0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Politika serbe, votim në unison: Jo njohjes së Kosovës, jo anëtarësimit të saj në OKB

Më të lexuarat

Rezultati i dy ditëve seanca të nxehta parlamentare se kush e “tradhëtoi Kosovën”

Pas seancës dyditore parlamentare, gjatë së cilës ndodhi dhe një përplasje me shkak Kosovën, është miratuar raporti i Qeverisë së Serbisë për negociatat me Kosovën.

Serbia nuk duhet të njohë pavarësinë e Kosovës apo të pajtohet me pranimin e saj në OKB, është mesazhi dominues i përfaqësuesve të koalicionit qeverisës dhe opozitës pas debatit dyditor për Kosovën që përfundoi të premten vonë mbrëma në Kuvendin e Serbisë.

Në rendin e ditës të seancës së posaçme, Kuvendi kishte Raportin për procesin negociator ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nga 1 shtatori 2022 deri më 15 janar 2023, në të cilin u theksua se përgjegjësia e vetme për përshkallëzimin e krizës në atë periudhë dhe “diskriminimi sistematik i serbëve në Kosovë” i takon Kosovës.

Për miratimin e raportit votuan 154 deputetë, kundër 23, ndërsa nuk votuan nëntë.

Presidenti Aleksandar Vuçiç, i ftuar nga Qeveria, mori pjesë në diskutim të dyja ditët, i cili pritej që pas takimit me grupin diplomatik SHBA-BE, t’i njohë përfaqësuesit me planin franko-gjerman për Kosovën.

Akuza reciproke të pushtetit dhe opozitës se kush e tradhtoi Kosovën

Vuçiç këmbënguli se ishte një dokument joformal, “non-paper” dhe se nuk duhet të publikohej “sepse ky është rregulli në diplomaci”, por ai i ofroi opozitës që t’i tregonte në kabinetin e tij të hënën një plan të mbështetur nga SHBA dhe BE.

Seanca u karakterizua nga kritika të shumta dhe akuza të ndërsjellta.

I acaruar dukshëm nga sjellja, mesazhet dhe akuzat e opozitës, Vuçiç shpesh herë me tone të ngritura iu drejtua përfaqësuesve të opozitës duke i quajtur huliganë, kriminelë, egërsira, hajna, frikacakë, ndërsa në anën tjetër e akuzonin për “tradhti të Kosovës”.

“Unë kurrë nuk do ta njoh Kosovën dhe nuk jam për Kosovën në OKB”, ia ktheu Vuçiç, duke e përsëritur atë fjali tre herë radhazi.

Nëse përjashtohen konfliktet e shpeshta dhe akuzat e ndërsjella me opozitën, mesazhi thelbësor i Vuçiçit është se si president i vendit nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës apo pranimin në anëtarësim në OKB dhe se “dorëzimi dhe kapitullimi nuk janë opsione”.

Politika e Serbisë ndaj Kosovës në 10 pika

Pasi e rregulloi politikën e Serbisë ndaj Kosovës për periudhën e ardhshme në 10 pika, Vuçiç vendosi në radhë të parë synimin për “ruajtjen e paqes dhe stabilitetit pothuajse me çdo mjet dhe me çdo kusht”.

Rruga drejt këtij qëllimi do të jetë frenimi dhe shmangia e të gjitha provokimeve “përveç nëse nuk kërcënohet prona dhe jeta e njerëzve si në vitin 2004”.

Pika e dytë është insistimi për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, të cilën Beogradi e sheh si pikënisje për normalizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve me Prishtinën dhe formimin e tyre e përkrahin SHBA-ja dhe BE-ja.

Të njëjtën ditë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Prishtina ka gjashtë kushte për këtë Asociacion, çelësi i të cilave nënkupton që ajo të formohet vetëm pas njohjes reciproke.

Me pikën tre, Vuçiç nënkupton sigurinë për të gjithë serbët në Kosovë dhe kjo pikë është e përbashkët edhe për dy të mëparshmet.

Investimi për një jetë më të mirë për serbët në Kosovë është pika katër, së bashku me të cilën Vuçiç përmendi investimet buxhetore dhe një investim prej rreth 900 milionë euro.

Në pikën e pestë, vihet në pah gatishmëria e Serbisë për të “diskutuar dhe negociuar edhe për letrat më të këqija”, sepse “nuk ka të drejtë të përsërisë përvojat e së kaluarës”.

Ruajtja e interesave jetike shtetërore dhe kombëtare është pika e gjashtë, e cila nënkupton se Serbia do të ruajë dhe mbrojë neutralitetin ushtarak, ndërsa në të njëjtën kohë do të zhvillojë dhe forcojë ushtrinë e saj dhe do të marrë të gjitha vendimet në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje nga Lindja dhe Perëndimi.

Në pikën shtatë, Vuçiç theksoi “interesin jetik të Serbisë për të qëndruar në rrugën evropiane”, duke thënë se tani jo më pak se 43 për qind e njerëzve nuk janë në favor të këmbënguljes me integrimin evropian, por se “rruga evropiane do të thotë shumë për Serbinë – përfshirë investimet dhe bashkëpunimin ekonomik”.

Pika e tetë nënkupton përpjekje të mëtejshme për rritjen ekonomike të Serbisë, zhvillimin e shëndetësisë, sektorin e energjisë, prodhimin e ushqimit dhe forcimin e ushtrisë.

Vazhdimi i bisedimeve është pika e nëntë sepse, sipas Vuçiçit, në të kundërtën “do të ishim plotësisht të izoluar dhe askush nuk do të fliste me ne”.

“Nuk mund të funksionosh vetëm”, tha Vuçiç.

Në pikën 10 ka përmendur programin “Serbia 2025”. që ndër të tjera nënkupton forcimin e pasqyrës demografike dhe rritje të pagave mesatare në një mijë euro. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit