Autoritetet në mbarë botën, në gatishmëri pas rënies së Silicon Valley dhe Signature Bank
Shefi i Grupit Bankar të Australisë dhe Zelandës së Re, Shayne Elliott thotë se trazirat e fundit në sistemin bankar global mund të shkaktojnë një krizë financiare, megjithëse është shumë herët për të parashikuar nëse kjo mund të çojë në një përsëritje të vitit 2008.
Autoritetet në mbarë botën janë në gatishmëri të lartë në vazhdën e trazirave të fundit bankare pas rënies së Silicon Valley (SVB) dhe Signature Bank në SHBA dhe marrjen emergjente të Credit Suisse.
“Për disa, është padyshim një krizë, por kush e di nëse është financiare? A ka potencial për të qenë? Po, ka potencialin të jetë”, tha Elliott në një intervistë me faqen e internetit të bankës.
Megjithatë, ai tha se ishte e parakohshme të supozohej se situata aktuale mund të rezultojë në “një tjetër GFC”, duke iu referuar krizës financiare globale 15 vjet më parë, e cila i zhyti ekonomitë kryesore të botës në recesionin më të keq që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.
Bankat australiane nuk pësuan aq dëm sa ato në SHBA dhe MB gjatë krizës së vitit 2008, pjesërisht falë standardeve më të shtrënguara të kreditimit dhe një ekonomie vendase më elastike.
“Kjo është një pyetje tjetër. Në fakt lidhet me luftën globale kundër inflacionit dhe se si bankat qendrore po i rrisin normat e interesit shumë shpejt për ta luftuar atë, dhe kjo po dëmton”, tha Elliott, ekzekutivi më i lartë i huadhënësit numër 4 i vendit.
Australia e qëndrueshme
Rregullatori bankar i Australisë, menjëherë pas rënies së huadhënësit të përqendruar në startup SVB, njoftoi se kishte rritur kontrollin e industrisë bankare lokale dhe kishte kërkuar më shumë informacion mbi ndikimin e mundshëm.
Rregullatorët globalë kanë vepruar shumë më shpejt këtë herë për të mbështetur bankat, pasi kanë mësuar nga pësimet e krizave të mëparshme, tha Elliott.
“Natyrisht që nuk ka mbaruar. Unë nuk mendoj se mund të uleni këtu dhe të thoni, ‘Ka mbaruar, Silicon Valley Bank dhe Credit Suisse, ju e dini – jeta do të kthehet në normalitet.’ Këto gjëra priren të zhvillohen për një periudhë të gjatë kohore.”
Rachel Slade, drejtuese e bankingut me pakicë në National Australia Bank, huadhënësi i dytë më i madh i vendit, i tha Australian Financial Review se klientët e hipotekave po shfaqnin shenjat e para të tendosjes pas 10 rritjeve të njëpasnjëshme të normës së interesit, por nuk kishte ende një rritje të mospagimit.
Ministri i Financave Jim Chalmers tha se Australia ishte në gjendje të mirë për t’i rezistuar disa prej ndryshimeve sepse bankat e saj ishin të kapitalizuara mirë dhe kishin likuiditet të fortë. /tesheshi.com/