Forcat izraelite vranë një palestinez jo shumë larg hyrjes në kompleksin e xhamisë al-Aqsa në Jerusalemin Lindor.
Dëshmitarët okularë thonë se i riu është përplasur me një grup policësh izraelitë, të cilët rrahën një vajzë në përpjekje për ta larguar prej kompleksit të xhamisë.
Besimtarët myslimanë thanë se policia e qëlloi burrin të paktën dhjetë herë. Policia thotë se 26-vjeçari, Mohammad Khaled al-Osaibi u përpoq t’i merrte armën oficerit.
Familja e të riut të vrarë akuzon Izraelin për ekzekutimin e tij. Thonë se u vra rrugës për në xhaminë ku do të falej. Al-Osaibi ishte nga Houra, një fshat arab beduin në jug të Izraelit.
Incidenti ndodhi rreth mesnatës pranë Portës së Zinxhirit, një pikë aksesi në kompleksin e xhamisë al-Aqsa në Jerusalemin Lindor të pushtuar nga Izraeli, raporton aljazeera.
Policia izraelite ka shtuar forcat e saj në zonë ndërsa dhjetëra mijëra besimtarë myslimanë nga Jerusalemi dhe Bregu Perëndimor i pushtuar nga Izraeli janë mbledhur për lutjet e Ramazanit në xhaminë al-Aqsa.
Të premten, më shumë se 200 mijë palestinezë u mblodhën për lutjet e mesditës në kompleks, e cila kaloi paqësisht.
Tensionet midis palestinezëve dhe Izraelit janë rritur që kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu formoi një qeveri me një koalicion partish të ekstremit të djathtë në fund të vitit. /Telegrafi/