazanin, duke mbetur me shpresë se kemi avancuar në devotshmëri. Si çdo vit, edhe kësaj radhe mbetet dëshira për të vazhduar në rrugën e gjetur të hapërimit drejt kënaqësisë së Allahut. Jo rrallë, flasim e dëgjojmë të flitet si duhet ruajtur frytet e arritura të devotshmërisë. Në shumicën e rasteve flitet me një retorikë të përgjithshme e që vështirë se, sipas saj, mund të orientohet fillestari.
Pothuajse në vazhdimësi mbetemi borxh të themi ndonjë gjë konkrete. Cili duhet të jetë filli që duhet t’a (ri)kapim pas Ramazanit?! Me çka ruhet rezultatet e arritura? Si të sigurohemi që të mos kthehemi mbrapa?
Konsideroj se përgjigjen shumë konkrete e gjejmë tek udhëzimi profetik:
“Mundohuni të përqendroheni, edhepse nuk ia dilni dot. Dhe dijeni se më e mira e veprave tuaja është namazi.” (Ibën Maxheh, sahih)
Sado që mundohemi të avancojmë, sukseset nuk janë gjithmonë të arritshme ashtu si i dëshirojmë. Gjithnjë ka diçka që nuk ia dalim ta bëjmë si duhet. Në tërë këtë hallakamë, qëndron rëndësia e vënies së prioriteteve në rend. Në krye të të gjithave le të mbetet namazi, sepse nëpërmjet tij si kulminacion i përkushtimit, rregullohen edhe të tjerat.
Hoxhë Ekrem Avdiu