3.7 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Nata e mirë Regaib

Më të lexuarat

Regaib në gjuhën arabe është shumësi i fjalës “ragibe”, që do të thotë se kjo është nata e dhuntive, dhuratave, shpërblimeve dhe nxitëse për vepra të mira.

Nata e mirë Regaib, sipas kalendarit hënor, bie natën e xhumasë së parë (nata që lidh ditën e enjte me të premte) të muajit Rexhep, i cili është edhe muaji i parë i Tre Muajve të mirë. Çdo natë e xhuma është e bekuar. Kur këto dy netë puqen bashkë nata bëhet akoma më e bekuar dhe më e dobishme. Me vlerat e mëdha që përmban kjo natë, është njëkohësisht sihariqi dhe lajmëtari i parë i muajit të Ramazanit. Në aspektin psikologjik kjo është shumë e rëndësishme, sepse besimtari hyn në një parapërgatitje shpirtërore dhe e drejton veten e tij kah adhurimeve, përgjegjësive individuale dhe familjare duke urdhëruar të mirën e duke ndaluar të keqen.

Në popull është konceptuar gabim fakti që në këtë natë ka mbetur shtatëzanë nëna e profetit tonë, Emineja. Vetë data e lindjes së profetit tonë nuk e vërteton këtë hipotezë. Mundet që në këtë natë Emineja ta ketë kuptuar që ishte shtatëzanë. Një komentim i tillë i këtij koncepti do të ishte më i përshtatshëm.

Sipas mendimeve të dijetarëve Islam, në këtë natë Allahu i madhëruar e ka begatuar profetin Muhamed (s.a.s.) me dhunti dhe dhurata shpirtërore shumë të çmuara. Edhe profeti ynë i dashur e ka lavdëuar dhe falenderuar Allahun (xh.sh.) me lutje, teube dhe namaz.

Allahu natën e Regaibit i jep myslimanëve mirësi dhe begati të panumërta. Kjo është nata kur pranohen lutjet, pendesat dhe kur shpërblimet e adhurimeve janë të mëdha e të shumta. Profeti ynë i nderuar, në një hadith të transmetuar nga Enesi (r.a.) thotë: “Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse engjëjt asaj nate ia kanë vënë emrin Regaib!” Ndërsa në disa thënie të tjera për rëndësinë e kësaj nate Profeti Muhamed (s.a.s.) thotë: “Ai që e vlerëson natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep (Nata e Regaibit), Allahu i madhëruar nuk e dënon në varr” (Saadet-i Ebedije). “Lutja që bëhet në këto pesë netë nuk kthehet mbrapsht: Në natën e Regaibit, natën e 15 të Shabanit, të Xhumanë, natën e Bajramit të Ramazanit dhe të Kurbanit” (Ibn-i Asakir).

Si përfundim themi që kjo natë duhet vlerësuar nga besimtarët me namaz, me lexim Kur’ani, me teube istigfar, i dërgohen salavate Profetit, dita e enjte agjërohet dhe në darkë kryhen adhurime të llojeve të ndryshme, gjthashtu, kjo natë kalohet edhe me punë të tjera të dobishme dhe sevapprurëse në fenë tonë. Nuk duhet të harrojmë që lutjet tona të fillojnë dhe të mbarojnë me salavate për profetin, duke ditur që lutja midis dy lutjeve të pranuara tek Zoti, pranohet.

Shkëputur nga libri “Ditët dhe Netët e mira në Islam”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit