2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Erdoğan: Türkiye e gatshme të kontribuojë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Më të lexuarat

“Ne shpresojmë që procesi i dialogut me Serbinë të rezultojë në një mënyrë që siguron paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm të rajonit”, tha Erdoğan në konferencën e përbashkët me Albin Kurtin

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij është i gatshëm t’i japë mbështetje procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për paqen rajonale, nëse kjo gjë kërkohet, raporton Anadolu.

“Türkiye është e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe të japë kontributin e nevojshëm nëse kërkohet nga palët”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të mbajtur në Pallatin Vahdettin në Istanbul.

“Ne shpresojmë se procesi i dialogut me Serbinë do të rezultojë në një mënyrë që siguron paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, tha ai.

Türkiye ka vazhduar përpjekjet e përbashkëta për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin që meriton në arenën ndërkombëtare, tha presidenti i Türkiye-s, duke shtuar: “Në këtë drejtim, ne mbështesim vizionin e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, Këshillin e Evropës dhe BE”.

Krahas marrëdhënieve politike, Erdoğan tha se kanë diskutuar se çfarë mund të bëjnë Türkiye dhe Kosova në fushën e ekonomisë, tregtisë, energjisë, industrisë së mbrojtjes dhe luftës kundër terrorizmit.

Duke iu referuar grupit terrorist FETO që qëndron pas përpjekjes së mposhtur për grusht shtet në vitit 2016 në Türkiye, Erdoğan tha: “I kërkova mikut tim të dashur që të bëjë përpjekje shtesë për të rritur solidaritetin tonë kundër aktiviteteve të Organizatës Terroriste FETO në Kosovë”.

Duke folur për marrëdhëniet ekonomike, Erdoğan tha se me marrëveshjen e tregtisë së lirë që hyri në fuqi në vitin 2019, të dy vendet arritën një momentum pozitiv në vëllimin e tregtisë dypalëshe.

“Si vendi me eksportet më të larta në Kosovë, ne duhet ta rrisim këtë shifër në 1 miliard euro”, shtoi ai.

Kurti, nga ana e tij, tha se Prishtina do t’i jetë gjithmonë mirënjohëse Türkiye-s për rolin e saj në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

“Kjo ndërhyrje ndaloi gjenocidin ndaj popullit të Kosovës dhe ishte e rëndësishme për themelimin e vendit dhe ruajtjen e paqes”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës e falënderoi presidentin Erdoğan për mbështetjen e Türkiye-s në proceset e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO.

Duke iu referuar lidhjeve ekonomike, Kurti tha: “Türkiye është një nga partnerët tanë të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë. Natyrisht, kjo na gëzon, por kjo nuk duhet të jetë e mjaftueshme. Ne mund ta shfrytëzojmë bashkëpunimin tonë aktual për të arritur potenciale më të larta”.

Türkiye e njohu pavarësinë e Kosovës më 18 shkurt 2008, një ditë pas shpalljes së saj.

Ballkani është një prioritet për Türkiye-n, jo vetëm për arsye politike, ekonomike dhe gjeografike, por edhe për lidhjet historike, kulturore dhe njerëzore me rajonin.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit